Psikofakt

May 21, 2018 | 8:12

Nga Shpend Gashi: Kam harruar të jem HUMAN

 

Vras mendjen pse çdo gjë e bukur që më vjen në jetë, unë me meskinitetin dhe me skepticizmin tim e përbalt?

Shpendi Gashi, Ass.Pedagog Dep. Shkencave Sociale nw FSHS, Msc. Politika Rajonale

Shpendi Gashi, Ass.Pedagog Dep. Shkencave Sociale nw FSHS, Msc. Politika Rajonale

Vras mendjen nga buron gjithë kjo energji negative në të menduar e imja, kur me më pak lodhje dhe shumë më pak mundim mund të jetoj i lumtur.

Gjykoj ashpër, nuk pranoj mendime të kundërta, ironizoj, herë pas here tregohem cinik, lëndoj me vetëdije dhe pavetëdije njerëzit që më përball jeta dhe njerëzit që dua më shumë.

Mos vallë nuk jam dhe nuk kam qenë ndonjëherë “qendra e botës” dhe kushdo qoftë forca që na ka krijuar, po përpiqet që të më “thyejë” hundët?

Gjithmonë kam qenë tipi që doja të kisha kontroll mbi gjithçka, mbi veten, mbi familjen, mbi lidhjet e mia, mbi punën time, me shumë mundësi edhe mbi familjen time të ardhshme dhe kam kuptuar ose më saktë po më vijnë sinjalet e para që kjo nuk më sjell lumturi.

ivetem

Si ka mundësi që një person i cili e urren diktaturën si koncept dhe si realitet, të tregojë shenja “diktatori” me çdo gjë që e rrethon?

Një njeri që e urren dhunën, por që vetë e ka të vështirë të tolerojë dhe mirëkuptojë.

Zakonisht them që unë s’kam frikë nga asgjë, por kam gënjyer më së shumti veten, pasi unë kam frikë nga HUMBJA dhe gjatë gjithë kësaj kohe për 8 vite që unë mund të quhem burrë, kam humbur veten. Kam qenë djali më popullor i shkollës, të gjithë donin të ishin afër meje, më njihnin dhe vlerësonin e mbivlerësonin të gjithë, ndërsa tani jam i strukur në vetveten time larg çdo gjëje, larg çdo njeriu dhe larg vetë jetës. Dua edhe ata pak njerëz që kam afër vetes t’i fus në qarkun tim të botëkuptimit.

Them se e dua shumë mamanë time, ndërkohë që respektin për femrat e kam pasur gjithmonë në limitet më të ulëta. Gjithmonë kam qenë një mendim i tyre i përjetshëm, por në krahun e kundërt të pozitivitetit. Mamaja ime është perëndi për mua, por në fund të fundit është femër si gjithë femrat e tjera që janë nëna dhe vajza e motra të dikujt dhe të cilat janë perëndi për dikë tjetër.

Mendoj se unë bëj sakrifica për shumë të tjerë, por në fund të fundit mbetem egoist pasi dua t’ua vë në dukje veprimet e mia. Po ta mendosh thellë, sakrifica bëjnë të tjerët që gjejnë durim dhe forcë të më durojnë dhe suportojnë mua dhe që përpiqen të ushqejnë shpirtin tim të pangopur dhe plot uri.

Dhe unë vonë po e kuptoj që ata që më kritikojnë e bëjnë se më duan dhe duan të më përmirësojnë, ndryshe do ishin larguar e harruar si shumë të tjerë dhe do hiqnin dorë.

Jam vetëbrumosur me idenë se jam superior për forcën e pashterueshme, inteligjencën dhe faktin që jam mashkull, por kam harruar të jem HUMAN.

Human nuk do të thotë të jesh qenie njerëzore, sepse ti s’mund të jesh qen apo mace sado të mundohesh, por do të thotë të jesh Shpirt i madh dhe i lirë!

Duhet ta përqafoj të bukurën dhe pozitiven, që të më përqafojë edhe Ajo.

E keni parasysh kur jeni në plazh dhe rëra të djeg këmbët, por juve s’ju intereson sepse po shkoni drejt detit?

Kështu duhet jetuar jeta.

Fikso një ëndërr dhe ndiqe! Ëndrra ime është të jem i lumtur!!!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top