Posta

July 23, 2018 | 12:26

POSTA nga Denata Toçe / Im bir është i turpshëm… Kini besim, jepini dhe fëmijës suaj besim…

Përshëndetje, e nderuar psikologe. Jam nënë e një djali 11-vjeçar. Në përgjithësi është fëmijë i mbarë dhe nuk më ka sjellë asnjëherë shqetësime me sjelljen. Por vërej se im bir është shumë i turpshëm. Për këtë arsye ai e ka të vështirë të afrohet te fëmijët, si me shokët e klasës, ashtu dhe me fëmijët e tjerë, bashkëmoshatar me të. Ende nuk kam arritur të kuptoj se nga buron kjo drojë e tij. Si mund ta ndihmoj të shprehet?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje prind i dashur. Këto janë pyetje që i kam shumë për zemër, për disa arsye që i japin shpjegim kësaj letre:

E para, do të duhet të mësoni që sot e tutje se djali juaj nuk ka për të ndryshuar, pasi një fëmijë vë në sjelljen e tij pikë së pari temperamentin, pra ka shumë mundësi që fëmija juaj të jetë i tërhequr pasi është temperament introvert. Por ka dhe mundësi që sjellja e tij të jetë përforcuar me kalimin e viteve, si pasojë e vështirësive që ka hasur. Droja e një fëmije shkakton ankth, frustrim dhe shqetësim. Nëse fëmija i largohet situatave që e shkaktojnë këtë stres, atëherë “shpëton” nga ky lëndim edhe nën koston që të mos ketë shumë shokë. 

Kështu fëmija shpëton ose lirohet nga “dhimbja”. Por, nuk shpëton nga komentet e të tjerëve mbi këtë sjellje. Kështu ndodh që sa herë fëmija të sillet i ndrojtur, do jetë prindi apo ndonjë i afërt që e ndëshkon ose shton dhimbjen duke bërë komente të natyrës: “He morë, ç’ke, pse nuk flet!? Po foli shokut! Do t’i flasësh shoqes së mamit? Shumë gabim që u fshehe mbrapa meje ose poshtë tavolinës pa i thënë mirëmbrëma miqve”. 

Këto fjalë janë lehtësisht te identifikueshme, pasi po të mos ishte kështu ju nuk do pohonit me kokë ndërsa e lexoni dhe nuk do mendonit se sa herë ka ndodhur me fëmijën tuaj.

Së dyti, prindërit i atribuojnë mossukses tipave si djalin tuaj, dhe druhen se ai nuk do të qullosë gjë në jetë. Këtë merak ju vet e demonstruat me këtë letër. Por unë sot po ju them se, krijimi i një barriere për t’u ndjerë inferior, i ndryshëm, që nuk përputhet me atë që “duhet” etj., jemi vet ne adultët. Ne u tregojmë fëmijëve se çfarë “vlen” dhe çfarë “nuk vlen”. 

Ne duam fëmijën që duam dhe e perceptojmë me disa karakteristika sikurse në formëzon shoqëria. Por duhet të them me zë të lartë se, fëmija juaj nuk ka asnjë gjë që nuk shkon. Ai thjesht është i ndrojtur, dhe nuk e ka të lehtë të ndërtoj marrëdhënie, por jo se nuk i do ato. Ju si prind, keni për detyrë që t’i tregoni se sa e vështirë duhet të jetë për atë, fëmijën. Që ky i fundit të marrë kohën që i nevojitet për të zënë miqësi dhe të mos nxitojë procesin dhe mbi të gjitha të kujtohet se dëmi që shkaktojmë ne si prindër, duke i drejtuar se si “duhet” të veprojnë, është më serioz se çdo veprim ose mosveprim i fëmijës. 

Kini besim, jepini dhe fëmijës suaj besim. Do befasoheni një ditë nga aftësitë që mund të arrijë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top