A të emocionon kur sheh të tjerët të shprehin hapur dashurinë e tyre, por ti e ke të vështirë të bësh të njëjtën gjë? Nëse po, nuk je i vetmi. Kjo nuk do të thotë se të mungojnë ndjenjat apo se nuk di të duash. Shpesh, vështirësia qëndron te mënyra e shprehjes së tyre dhe te frika se si mund të interpretohen nga të tjerët.

Dashuria mund të jetë e pranishme dhe e sinqertë, por mungesa e sigurisë ose e mënyrave të duhura për ta shprehur e bën të vështirë ta manifestosh atë, sidomos në publik.
Pse ndodh kjo?
Vështirësia për të shfaqur dashurinë lidhet shpesh me vetëvlerësimin e ulët, i cili krijon bindjen se ndjenjat nuk janë mjaftueshëm të rëndësishme për t’u shprehur. Ajo mund të shoqërohet edhe me drojë, ankth social ose aleksitimi – vështirësi në identifikimin dhe shprehjen e emocioneve. Përveç këtyre, ndikim të rëndësishëm kanë edhe mjedisi familjar, normat shoqërore dhe tiparet e personalitetit.
Personaliteti – Nëse je një person introvert, është e natyrshme që shfaqjet publike të dashurisë t’i konsiderosh diçka intime dhe private. Kjo nuk është një mangësi, por një mënyrë personale e të përjetuarit dhe të shprehurit të emocioneve. Njerëzit që të njohin mirë e kuptojnë dhe e respektojnë këtë tipar. Megjithatë, introvertët mund të ndihen në siklet kur ndihen të detyruar të shprehin ndjenjat në mënyra që nuk përputhen me natyrën e tyre.
Mënyra si je rritur – Familja luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si mësojmë të shprehim dashurinë. Nëse je rritur në një mjedis ku përqafimet, puthjet apo shprehjet verbale të dashurisë ishin të rralla ose të dekurajuara, është e mundur që edhe si i rritur ta kesh më të vështirë t’i shfaqësh ato.
Studime të publikuara në Journal of Divorce & Remarriage tregojnë se njerëzit që janë rritur në familje ku kontakti fizik dhe shfaqjet publike të dashurisë nuk inkurajoheshin kanë më pak gjasa t’i shprehin ato në jetën e tyre të rritur. Megjithatë, kjo nuk është një rregull absolut dhe jo të gjithë ndikohen në të njëjtën mënyrë.
Nuk është gjuha jote e dashurisë – Sipas ekspertit të marrëdhënieve Gary Chapman, ekzistojnë pesë gjuhë të dashurisë:
fjalët pohuese;
koha cilësore;
dhuratat;
aktet e shërbimit;
prekja fizike.
Nëse prekja fizike nuk është mënyra jote kryesore për të shprehur dashurinë, është normale që të mos ndihesh rehat me përqafimet apo puthjet në publik. Kjo nuk do të thotë se do më pak, por se e shpreh dashurinë ndryshe.
Frika nga gjykimi – Përvojat negative të së kaluarës ose ankthi social mund të krijojnë bindjen se shfaqjet publike të dashurisë do të të bëjnë objekt kritikash ose talljeje. Mendime si: “Nuk do të të përqafoj sepse njerëzit do të na shikojnë” ose “Nëse të puth, do të qeshin me ne” janë shembuj të kësaj frike. Në shumë raste, ajo buron nga përvoja të mëparshme të pakëndshme që personi përpiqet t’i shmangë për të mos përjetuar sërish të njëjtën dhimbje apo turp.
Normat kulturore dhe shoqërore – Në kultura të caktuara, shfaqjet publike të dashurisë konsiderohen të papërshtatshme. Edhe kur një person jeton në një shoqëri më liberale, zakonet dhe vlerat me të cilat është rritur mund të vazhdojnë të ndikojnë në sjelljen e tij. Po ashtu, normat shoqërore vendosin pritshmëri të ndryshme për burrat dhe gratë. Për shembull, burrat shpesh edukohen të jenë më të rezervuar emocionalisht. Një studim me studentë universitarë meshkuj tregoi se shprehja e afeksionit mes tyre manifestohej më tepër përmes lojërave fizike, shtyrjeve ose humorit, sesa përmes gjesteve të hapura të dashurisë, duke reflektuar ndikimin e normave patriarkale dhe heteronormative.
Si mund ta kapërcesh këtë vështirësi?
Pasi të kuptosh arsyet që të pengojnë të shprehësh dashurinë në publik, mund të fillosh të punosh gradualisht me to. Në vend që ta etiketosh veten si një person “që nuk di të shprehë dashuri”, vlerëso përpjekjen që po bën për të qenë më i hapur emocionalisht.
Mund të ndihmojnë këto hapa:
Njih emocionet e tua – Kur arrin t’i identifikosh dhe t’i kuptosh, bëhet më e lehtë t’i shprehësh dhe të ndërtosh marrëdhënie më të shëndetshme.
Vëri në dyshim frikërat – Pyete veten nëse njerëzit do të të gjykojnë vërtet, apo nëse kjo është vetëm një bindje e krijuar nga mendimet e tua.
Fillo me gjeste të vogla – Një buzëqeshje, një kompliment, kontakti me sy ose një fjalë e ngrohtë janë mënyra të vlefshme për të shprehur afeksionin.
Kërko mbështetje profesionale – Nëse ankthi ose sikleti është aq i fortë sa ndikon në marrëdhëniet e tua, ndihma e një profesionisti të shëndetit mendor mund të jetë shumë e vlefshme.
Dashuria nuk ka vetëm një mënyrë shprehjeje
Të bëhesh më i hapur emocionalisht është një proces që kërkon kohë. Ndryshimi nuk ndodh brenda natës, por ndërtohet hap pas hapi.
Është po aq e rëndësishme që njerëzit pranë teje të kuptojnë pasiguritë dhe vështirësitë që përjeton. Kur ata janë të vetëdijshëm për to, mund të të mbështesin pa të ushtruar presion.
Mbi të gjitha, mos harro se nuk ka asgjë të gabuar me ty. Nëse je një person i rezervuar, kjo nuk do të thotë se dashuron më pak. Ata që të njohin dhe të vlerësojnë e kuptojnë se dashuria mund të shprehet në shumë mënyra dhe se nuk ka nevojë të demonstrohet para të tjerëve për të qenë e vërtetë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

