Nga Arsa Bushi
Ka rregulla që nuk janë shkruar askund, dhe megjithatë, pothuajse të gjithë njerëzit i respektojnë. Kush i shkel ato, shpesh përballet me shikime të çuditura ose me një heshtje të sikletshme. A të duken të njohura edhe ty këto pesë rregulla të pashkruara të përditshmërisë?

1.Të ulesh pranë dikujt nëse ka vende të tjera të lira – është tabu
Autobusi është gjysmë bosh, kudo ka vende të lira – dhe megjithatë dikush ulet pikërisht pranë teje. Menjëherë pyet veten: Pse pikërisht këtu?
Një sjellje e tillë mund të duket shpejt si një cenim i hapësirës personale. Shumica e njerëzve mbajnë automatikisht distancë nga të panjohurit – thjesht sepse secili e vlerëson hapësirën e vet personale.
2.Nuk i hedhim një vështrim shumë të gjatë telefonit të dikujt tjetër
Qoftë në rrugë, në autobus, në punë, në shkollë apo në grupin e shoqërisë: kur dikush po shkruan mesazhe, po përdor telefonin, të paktën përpiqemi të bëjmë sikur nuk po lexojmë çfarë shkruan, apo se çfarë po shikon.
Sigurisht, ndonjëherë ndodh pa dashje. Por të ndjekësh qëllimisht bisedën e dikujt tjetër në telefon, për shumë njerëz ndihet si shkelje e privatësisë.
3.Bëjmë sikur nuk e kemi parë një moment të sikletshëm
Dikush pengohet në shkallë, një telefon bie me zhurmë në tokë ose dikush i bën me dorë një personi që në fakt po ia bënte dikujt tjetër. Reagimi më i sjellshëm zakonisht është: Të bësh sikur nuk ndodhi asgjë.
Sepse ndonjëherë të kthesh kokën dhe të mos reagosh është forma më e sjellshme e vëmendjes. Ndoshta ky rregull i pashkruar funksionon kaq mirë sepse pothuajse të gjithë i njohin këto situata dhe duan t’i shmangin.
4.Kur dikush vendos PIN-in, ne shikojmë diku tjetër
Në arkën e supermarketit, te bankomati ose kur paguan në restorant, shpesh ndodh e njëjta gjë: sapo dikush fillon të vendosë PIN-in, njerëzit papritur e drejtojnë shikimin nga çdo gjë tjetër – vetëm jo nga aparati i pagesës.
Disa shikojnë ëmbëlsirat pranë arkës, të tjerë telefonin ose nga dritarja. Edhe pse askush nuk kërkon shprehimisht që të mos shikosh, shumica e njerëzve e dinë: ky është një moment privat.
5.Presim pak para se të marrim biskotën e fundit
Në një grup ka mbetur vetëm një biskotë, një copë pice ose patatja e fundit e skuqur në pjatë. E megjithatë, askush nuk e merr menjëherë. Në vend të kësaj, zakonisht pyetet shkurt: “A e do dikush këtë?”
Edhe kur të gjithë në fakt e dinë se askush tjetër nuk do ta marrë. Nuk bëhet fjalë aq shumë për ushqimin, sa për mirësjelljen e të pyeturit.
*Arsa Bushi, gazetare e të rinjve të çuditshëm
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

