Përshëndetje e nderuar psikologe. Unë jam një grua e martuar me dy fëmijë. Jam shumë xheloze ndaj burrit! Ai nuk bën fare mbas familjes, por vetëm pas njerëzve të tjerë. Të paktën kështu më duket mua. Ndoshta mund të jem edhe unë gabuar, por i kërkoj shumë llogari. Kur nuk e pëlqej dikë, për shembull, i them ‘mos i fol’, ai vazhdon me të vetën duke i dhënë më shumë bisedë. Afrohet shumë me të tjerët, dhe shumë herë m’i bën gjërat në syrin tim. Nuk po e duroj dot këtë sjellje të tij. Bën gjithmonë të kundërtën e asaj që i them unë. A mund të më jepni një këshillë se si të sillem me të?
Përshëndetje e dashur lexuese. Përpjekja jonë për të ndryshuar njerëzit që janë rreth nesh, duke këmbëngulur në pritshmëritë që ne kemi mbi ata, është një betejë e humbur sa vetë historia. Edhe kur personat rreth nesh, “më në fund” ndryshojnë, kanë shumë gjasa të largohen nga ne, nëse ndryshimi ka ardhur i sforcuar. Nga ana tjetër, zgjedhjet që ne bëjmë janë në dorën tonë. E kuptoj ndjenjën tuaj të xhelozisë ndaj bashkëshortit, por në këtë histori do të duhet të shikohen disa parametra: kur thoni se nuk bën shumë për familjen, e keni fjalën që nuk kalon kohë shumë me të? Por kohën që ai kalon, a ka kualitet? A ju dedikohet juve? A komunikoni me njëri-tjetrin heraherës për veten tuaj, për fëmijët dhe planet e së nesërmes? Planet p.sh. janë një provë e sigurisë për ta ndërtuar të ardhmen bashkë. Një aspekt tjetër që ju duhet të shikoni me kujdes është dhe jeta sociale, jo e bashkëshortit, e juaja. A keni ju miq dhe shokë me të cilët heraherës shpenzoni kohën bashkë? Të dilni dhe të konsumoni një drekë, një çaj, një shëtitje, ditëlindje, të merrni një këshillë në ditë të vështira apo të bukura, apo thjesht një takim të shpejtë për të ndërruar ditën? Ky aspekt i jetës suaj do të duhet të jetë pjesë përbërëse, kështu të vendosni një balancë nevojash, pasi ju nuk keni vetëm rolin e gruas dhe të nënës. Janë të dyja role të rëndësishme, por ato nuk mund t’ju përfaqësojnë në të gjithë spektrin e marrëdhënieve. Kështu, fokusi do të zhvendoset tek ajo që bashkëshorti juaj bën. Të jesh një person social, që i përshtatet kërkesave sociale, që hyn lehtësisht në marrëdhënie dhe komunikim me të tjerët, është një aftësi shumë e mirë. Nëse ju vëreni se bashkëshorti juaj, krijon marrëdhënie të ngushta, flirtuese, apo nxitëse për intimitet me persona, me gra të tjera në këtë rast, atëherë shqetësimi është real. Nuk është xhelozi irracionale, por një ndjenjë e fortë tradhtie, xhelozie dhe mungese e lartë respekti. Në këtë situatë, ju do të duhet të merrni disa vendime njëherësh, por përpara se të ndërmerrni vendime, komunikimi është çelësi i suksesit nëse nuk e keni bërë akoma. Lini një darkë takimi bashkë, dilni nëse keni mundësi dhe tregojini për ndjesitë tuaja, për frikërat tuaja dhe si ju bën situata të ndjeheni. Nëse do të filloni me akuza ndaj tij, nuk të përfundoni dot komunikimin dhe nuk do të shkoni dot në një zgjidhje të mundshme. Por nëse filloni t’i tregoni si ndjeheni dhe të sillni disa situata në veçanti dhe pastaj në makro, ka shumë mundësi që ta ftoni në një zgjidhje të përbashkët, edhe sikur kjo zgjidhje të jetë me përfundimin e marrëdhënies, ose e kundërta, me zhvillimin e marrëdhënies. Por kujdes! Lexojeni situatën me këmbë në tokë dhe me ngjyra realiste mbi marrëdhëniet sociale të bashkëshortit dhe angazhimin e tij në familje. Në të gjitha rastet, komunikimi është çelësi i zgjidhjes.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 173
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.