FB

June 20, 2022 | 9:00

Posta nga Denada Toçe / Po më mbyt ankthi

Përshëndetje psikologe Denata. Ju falënderoj për përgjigjet tuaja në letra të ndryshme, ku gjej dhe veten. Kam nevojë të qartësoj dhe unë veten time përmes kësaj letre. Jam Pamela, 20 vjeçe. Kam gati 3 vjet që vuaj nga ankthi. Kam shumë frikë nga vdekja. Mërzitem shumë, qaj shumë, nuk jam e vendosur për jetën time. Më dridhet shumë trupi. Në mes të gjoksit, më tepër nga krahu i zemrës sikur më pengon diçka, sikur kam diçka të rëndë. Nuk e di çfarë është. Më merret shumë fryma, aq sa nuk fle dot. Natën trembem. Për çdo gjë ndihem shumë keq. Në çdo moment qaj, nuk kam dëshirë për asgjë. Nuk di nëse është ankth apo stres kjo gjë. Më thoni se çfarë mund të bëj!

Përshëndetje Pamela. Ju kuptoj shumë mirë. Ankthi apo vështirësitë e humorit që shpesh shoqërojnë njëra-tjetrën, janë të vështira për t’u menaxhuar vetëm, nëse nuk kërkoni ndihmë profesionale. Është e rëndësishme që të njiheni me ankthin tuaj më nga afër. Të kuptoni shkaqet dhe mbi të gjitha të njiheni me ato mekanizma force që ju keni brenda vetes për t’i përdorur sa më mirë në orientimin e menaxhimit të frikërave. Frika nga vdekja është një ndjenjë që shoqëron të gjithë njerëzit. Por rritja e intensitetit të saj në mendime dhe përjetimi i simptomave fizike të ankthit ndaj fenomenit, krijon lëndim.

Askush nga ne nuk e ka të lehtë të përjetojë këto simptoma fizike të cilët shoqërohen me mendime, zakonisht irracionale dhe vicioze. Për të kuptuar më shumë rreth tyre dhe jetës suaj dhe për t’u orientuar më mirë me ankthin dhe humorin tuaj, do të duhet të ndjekësh një trajtim profesional pranë një psikologu klinik. Mendoj se do t’ju vijë shumë në ndihmë dhe lehtësimi do të sjellë një kualitet më të mirë në jetën tuaj. Një gjë është e sigurtë, që nga ankthi nuk ka asnjë mundësi që të vdisni, sepse simptomat fizike janë thjesht elementë të rëndësishëm që trupi të reagojë natyrshëm kur perceptohet një situatë frike.

Pra trupi bëhet gati që të “luftojë” ose të “iki.” Kur nuk ke asnjë “luftë” reale dhe asnjë gjë për të ikur me vrap, atëherë trupi që të tashmë është i mobilizuar, me muskujt e mbushur me gjak, me frymëmarrjen e shpejtë për të marrë sa më shumë oksigjen për të furnizuar mushkëritë, atëherë e gjithë kjo lexohet nga mendja si një reagim fizik i papërshtatshëm dhe se mbase mund të vdisni pasi zemra po rreh shumë shpejt. Zemra thjesht kërkon të pompojë më shumë gjak për të përgatitur trupin i cili ka marrë mesazh nga truri se ka një situatë frike, por në asnjë rast ajo nuk rreh që të pushojë. Pra, ju vazhdoni të jeni të shëndetshëm, dhe mesazhi që i keni dhënë trupit është sinjal i rremë, ose ndryshe irracional.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 168

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top