Editorial

April 4, 2018 | 13:10

Pushime të vogla, por të përsëritura

Pesëvjeçarin e fundit më ka ndodhur të jem tejet e tërhequr nga pushimet e gjata. Kjo ngase faktori punë më ka lidhur pasionalisht fort, e më ka bërë të sakrifikoj ditët e lejes vjetore. E kam marrë me seriozitet angazhimin, ca nga sedra profesionale, e ca ka ndërgjegjja se, puna duhet bërë. Në fakt, ky është një ritëm që ia pëlqej vetes, edhe pse i hyj ca në hak familjes e detyrimeve, jashtë kufirit të punës.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Por, si çdo e mirë e ka një të keqe, ndodh dhe e kundërta ta ndjekë pas tjetrën, ndryshe vetë jeta nuk do të kishte kuptim pa vazhdimësinë që përçojnë si njëra dhe tjetra. Për t’iu rikthyer ritmit të përditshmërisë, antenat punojnë vazhdimisht. Të duash punën dhe qetësinë njëherësh, tek unë vijnë si dy ndjesi që shkojnë tejet mirë me njëra-tjetrën. Më pëlqen ta sfidoj si njërën dhe tjetrën, të rend pas tyre e të krijoj një raport ndoshta dhe konfliktual, nuk e di, por më ngacmon gjithmonë për mirë.

Kur jam me pushime, prirem të mos lë hapësirë pa kontrolluar punën, gjithçka duhet përditësuar, ndjekur në koherencë të zhvillimeve, ngjarjeve, tematikave që lexuesi i revistës si në print ashtu dhe në ueb e rrjetet sociale kërkon. E dua punën që bëj, e kjo më jep shansin ta jetoj bashkë me pushimet e vogla që zgjedh si alternativa të ndërmjetme. Pushimi është vërtet një kohë e vyer për të rimarrë veten. Një nevojë që sipas mjekëve të shëndetit mendor, kërkon një shkëputje totale çdo një orë përgjatë aktiviteteve në përditshmëri. Si të thuash, nevojë për pushime të shkurtra, por të shpeshta, të cilat të bëjnë më të efektshëm në organizimin ditor e jo vetëm.

Pushime të vogla quaj edhe ato përtej tryezës së punës, shkëmbimit të bisedave jashtë zyre a një kafeje të shpejtë. E kam fjalën për fundjavën, një shëtitje të lirë në natyrë, në det a mal, e cila frymëzon dhe motivon idetë, si edhe vendet turistike, muzetë dhe gjithçka që syrin e lirë e ka me fokus drejt paqes, e kërkon të shpëtojë nga rutina. Zgjedh e do vazhdoj ta bëj leximin, si urën e udhëtimit drejt lirisë tjetër, asaj që nëpër rreshta të vendos në një botë tjetër. Në letër a smartphone nuk ka rëndësi, mjaft që mjeti t’i shërbejë qëllimit.

Lexues të revistës, bashkë me ju kam udhëtuar në një mjedis që më ka bërë të përvetësoj shumë dije, njohje, të plotësoj personin brenda meje, e kjo falë punës dhe racionalizimit të saj. Jo pa qëllim si staf, edhe përmes revistës, këmbëngulim që dijet dhe të lexuarit janë ushqimi më i shëndetshëm shpirtëror dhe jo vetëm. Një kohë pushimi mjaft e mirë për ta shfletuar këtë produkt, njëherësh informues në brendinë e tij.

Të pushosh nuk do të thotë të mos bësh asgjë!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com