FB

May 18, 2022 | 9:03

Posta nga Denata Toçe / Vuaj nga negativiteti i nënës sime

 

Lexova një artikullin tuaj ku flisni për nënat negative. Këtë gjë po e vuaj dhe unë nga nëna ime. Ajo ka vuajtur shumë në jetë dhe ne, fëmijët e saj, gjithmonë i jemi bindur vetëm mos t’i kundërvihemi asaj, pasi babi na ka vdekur që kur ishim shumë të vegjël. Unë kam 8 vjet që jam larguar nga ajo, d.m.th jam martuar dhe jam bërë nënë edhe vetë. Por, shoh se si ajo po mban vëllezërit e mi. Nën një presion psikologjik të tmerrshëm, ku arriti deri në atë pikë sa e ndau vëllain nga e fejuara. Ajo nuk dëgjonte asnjë njeri.

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

Denata Toçe, Psikologe Këshillimi

U bë e paarsyetueshme. U zu me të gjithë. Nuk e di por unë vuajta shumë dhe po e vuaj akoma. Aq shumë sa ajo më dilte në ëndërr dhe vazhdon më del akoma si një njeri i keq, që do të më bëjë keq aq shumë sa do të marr frymën. Jam e tmerruar. Për këtë gjë mundohem të mos flas me të, të mos e telefonoj sepse sa dëgjoj për të bëhem keq. Më kap si ankth, më mbahet fryma dhe zemra më rreh shpejt. Ajo ka qenë kështu që herët, një njeri me vetëvlerësim të ulët në krahasim me të tjerët. Gjithmonë xhelozon të tjerët, shumë. Shikon gjithmonë anët negative të të gjithëve, një njeri që nuk është kurrë e kënaqur as për ne, fëmijët e saj. Unë dhe vëllai i madh ia kemi vënë në dukje, i kemi folur aq sa jemi grindur, jemi zënë me të, por ajo nuk ndryshon, përkundrazi, bëhet më keq. Vëllezërit e tjerë janë plotësisht nën urdhrat e saj dhe nuk guxojnë të ngrenë zërin. U kemi folur dhe atyre po është e pamundur. Ajo i ka hipnotizuar dhe ata kundra nesh. Ata bëjnë një jetë të ndrydhur, të mbyllur. Dhe më vjen shumë keq për këtë situatë.

Përshëndetje. Një nënë e cila ka këtë ndikim ndaj jush dhe krijon kontroll në familje, mund të ketë vështirësitë e saj, me të cilat nuk është përballur asnjëherë. Si pasojë, është e vështirë për atë të kuptojë se ku mund të ketë gabuar dhe se ku vazhdon të gabojë. Por ju nga ana tjetër, do të duhet të përballeni me realitetin e familjes suaj të mëparshme, të merrni disa vendime, duke vendosur prioritetet me familjen tuaj aktuale. Fakti që ajo është nëna juaj, nuk do të thotë që ka të drejtë të shkelë privatësinë, të cenojë vendimet dhe veprimet tuaja me familjet respektive. Kjo shpesh herë nuk arrihet me fjalë, por me vepra. Ndërmerrni disa rregulla në raport me nënën tuaj. Rregullat do të duhet të jenë me përmbajtje respekti ndaj vetes dhe vëllezërve të tu. Do të duhet të përshkruajnë se si ndjeheni ju dhe se si do të donit të shkonte marrëdhënia midis jush.

Nëse ajo nuk arrin do ta respektojë këtë kërkesë apo këto rregulla, atëherë nuk ka vend dhe urë kalimi për të krijuar një marrëdhënie të përditshme, e cila pengon seriozisht jetën tuaj me familjen tuaj aktuale. Për të qenë më konkrete një nga rregullat apo diskutimet mund të jetë:

-Do e vlerësoja shumë që të vish në familjen time për vizitë, por nuk mund të shash vëllezërit apo gratë, të dashurat e tyre në asnjë rast. Vizita jote do të fokusohet tek interesimi i nipërve dhe mbesave dhe te mirëqenia jonë, por në asnjë rast tek thashethemet mbi njerëzit që i dua. Dhe nuk mund të marrësh vendime mbi mua apo familjen time. Këto janë çështje tonat tashmë, me gjithë dashurinë dhe respektin që kam për nënën time. Nëse nuk arrin ta mbash këtë premtim, do të duhet që vizitat të jenë gjithmonë e më të rralla pasi kjo situatë po ndikon në gjendjen time emocionale dhe psikologjike.

Të njëjtin diskutim do të duhet të bësh edhe me vëllezërit apo motrat tuaja. Është shumë e rëndësishme që ju të ndërmerrni një konsultë me profesionist, për të menaxhuar drejt mendimet dhe veprimet tuaja rreth kësaj situate, e cila mbart stresorë që kanë ndikuar në emocionet tuaja. Uroj që situata të shkojë e paqtë dhe mbi të gjitha kujdesuni për veten tuaj!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top