Në fokus

August 17, 2020 | 9:15

Optimizmi, eliksiri i jetës

E shihni gotën gjysmë plot apo gjysmë bosh? Përgjigjja e kësaj pyetjeje reflekton sjelljen tuaj kundrejt jetës, kundrejt vetes duke ndikuar ndonjëherë në mënyrë aktive edhe shëndetin. Jeta e të gjithëve ne ka ulje-ngritje, por të qenit optimist nuk do të thotë të injoroni vështirësitë apo sfidat e jetës, nënkupton të përballeni në mënyrë të ndryshme me to. Nëse vizioni juaj për botën ka qenë gjithmonë pesimist, mund të mos jetë e lehtë të ndryshoni këndvështrim, por është e mundur t’ia dilni t’i dalloni aspektet pozitive të jetës.

Kultivoni optimizmin

Ndonjëherë, të kultivoni optimizmin në përditshmëri është e vështirë. Veçanërisht nëse përditshmëria juaj është e mbushur me probleme që grumbullohen ditë pas dite, me horizonte gjithnjë e më pak të kapshme. Por, po të shohim rreth e qark, kuptojmë që vendi ynë ka shumë korrupsion, keqbërje, krizë ekonomike, papunësi, ndotje e shumë gjëra të tjera; në këtë mënyrë është e lehtë të biesh në pesimizëm. Gjërat nuk përmirësohen duke dëgjuar historitë e njerëzve. Secili ka barrën e vet për të mbajtur. Jetojmë në një kohë të ngarkuar me vuajtje.

E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, ka njerëz që ia dalin të kultivojnë anën pozitive të jetës, përtej vështirësive me të cilat përballen. Natyrisht nuk jemi duke folur për ata që janë pandërgjeshmërisht entuziastë, të lumtur në çdo moment të ditës. Po flasim për ata njerëz që janë të përfshirë nga një optimizëm i shëndetshëm.

Çfarë është optimizmi?

Optimizmin mund ta mendojmë si një energji e brendshme, që me t’u aktivizuar ngjyros mënyrën se si e shohim jetën dhe na bën të përjetojmë marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Të qenit optimist, nuk nënkupton se duhet të injoroni problemet, të bëni sikur çdo gjë shkon mirë dhe që planeti është një parajsë e pakrahasueshme. Jo. Të qenit optimist nënkupton të njihni ekzistencën e problemeve dhe të përshtateni për të gjetur një zgjidhje, me bindjen se do ta gjeni. Optimizmi është një sjellje realiste dhe njëkohësisht e realizueshme.

Optimisti nuk shkurajohet që në pengesat e para të jetës, por gjen një mënyrë t’i kalojë ato, t’u japë një sens, një kuptim, si në situata problematike, ashtu dhe në ato të dështimit. Dhe pikërisht nga dështimet, ai mund të rifillojë nga e para, sepse dështimin e konsideron përvojë, pasuri, energji për të rifilluar. Ja sepse sjellja optimiste është garanci suksesi në të gjitha fushat.

Optimizmi është eliksiri i jetës

  • Shikoni gjithmonë aty ku të tjerët janë më të mirë dhe mundohuni të mësoni
  • Shikoni aty ku gaboni, në mënyrë që të mos përsërisni më të njëjtat gabime
  • Mundohuni të silleni mirë
  • Ankohuni për 5 minuta dhe për 55 të tjerat mendoni se si të zgjidhni problemet

Njerëzit optimistë janë të vetëdijshëm për shqetësimet dhe pengesat e jetës, por edhe të vërtetë e të fokusuar drejt së ardhmes. Optimisti i vërtetë është i vetëdijshëm se jeton në një botë jo perfekte, nuk pret që gjërat herët a vonë të rregullohen vetë. Optimizmi bazohet mbi besimin që ushqejmë brenda vetes, mbi aftësitë tona për të kuptuar aspektet pozitive të ngjarjeve. Për shembull, Thomas Edison për të krijuar llambën e parë inkandeshente bëri më shumë se 10.000 eksperimente para se t’ia dilte mbanë. Dhe kur e pyesnin për eksperimentet e tij të dështuara ai përgjigjej: “Nuk kam dështuar, por kam gjetur 10.000 mënyra që nuk funksiononin”.

Dështimet, në vend që të na mposhtin dhe të na nxjerrin jashtë loje nga ndeshja me jetën, na afrojnë më shumë me synimin. Ndaj, një optimist është ai që krijon një mundësi nga vështirësitë e tij. Në sintezë, thelbi i optimizmit nuk është vetëm të shohësh përtej situatave që paraqiten, por është një forcë jetësore, forca për të shpresuar kur të tjerët heqin dorë, forca për të mbajtur kokën lart, atëherë kur duket se gjithçka dështon, forca për të duruar e përballuar edhe mossukseset…

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top