FB

June 11, 2022 | 10:20

Një yll si Marko Strazimiri

Vibrimi i tingujve në eter ashtu si dallgët në një det të trazuar, nota akute që marrin udhën për në Apogje dhe të tjerat që valëzojnë si në një dens harmonik, magjepsin dikë atje tej në eterin e përjetshëm, a në universin kozmik e të pafundëm. Mund të jetë Zoti vetë… Por jo. Ndoshta është diçka krejt tokësore e po aq hyjnore njëherazi. “Mama sonte e shqetësuar…”. Muzikaliteti përhapet në një vazhdimësi të pambarimtë dhe askush nuk e ndalon dot. Veç në duhet ta shijojë në heshtje. Dhe tingujt vazhdojnë të përcjellin magji. Atëherë ai ishte “gjeniu i vogël” Marko. Sot është më i rritur dhe sërish udhëton për të qenë një tjetër gjeni…

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ / Sonny K.Elson

Një mjek në ardhje që do të na shërojë me muzikë!

2

Fjala zili është e tepërt nëse duam të perifrazojmë diçka që nuk e arrijmë dot. Ashtu është. Por në këtë rast, të cilin më pëlqen ta përdor, jam e vetëdijshme se bart gjithë pozitivitetin e çfarë dua të shpreh. Çdo nënë, i afërm, shok apo shoqe, mësues…dhe mund ta zgjas listën, – do ta kishte zili një djalë si Marko Strazimiri. Ky djalë i ri, – i cili në 11 qershor mbush 19 vjeç, – është kaq i përgatitur dhe i realizuar, po aq sa ç’është i thjeshtë, deri “në madhështi”.

3

Bashkëbisedojmë për lirikën e tij muzikore, pëlqimet e rrymave, stilet, kompozitorët dhe tekstshkruesit e preferuar. Ashtu si dhe unë, Markon më së shumti e kemi njohur nga ekrani si këngëtar të talentuar, ndërkohë që ai është po aq i përparuar dhe në pjesën tjetër të jetës, duke investuar edhe në profil ndryshe, që pak vite më vonë do t’i veshë atij bluzën e bardhë të mjekut. Dhe është një fushë tejet sfiduese, jo vetëm e vështirë, pohon ai, sepse kërkon kohë dhe angazhim strikt. Dhe kjo intervistë, e cila kërkonte frymëmarrjen e saj, u gjend në një hapësirë lirie paksa të cunguar, për të mos i hyrë në hak orëve të leksionit apo studimit të thelluar. Kjo zgjedhje ishte padyshim e tij, një ëndërr në sirtar që u shoqërua me ecurinë studimore përgjatë viteve të edukimit të tij parauniversitar. Marko Strazimiri, e nisi shkollimin e tij fillor në Greqi, ku u shqua për arritjet e shkëlqyera në mësime. Veçanërisht në shkencat ekzakte, (pjesëmarrës në olimpiada matematike), gjuhët e huaja (greqisht, italisht, anglisht dhe shqip) dhe muzikë e këngë. Në vitin 2008 mediat greke dhe ato shqiptare e cilësuan Markon, “shqiptari gjeni”, lajm që i kalonte kufijtë për arritjet në moshën e tij. Sepse Marko Strazimiri ishte shqiptari që ia kishte dalë të rrëmbente çertifikata e çmime vlerësuese në çdo aktivitet pjesëmarrës. U shqua që herët për protagonizmin e tij, duke përçuar një emër të mirë tek bashkëmoshatarët por edhe mësuesit, me të cilët i ka ruajtur kontaktet, dhe në përvjetorë ditëlindjesh shkëmben gjithmonë mesazhe urimi.

Viti 2011…

4

Me kthimin në Shqipëri, gjithçka do të ndryshonte. Kultura e marrë në kryeqytetin grek, Athinë, dhe ajo e edukimit në një institucion arsimor italian ku mësoi vitet e para, do të ishte sfiduese për djaloshin, që duhet thënë, kthimin në vendin amë nuk e kishte konceptuar kështu. I përballur me bullizmin, sepse vinte nga jashtë dhe për “të brendshmit” kishte formim ndryshe, Marko e kaloi si sfidën e parë në jetë të një forme xhelozie të pakonceptueshme për brumosjen e tij. Me mbështetjen e familjarëve, kjo periudhë i shërbeu si një leksion jete, e njëherësh një kundrapeshë me efekt produkti për krijimtarinë e tij të mëpasme. Fokusi ishte Dashuria për Jetën. Edukimi vazhdoi, sfidat gjithashtu. Edhe më frytëdhënëse. Marko Strazimiri arriti të mbajë lart yllin e tij, edhe në vendin e origjinës, duke ruajtur të njëjtat rezultate ashtu si dhe në Greqi. U aktivizua në të gjitha veprimtaritë që organizonte institucioni arsimor ku zgjodhi të vazhdonte shkollimin. Për rezultate të shkëlqyera, me mesatare 10-të, ai mori kupën dhe titullin “Nderi i shkollës” Willson. Dilte i pari në çdo eveniment. Prirjet, përveç shkencave ekzakte, matematikës kryesisht, u pasuan me dëshirën për artin, muzikën, skenën, prezantimin, këngën, aktrimin dhe modelingun.

