Posta

January 10, 2020 | 8:10

POSTA nga Denata Toçe / Ndihem keq në ambiente me shumë njerëz

Pak ditë më parë, shefi ynë kishte ditëlindjen. Me atë rast kishte organizuar një koktejl ku edhe ne të zyrës ishim të ftuar. Ishte këndshëm në të vërtetë, por unë, në vend që ta shijoja, ndihesha në siklet. Ishte shumë e qartë që askush s’e kishte mendjen tek unë, ama kisha ndjesinë se kisha mbi vete vështrimet e të gjithëve. Në fakt, kështu më ndodh gjithnjë në festa. Gjithashtu provoj ankth dhe skuqem, sa herë që dikush më drejtohet me një pyetje çfarëdo. Çfarë ndodh kështu me mua? Si të shpëtoj nga një gjendje e tillë e sikletshme?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Shumë e dashur Ermira. Duhet ta kesh vërtet të vështirë të përballesh me situatë të kësaj natyre. Shpesh privohesh të gëzosh momente të jetës sociale aq shumë të dëshiruara. Nëse arrin të funksionosh normalisht në jetën e përditshme, pra nëse këto situata sociale nuk janë bërë pengesë serioze e rutinës së përditshme, në profesion, jetën sociale, atëherë kemi të bëjmë vetëm me disa episode të ankthit social ose ndryshe njihet me emrin fobi sociale. Në rast se individi vuan nga ankthi social, frika e tij me e madhe është se mos turpërohet apo poshtërohet nga sjellja e tij, nga ankthi dhe stresi që individi përjeton duke menduar se janë fare të dukshme tek të tjerët. Në rast se këto simptoma pengojnë jetën tuaj të përditshme e dashur Ermirë, atëherë është e këshillueshme që t’i nënshtroheni një mbështetje profesionale për të kuptuar më mirë dhe menaxhuar më mirë situatën. Kjo do t’ju ndihmojë shumë të përballoni frikërat tuaja dhe kështu të bashkëveproni lirshëm në situatat sociale.

Në rast se situata është e përmasave më të vogla, atëherë ju këshilloj të përpiqeni të njihni mendimet tuaja irracionale. Të jesh e qartë: askush nuk mund ta dijë se çfarë mendojnë të tjerët për ne, ashtu sikurse edhe ti. Sigurisht, do ketë gjithnjë njerëz rreth nesh që do të na duan, që nuk do të na duan ose që nuk mendojnë asnjë gjë rreth nesh. Do të duhet që ta zbulosh nëpërmjet komunikimit me ta.

Shpesh ne kemi mendime automatike ndaj këtyre situatave. Ndodh që të “lexojmë mendjen” e të tjerëve se ata mendojnë kështu e ashtu. Ekspozimi ndaj situatave sociale ankth-provokuese gradualisht, do t’ju ndihmojë të ambientoheni me këto situata. Mbi të gjitha do të kuptoni që mendimet, përqasjet e njerëzve rreth nesh, do të na i përmbysin parashikimet tona që i atashohen mendimeve tona irracionale mbi situatën p.sh: “ishte e qartë që askush nuk e kishte mendjen tek unë”. Duke kuptuar dhe punuar me mendimet tuaja vetëm ashtu mund të shpëtoni nga këto situata të sikletshme.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top