Posta

December 17, 2020 | 8:40

Posta nga Denata Toçe / Nuk e dua më bashkëshortin!

Përshëndetje. Po ju rishkruaj për problemet e mia me bashkëshortin. Herë pas here kemi përplasje. I ngrihen nervat edhe kur i thua shëndet. Ju betohem që unë jam natyrë shumë e qetë. Edhe kur situata është e nxehtë, unë nuk flas fare, gjersa ai qetësohet dhe pastaj me qetësi arsyetoj. Ai kërkon falje. Por e keni parasysh muajin e mjaltit pas pajtese, ashtu ndodh çdo herë. Problemi im tani nuk është burri, sepse si i thonë, u regja me të. Problemi tani jam unë. Jam tërhequr tani, pasi ai debaton në monolog, unë veçse nuk ndihem, nuk kam më dëshirë as të diskutoj me të. Bëj rolin e gruas nikoqire. Humbas mendjen me gjithçka që më bën mirë psikologjikisht, por theksoj, nuk dal nga shtëpia. Sillem e dashur, por realisht mendoj se nuk e dashuroj më bashkëshortin tim. Kur vjen puna tek seksi nuk jam më e gatshme. Ndërsa ai nuk mundohet të bëjë asgjë.

Madje kam harruar ç’do të thotë puthje gjersa të më mpihen buzët. Ndihmomë të lutem, jam në një humnerë të tmerrshme e nuk mund të flas me askënd. Herën e fundit që diskutova me mikeshat e mia, më sugjeruan të ndahesha. Ato mbajnë anën time dhe ky nuk është arsyetim i drejtë. Ndaj ju shkrova…

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Unë mendoj se shumë prej nesh, në marrëdhënie të gjata martesore ose jo, humbasim njohjen e njëri-tjetrit. Humbasim rrugës arsyet e vërteta të jetës së bashku. Madje, pësojmë ndryshime shumë të mëdha, të cilat gati nuk i shikojmë te njëri-tjetri. Na duken si të zakonshme. Nëse nuk do të ishim me partnerin, një ngritje në detyrë do të na dukej një arritje e madhe. Ardhja e një fëmije, do të na dukej vetë jeta. Zgjidhja e një problemi, si një inteligjencë e veçantë. Për të vendosur njëritjetrin më në kontakt me nevojat dhe shqetësimet, dilemat dhe sfidat e marrëdhënies suaj, ju sugjeroj që fillimisht të zgjidhni rrugën që dëshironi të bëni, jo atë që skemat sociale ju shtyjnë të bëni.

Ndonjëherë skemat duken shumë të thjeshta, si p.sh të ndahesh. Nga një anë, duken shumë të komplikuara, kur i thua vetes se kështu duhet, të qëndrosh me burrin tënd, edhe pse ai nuk të do dhe ti nuk e do se kështu është më mirë, sidomos për fëmijët, etj. Të gjitha këto duket sikur i plotësojnë më së miri skemat, por jo domosdoshmërisht nevojat tuaja. Ju keni nevojë të komunikoni drejt me bashkëshortin. Mos u nisni të bëni akuza dhe ta nisni në vetën e dytë. Niseni dhe vazhdojeni bisedën në vetën e parë.

Tregojini se si ndjeheni. Tregojini që ka kohë që jeni duke përjetuar trishtim në debatet tuaja. Tregojini se ndjeheni keq sa herë që humbet dëshirën për të diskutuar dhe kur humbet dëshirën për të kaluar kohë intime me të. Mbi të gjitha, ftojeni që të kaloni kohë bashkë. Caktoni ditën tuaj për të bërë një aktivitet jashtë shtëpisë. Bëni një gjë të përbashkët. Krijoni një rutinë për një kafe të ditës. Një sugjerim shumë i mirë është edhe takimi me një profesionist për të bërë konsulta në çift.

Kam besimin se do t’ju vijë në ndihmë dhe do të keni nevojë të njihni më shumë njëri-tjetrin, sa keni ndryshuar dhe ku doni të shkoni. Ka kohë të ndërmerrni hapa të tjerë nëse do të jetë e nevojshme, si ajo e ndarjes. Për fillimisht, do të duhet të përpiqeni të kuptoni më shumë, që ngjarjet pasuese të jenë vendime të ndërmarra në qetësi dhe paqe.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top