Psikofakt

February 3, 2020 | 10:47

Nga Xhoi Jakaj: Që gratë të mos i humbasim përditë!

 

Edicionet e lajmeve u shoqëruan nga lajmi i kobshëm dhe i  trishtë, ku një grua u masakrua nga burri me thikë në sy të fëmijëve, dje ishte një rast tjetër, pardje një tjetër, e kështu me radhë. Gra që vdesin në forma monstruoze, jo me plumb që sjell vdekje të shpejtë, por me thika, drunj, hekur e shkopinj, këto janë vdekje që edhe në filma të kallin frikë e tmerr, jo më trupi i atyre grave që i përjetojnë këtë lloj masakre.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, ish-drejtuese e Burgut të Grave, autore librash për adoleshentët

Një gazetare gjatë transmetimit të kronikës përdori shprehjen “asaj nuk i dëgjohej zëri i gojës” dhe “nuk i kthente kurrë përgjigje burrit”, kjo e cituar nga komshinjtë e gruas 33-vjeçare që sapo kishte humbur jetën nga thikat e burrit monstër, që e vrau pa pikë mëshire nënën e tre fëmijëve të tyre e i la ata të mjerë jetimë.

Gazetarja kujdeset gjatë kronikës ta nxjerrë të pafajshme gruan e vrarë, sipas gojëdhënave të komshinjve për shkak sa ajo e di fort mirë që pas një vrasje të çdo gruaje, shpesh kjo shoqëri dhunuese e konservatore me faj bën gratë kur ndodhin vrasje të tilla makabre.

Por që gratë të mos i vrasim përditë, pikësëpari duhet të emancipohet shoqëria dhe nënat që rrisin vajza e djem, pasi duhet t’i edukojnë ato/ata në mënyrë të barabartë, ku djali të mos dhunojë e vajza të mos i nënshtrohet dhunës psikologjike, as fizike sepse përfundojnë në statistika të policisë në pak kohë si të vdekura nga meshkujt, pra burrat e tyre dhe jo vetëm!

Në kronikat e lajmeve ka pothuajse një herë në ditë një grua të dhunuar apo të vrarë, ndaj nuk duhet të kujtohemi vetëm kur ndodh vrasja e të sillemi si të pafajshëm, në inkoshiecën tonë të gjithë themi pse ndodhi, por a punojmë vallë që t’i shpëtojmë këto gra nga tmerri, rrahjet, dhuna, sa i ndihmojmë ato gra kur kuptojmë se janë të dhunuara.

Në fakt ato të vrara janë për aq kohë sa durojnë dhunuesin dhe e falin atë, një rast i bërë publik para pak javësh në një prej televizioneve kombëtare ku gruaja pasi e masakroi në pyll bashkëshorti, babai i dy djemve, e fali atë në sy të gjithë shqiptarëve duke i afruar edhe një shans nën petkun e thënies  “po e bëj prej fëmijëve” dhe pse pas atyre faljeve vazhdon një kalvar i tërë vuajtjesh e rrahjesh mizore.

Shteti duhet të rregullojë politika për arsimimin dhe punësimin e grave në zonat rurale, hapjen e shkollave e kurseve shtetërore që “shpëtimi i këtyre grave të dhunuara” të realizohet nëpërmjet shkollimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të mbarë shoqërisë kundra dhunës.

Në shumë raste dhuna vjen nga mungesa e shkollimit, e ushtrimit të fjalës së lirë si dhe mundësive për të pasur gratë një pavarësi ekonomike. Ne të gjithë duhet ta kthejmë si qëllim të jetës luftën kundër dhunës sepse dhuna sjell dhunë, vrasje, e fëmijë të mbetur rrugëve pa prindër, pasi njëri vritet e tjetri përfundon në burg.

Për arsye nga më të ndryshmet, këto gra e vajza janë të nënshtruara por ndoshta jo në pak raste është edhe faji i familjes e shoqërisë që i shtyn të zgjedhin këtë rrugë.

Ne të gjithë dëgjuam si u vra një gjyqtare para ca vitesh në mes të ditës pasi kishte kaluar një kalvar të tërë vuajtjesh, përndjekjesh e kërcënimesh dhe nuk arriti të vetëmbrohej, dhe kur vritet një gjyqtare sa lehtë është të merret jeta e një gruaje të thjeshtë, pa shkollë, që jeton në fshat e nuk ka një punë, por punon si shtëpiake me orë të papaguara dhe pa të keq në mbrëmje dhunohet nga kryefamiljari. Dhe mbase kjo tipologji gruaje në gjithë jetën e saj bashkëshortore nuk ka dalë kurrë shëtitje, asnjëherë nuk e ka zënë përdore bashkëshorti për të shkelur në një trotuar apo lulishte qyteti, nuk e ka përjetuar ngrohtësinë, as dashurinë, sepse prindërit e kanë rritur me ndjesinë që të jetë e nënshtruar para burrit e familjes së tij.

Për të kuptuar si jetojnë gratë në burgun jashtë hekurave në një shoqëri plot mentalitete, duhet të vizitojmë shpesh fshatrat dhe zonat fare afër qyteteve, e çfarë mund të themi për emancipimin e madh, kur kemi mbetur një shoqëri shtypëse, që sapo ndodh një vrasje pyesin pse e vrau burri, dhe nuk pyesin cilat janë shkaqet që kjo grua arriti të durojë vite të tëra sakrifica e poshtërime deri në momentin e marrjes së jetës.

E pra, me keqardhje e them, jemi shoqëri e mbarsur me gjykime, në vend që të jemi njerëz më të mirë e humanë, dhe të përmirësohemi dita-ditës të gjithë. Të fillojmë e mendojmë zgjidhjen, që ato gra të mos i vrasim edhe pas vdekjes së tyre.

E ndërkohë, të veprojmë sa më parë që edhe ato të gjallat të mos i vrasim përditë pak e nga pak?!

*Titulli është rishikuar nga redaksia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top