FB

November 24, 2021 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Fëmijët vuajnë mungesën e gjyshit

Përshëndetje. Kam nevojë për këshillën e psikologes. Para pak kohësh u largua nga jeta babai. Përveç vuajtjes dhe trishtimit nga humbja e tij, tani kemi një problem tjetër në familje. Fëmijët e mia po e vuajnë shumë largimin e tij. Ata kanë qenë shumë të lidhur me gjyshin dhe e kërkojnë atë çdo ditë. Jemi munduar t’u shpjegojmë se gjyshi nuk jeton më me ne, por është në zemrat tona, por ata e kanë të vështirë ta pranojnë. Si mund t’ua shpjegoj fëmijëve të vegjël vdekjen e gjyshit? Ju falënderoj paraprakisht.

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Nuk e di moshën e fëmijëve tuaj, që të mund t’ju orientoj se si t’ia shpjegoni, por po jap disa këshilla të përgjithshme:

Së pari, mbani në mendje që fëmijës do të duhet t’i thuhet gjithmonë e vërteta. Nuk është e udhës të mbash fëmijët në padije për një ngjarje e cila ndikon te fëmijët edhe pa folur ne të rriturit. Veprimet tona, reagimet dhe shqetësimet depërtojnë te fëmijët edhe sikur ne të mos themi asnjë gjë, por duke mos thënë asnjë gjë nuk bëjmë gjë tjetër veçse ndjellim ankth te fëmijët.

Së dyti, nuk është ajo që i themi fëmijëve që do ta shqetësonte, por mënyra se si ia themi. Nëse fëmija është nën moshën 10 vjeç, e ka shumë të vështirë ta mendojë vdekjen si një proces përfundimtar të njeriut. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm rreth sëmundjeve dhe vdekjeve kur fillojnë të dëgjojnë për to. Meraku më i madh i tyre është që prindërit të mos afektohen, kur janë të vegjël ata mendojnë se vdekja vjen, por njerëzit bëhen prapë bebe. Më vonë fëmija mësoi konceptin mbi vdekjen. Ne do të duhet t’i themi fëmijës se gjyshi nuk mund të jetë më mes nesh pasi ai ka vdekur. Vdekja është një proces që nuk e kthen më njeriun mes nesh, por ai bën një jetë tjetër që ne nuk e njohim si njerëz. Nëse jeni besimtarë flisni për Zotin dhe se si gjyshi është pranë me engjëjt dhe na shikon dhe nëse ne jemi mirë apo jo dhe kujdeset për ne nga andej. Kur fëmijët janë më të vegjël, një mënyrë e mirë është që t’i shkruani një letër nga gjyshi i cili i thotë se jam mirë dhe çdo gjë do të shkojë mirë edhe pse nuk jam pranë jush. Unë jam në një vend shumë të mirë dhe do të kujdesem gjithmonë për ju. Sa herë t’ju marrë malli, lexoni letrën time, ose më mirë do të ishte t’i jepnit një objekt të cilin gjyshi e ndante gjithmonë me nipërit dhe mbesat që ta ruajnë atë.

Së treti dhe e fundit, fëmijët do të ndjehen keq që gjyshi nuk është me ata, sido që t’ia thoni ju, ndaj përgatituni që të ketë edhe lot, edhe zemërim apo shqetësim. Ju do të duhet të jeni thjesht pranë tyre dhe t’i tregoni se e kuptoni shumë mirë se si ndjeheni. Ata kanë humbur gjyshin, ndërsa ju mund të ndani përvojën e humbjes së babait tuaj.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top