FB

July 7, 2021 | 8:35

Posta nga Denata Toçe / Më lëndon tradhtia!

Përshëndetje. Pas 5 vitesh lidhje, në një moment kuptoj se partneri më tradhton, pikërisht kur ishim shumë afër finalizimit të lidhjes sonë. Ishte dashuria ime e parë. E filluam lidhjen pa ndonjë vizion të madh, por përfunduam shumë të dashuruar. Më kishte prezantuar me familjen dhe bashkëjetonim. Fatkeqësisht, viti që shkoi më përfshiu në ngjarje që ndikuan shumë tek unë, qoftë te shëndeti, familja, por edhe te shkolla. Mendova se e kisha në krah, por jo. Ia dola të ngrihem dhe në momentin që gjërat po shkonin në vend, zbuloj tradhtinë. Kaluan dy muaj të tmerrshëm.

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Pas kërkesave të vazhdueshme nga familjet tona që ne të kishim një komunikim “të fundit” dolëm! Më kërkoi falje për mënyrën se si e përfundoi lidhjen, por nuk ishte penduar për ndarjen. Mendoi që ishte vendimi i duhur. Më tha kam një vit që nuk po ndihem njësoj. Një ditë para ndarjes, ndjej t’i them “më duket që po eci vetëm në këtë lidhje”. Më tha, “të dy kemi pasur angazhimet tona, por të premtoj që do jem me ty deri në frymën e fundit”. Tani më thotë që kam kuptuar se nuk duhej të bëja premtime. Pra, partneri që ndava vitet e mia, më hodhi poshtë si leckë. Më duket se po kaloj në depresion. Kam provuar të shkoj në psikologë, por të bombardojnë me ilaçe gjumi dhe më duket se po më bëjnë më keq. Ju lutem, më ndihmoni si të marr veten, më duket që po vetë-shkatërrohem.

Vendosja e besimit te partneri juaj është e rëndësishme për marrëdhënien e shëndetshme, dhe kur ky besim thyhet, është traumë për partnerët. Por në çdo marrëdhënie, do të duhet të orientohemi të kuptojmë me objektivitet prioritet dhe nevojat tona. Në këtë rast, në marrëdhënien që ju kishit, do të duhet të shikoni se çfarë keni pasur dhe çfarë keni humbur. E kuptoj që humbja është një ndjenjë e fortë dëshpërimi dhe ju duket sikur keni dështuar ju, por në këtë rast, duhet të shikoni me objektivitet se dështimi nuk ka ardhur vetëm prej jush, por edhe prej partnerit tjetër. Them kështu, se problemet në partneritet ndodhin si pasojë e vullnetit të të dy palëve.

Ju do të duhet të shikoni nga pranë se cilat kanë qenë veprimet dhe hapat tuaj në këtë marrëdhënie që mund të kenë sjellë vështirësi, por KUJDES! Mos penalizoni dhe viktimizoni veten tuaj, pasi procesi nuk është i shëndetshëm dhe mbi të gjitha realist. Ju mund të keni pasur vështirësi, pasi ndodh që në partneritet ne të njohim shumë aspekte të vetes sonë që nuk i njohim ndaj dhe marrëdhëniet janë përvojë e çmuar. Merreni si të tillë dhe strukturoni shëndetshëm veten tuaj për të përballuar të ardhmen. Mbi të gjitha, mos harroni të përballoni vetveten.

Mos harroni asnjëherë se çdo gjë tjetër është e parëndësishme dhe e pavlerë nëse nuk vlerësoni veten tuaj. Ju jeni e rëndësishme dhe vlen të merreni me rigorozitet me të. Vizitoni një psikolog këshillimi për marrëdhëniet. Ju deri tani jeni takuar me psikiatër pasi ata rekomandojnë ilaçe dhe pa gjykuar, ndoshta keni pasur nevojë, por terapia e fjalës është ajo që do të lehtësonte orientimin tuaj tej “shërimit” të lëndimeve emocionale.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top