FB

February 23, 2022 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Vajza ime është e turpshme…

Përshëndetje e nderuar psikologe! Jam nëna e një vajze, e cila është shumë e turpshme, madje dhe kur diskuton me shokët dhe shoqet e klasës ka ndrojtje. Nuk di se si ta ndihmoj, çfarë më sugjeroni që t’i rris vetëbesimin? Më jepni një mendim ju lutem!

 

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

 

Temperamenti ynë është pjesërisht i lindur dhe disa karakteristika të tij formohen me ndihmën e modeleve familjarë. Temperamenti, si pjesë e personalitetit, kërkon një kujdes të veçantë për të bërë dallimin e asaj që MUND të ndryshojë dhe asaj që NUK mund të ndryshojë. Nëse fëmija juaj është i ndrojtur, vetëm fakti që kjo konsiderohet si diçka e pazakontë në shoqëri por edhe nga vetë ju prindërit, formon një besim te fëmija se ajo ka një antikap i cili do të duhet të “rregullohet.”

E kush prej nesh mund të vendosë se çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është në qenësinë tonë? Nëse dikush ka lindur me një temperament më të gjallë, pra me një natyrë me ekspresive, ne nuk themi si ka mundësi që ky fëmijë është kështu, duhet të ishte më i ndrojtur. Ne themi: “sa mirë, ja ka lezet, fëmijë i shkathët!” Pra, ne jemi ata që përcaktojmë se çfarë është mirë dhe çfarë është keq dhe i imponojmë fëmijëve ndryshimin, atë që të mos jetë e pazakontë në mënyrën tonë, në skemat tona.

Edhe në shkollë, mësuesit preferojnë fëmijët që janë brisk nga goja, dhe harrojnë esencialen, thelbin e mësimdhënies: të gjithë fëmijët janë unikë. Pra, mësuesi do të duhet të përshtatet dhe të trajtojë secilin fëmijë sipas aftësive, temperamentit dhe personalitetit të tij. Nëse një fëmijë është shumë i ndrojtur, do të duhet të mos e lavdërojë shumë në publik dhe të mos e ekspozojë përpara klasës, sidomos për ndonjë vërejtje që mund të ketë. Prindërit gjithashtu sikurse edhe mësuesi nuk do të duhet në asnjë rast të mund të vërë në dukje se ai apo ajo është e ndrojtur si p.sh të thotë: “hë mi/mo, çfarë ke, pse skuqesh, ne jemi. Nga ne ke turp ti? Hajde se nuk ka lezet. Je gjithë ky/kjo djalë/vajzë tani!”

Këto deklarata që duhet sikur prindi vë koshiencën e tij në vend, janë ndërkohë shumë poshtëruese për fëmijën. Kështu ne i kemi ndërtuar besimin fëmijës se ai është në faj që është i turpshëm. A do më pyesni ende se çfarë duhet të bëni që të rrisni vlerësimin e fëmijës? Mendoj se mbas kësaj është shumë e thjeshtë: pranoni fëmijën tuaj sikurse ai është dhe tregojini çdo ditë se si ta admirojë veten për atë që është.

Se si të gjejë format e tij/saj më të përshtatshme që ta bëjë të ndjehet mirë. Vetëm kështu, fëmija do të jetë i/e lirë të ndërmarrë veprime të pavarura për të ndryshuar ose jo diçka në jetën e tij. Dhe, nëse vendimi është që nuk do të ndryshojë asnjë gjë prej gjëje, kënaquni dhe ju me këtë vendim dhe besoni mbi të gjitha se fëmija juaj është i mrekullueshëm ashtu siç ai është.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top