FB

March 25, 2021 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Karantina po e përpin të fejuarin

Përshëndetje psikologe e nderuar. Ajo që më shqetëson është gjendja e të fejuarit tim. Që prej izolimit ka nisur të shfaqë shenja ankthi. Unë nuk e ndihmoj dot, sepse jetoj jashtë. Bisedoj dhe më thotë se rri gjatë të gjithë kohës shtrirë. I duket sikur e përpin vendi. Këto shenja për mua janë të rrezikshme. Unë vetë punoj në mjekësi, por nuk e ndihmoj dot se jam larg.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Situata e izolimit nuk ka qenë e lehtë për askënd. Për ata të cilët janë më të ndjeshëm dhe më të prekshëm psikologjikisht, kjo situatë e ka shtuar përjetimin emocional në dimensione të cilat kanë prekur shëndetin mendor. Është e zakonshme të ndjehesh në ankth gjatë një situatë pandemie, ku shumë prej njerëzve luftojnë me virusin dhe shumë prej tyre humbasin edhe jetën.

Gjithashtu është e vështirë të ambientohesh me situatën e mungesës së aktivitetit fizik, por edhe tkurrjes ekonomike, duke prekur edhe xhepat personalë. Kjo i ka vënë shumë individë në situatë ankthi dhe depresioni. Në rastin tuaj, ju jeni edhe larg njëri-tjetrit. Besoj se për atë nuk është e lehtë ta përballojë i vetëm, fizikisht flas, dhe më pas psikologjikisht. Unë mendoj se një kontakt me një profesionist të fushës do të ishte e udhës për t’u orientuar më mirë rreth gjendjes në fjalë.

Nuk do të ndërmerrja asnjë risk dhe të mendoja se është thjesht një gjendje që do të kalojë. Është më mirë që të konsultohet dhe të kuptojë nëse ka nevojë për mbështetje gjatë kësaj periudhe.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top