FB

July 8, 2021 | 8:20

Posta nga Denata Toçe / Ndihem e përjashtuar!

Unë me bashkëshortin kemi 3 vite bashkë. Ai jeton prej disa vitesh në Itali bashkë me familjen. Herën e parë që shkova tek ai më pritën mirë. U largova e kënaqur. Ka qenë më parë i martuar për disa vjet. Jetonte veçmas nga familja. Herët e tjera që shkova nuk e di pse u ftohën gjërat. Kisha frika të bëja një shaka, siç isha mësuar me familjen time, sepse reagonin sikur i kisha ofenduar. U mërzita shumë, e vuaja me veten. Vjehrra më thoshte ‘kjo është shtëpia ime, nuk mund të bësh çfarë të duash ti dhe se djali jonë do jetojë me ne’.

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Edhe me kunatën kemi marrëdhënie të ftohtë, edhe pse jemi moshatare. Unë jetoj në familjen e tij prej një viti. Të gjithë janë në punë, përveç meje. Një ditë në shtëpinë e tyre të re, që e blenë me djalin, dëgjova vjehrrën dhe kunatën duke më sharë. M’u prenë këmbët. Nuk pata guxim të hyja në dhomë dhe t’u kërkoja llogari, por u largova. Me bashkëshortin kam marrëdhënie të mirë, por herë pas here kur kemi mosmarrëveshje me njëri-tjetrin ndodh për shkak të këtyre konflikteve brenda familjes. Nuk e kam aspak mbështetjen e tij. Më thotë se vetëm ankohem. E kam të pamundur komunikimin me qetësi, sepse acarohet.

Përpara se të hynin në shtëpinë e re, unë me bashkëshortin shkuam dhe zgjodhëm disa mobilie. I kërkova që të vinte me ne edhe familja e tij, po s’ka rëndësi më tha. Erdha në Shqipëri pas disa ditësh dhe ai së bashku me vjehrrën dhe kunatën, i ndërruan të gjitha pa dijeninë time. Kur e mora vesh më erdhi shumë keq. Mendova se kisha të drejtë të bëja edhe unë zgjedhjen time, por mesa duket jo. Marrëdhënia me familjen e tij është e ftohtë, nuk kemi aspak komunikim. E kam shumë të vështirë që të ndërroj qoftë edhe një orendi në shtëpi, sepse vjehrra do e vendosë prapë ashtu siç e ka pasur. Dhe për rregullimin e shtëpisë së re, nuk më pyesnin nëse më pëlqen të bëj diçka edhe unë, ndihesha e përjashtuar. Ndihem e tepërt nganjëherë në familjen e tij, pasi bashkëshorti nuk më mbështet dhe kjo më lëndon akoma më shumë.

Në ligjëratën fetare ka një deklaratë interesante kur dy persona vendosin të celebrohen me njëri-tjetrit: partnerët do të duhet të lënë nënën dhe babain dhe të krijojnë familjen e tyre. Siç duket, edhe feja e ka parashikuar që ndarja nga familja biologjike është e domosdoshme për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme në partneritetin e ri mes çiftit. Familja biologjike është shumë e rëndësishme, por marrëdhënia e re, e një familjeje të re, ka dinamika të tjera mes familjarëve dhe kësisoj këto dinamika kanë qëndrime të reja. Është e ditur që këto dinamika bien ndesh me dinamikat e vjetra të familjes biologjike, duke sjell shpesh mosmarrëveshje mes tyre. Në këtë rast është e udhës që ju të mund të jetoni me njëri-tjetrin veçmas, dhe të ndërtoni të tashmen dhe të ardhmen tuaj.

Duke thënë këtë, ju ftoj të reflektoni personalisht se kush janë prioritet tuaja. Çfarë meritoni ju të keni në marrëdhënien tuaj me një partner. A është kjo marrëdhënia që ju doni për veten tuaj? Bëni pyetjet e duhura pasi nuk është e zakonshme që në marrëdhënie ku supozohet që ju të ndjeni dashurinë, të ndjeheni keq emocionalisht edhe psikologjikisht.

Nëse e shikoni të arsyeshme, ftoni partnerin tuaj për komunikim, dhe është e udhës që të mos filloni diskutimin duket drejtuar gishtin sa te vjehrra dhe sa te kunata, por duke iu referuar se si jeni ndjerë ju gjatë kësaj periudhe. Mos u mundoni të kapeni pas ngjarjeve të ndodhura, por pas situatës në tërësi, gjendjes emocionale dhe në përfundim fokusohuni tek e ardhmja, çfarë do të donit që të ndodhë mes jush. Nëse pritshmëritë tuaja nuk arrijnë të realizohen, atëherë ju meritoni lumturinë dhe mirëqenien tuaj dhe kësisoj do të dini se çfarë të bëni në kohën e duhur.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top