Posta

October 17, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / A është pagjumësia shkak për depresion?

Përshëndetje e nderuar psikologe Denata. Prej disa kohësh vuaj nga pagjumësia. Jeta ime është e kufizuar nga puna, rritja e fëmijëve dhe ndihmesa që u jap prindërve të moshuar. Nuk dua të ndikohem nga të tjerë, por më thonë se pagjumësia është shkak i depresionit. A jam unë në këto kushte dhe si mund ta kaloj këtë?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. Duhet ta pranoj që, gruaja shqiptare është punëtore, e angazhuar full time dhe përtej me të, çdo lloj angazhimi që kontribuon si te vetja ashtu edhe në familjen e saj. Këtë pjesën “te vetja” do të duhet ta shikoni më me kujdes. Ju merreni me shumë gjëra njëkohësisht. Së pari, do të duhet të filloni të mendoni se si të delegoni disa prej angazhimeve edhe te familjarët e tjerë. Mos merrni gjithçka përsipër.

Qoftë edhe personat e moshuar mund të kontribuojnë në disa detyra që nuk kërkojnë shumë mund dhe përpjekje. Kur angazhimet shtohen, ndryshon edhe shpërndarja e detyrave për secilin prej familjarëve. Ju duket se mbani shumë detyra përsipër dhe si rrjedhojë, shumë përgjegjësi. Së dyti, që është edhe më e rëndësishmja, pagjumësia mund të jetë një prej simptomave të çrregullimeve të humorit, por jo domosdoshmërisht pagjumësia lidhet me depresionin. Këtë të fundit, do të duhet ta shikoni më me kujdes, në takimet që mund të zhvilloni me një profesionist klinik. Aty do të kuptoni më mirë se si është situata juaj psiko-emocionale.

Ndonjëherë stresorët e jetës së përditshme, shumë prej tyre që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, dilemat, preokupimet etj, mund të çojnë në pagjumësi, dhe në të ardhmen, nëse këto persistojnë, mund të çojnë në vështirësi edhe më komplekse, por kjo nuk do të thotë që ju jeni në depresion. Për të marrë një përgjigje më të qartë do të duhet të kontaktoni me një psikolog klinik, pasi së bashku jemi vetëm në kuadrin e këshillimit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top