Me përfshirjen, angazhimet jashtëshkollore, ditët pasonin njëra-tjetrën. Surprizonte në çdo dalje. Diku një titull, diku një çmim, diku një ftesë pjesëmarrjeje, e në jo pak raste certifikata që ia shtonin dëshirën për t’u bërë një shembull frymëzimi për brezin e të rinjve. Dhe ia doli! Sepse për Markon “vetëbesimi është frymëmarrja që na udhëheq ritmin e jetës. Na bën ta jetojmë atë me të gjitha dimensionet, dhe të dimë t’i vjelim asaj më të mirën”. Por ajo që e dallon Markon më së shumti nga të gjitha këto, sot falë edhe maturimit, është zëri i tij, që me një regjistër të veçantë, baritoni, konkurron pa frikë ikona të muzikës shqiptare dhe asaj botërore. Jo rastësisht titujt referojnë të tilla vlerësime.

Takimi me muzikën, çmimet

7

Familja, lidhja e pazëvendësueshme

5

“Kanë sakrifikuar shumë për mua. U jam mirënjohës në madhështi”… Marko Strazimiri ka një lidhje të veçantë me familjen. Pavarësisht të qenit introvert si natyrë, kur është fjala për prindërit e tij, Mirën dhe Stefanin, si dhe vëllain e tij të madh Stemin, ai çelet dhe i qeshin sytë. “Janë ata që më kanë udhëhequr në çdo hap të jetës. Më kanë mbështetur, përkrahur, më kanë nxitur, më kanë shoqëruar dhe më kanë dhënë kurajë për vazhdimësinë”. Janë ata kritikët e tij më të mirë dhe njëherësh drita e rrugëtimit të tij artistik. Të pandarë në çdo eveniment, dhe përkrahës në çdo aktivitet, ata janë bashkë çdo herë, duke përçuar njëherësh një marrëdhënie shembullore. Të regjistruar në kujtesën e tij personale dhe atë fotografike, Marko shquan kujtime që thellë në të kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.

6

Ashtu si dita e parë kur e shoqëruan për në shkollë, kur interpretoi para tyre në piano, kur ngriti para tyre çmimet e fituara në olimpiada matematike, kur prezantonte aktivitete artistike, kur këndoi për herë të parë, kur garoi si konkurrent në festivalin e parë të muzikës për fëmijë e ca më i rritur në festivalin kombëtar shtetëror, kur ngjiti hapat në karrierë si aktor i ri, por edhe kur iu shfaq me stilin e tij të veçantë në veshje dhe imazh. Ka shumë nga këto emocione që ai i lidh pazgjidhshmërisht me familjen e tij, sepse ai është produkt i saj, dhe kjo ndjenjë ia përkëdhel kahera sedrën, me dashurinë e pakushtëzuar. E muzika i vjen sa herë në ndihmë, duke ua shpërblyer me nota e vargje idilike nga preferencat e tij artistike. Sepse vetëm një artist di ta përcjellë me gjuhën duhur dashurinë e vërtetë. Dhe kur ajo është për prindërit, merr vlerën e hyjnores.

Projektet e reja

9

Vera do të jetë surprizuese. Gjithçka është gati. Lancimi i tri këngëve të reja nga Marko Strazimiri do të jenë një bum i vërtetë. Stil i veçantë dhe një gërshetim rrymash. Ambicioze për trendet që kërkon vera, por duke iu përmbajtur natyrës serioze të të punuarit. Selektiv në përzgjedhjen e teksteve, por dhe me një vesh muzikor sqimatar, Marko Strazimiri nuk bën kompromise. Besnik i fabulave me tekste nga jeta shoqërore, problematikat e kohës, por dhe ca ngjyra rinore për t’i dhënë harmoni këngëve të tij. Padyshim që muzika si një komponent kryesor do të vijë me bashkëpunime të reja, talente që sot për sot në Shqipëri kanë bërë emër dhe dallohen për kapitalin e qëndrueshëm muzikor sipas kodeve të shenjta të të bërit muzikë. Ka akoma dhe më, por Marko Strazimiri ka zgjedhur t’i zbulojë pak nga pak surprizat.

Pasionet

Përveç fokusit ku e ka orientuar jetën e tij me përkushtim, Marko Strazimiri gjen gjithmonë vend për pasionet apo hobet siç i quan ai, të cilat plotësojnë kuadrin e plotë të një njeriu jo vetëm të përparuar, por edhe social, njerëzor. I vëmendshëm ndaj ngjarjeve ku zhvillohet jeta e tij, ku merr kuptim arsimimi i tij, ai nuk I thotë asnjëherë jo ftesave televizive në emisione rinore. Falë aftësive komunikuese, ai është i pranishëm me zërin dhe mendimet e tij për trajtimin e problematikave të ndryshme. Krahas kësaj, Marko është i dhënë pas kërcimit, palestrës, kultura këto që e ndihmojnë në shëndetin psikofizik, si dhe ka afeksion për makinat, aty ku gjen adrenalinën pas një dite të lodhshme.

Skeda Artistike

8

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top