Dëshmi

April 13, 2018 | 14:28

Rivelina Boshnjaku: Arti lehtëson komunikimin te fëmijët

Teksa lapsi lëshohej mbi fletën e bardhë për të marrë formën e duhur, mbi mendjen e saj nuk kish pasqyrim tjetër veç figurës që mësuesja e vizatimit kish këshilluar për të. Përqendrimi mbi fletën e bardhë ia kish lidhur mendimet. Një lloj shpagimi që qetësisht e bënte të provonte emocione krijuese.

Rivelina Boshnjaku, piktore, autore e tekstit shkollor “Edukimi Figurativ"

Rivelina Boshnjaku, piktore,
autore e tekstit shkollor
“Edukimi Figurativ”

Kristiana është një nga nxënëset e Rivelina Boshnjakut, mësuese e “Edukimit figurativ” apo “Artit Pamor” siç njihet ndryshe. Ndonëse në një karrige me rrota, ajo ka gjetur te piktura shijen e të jetuarit ndryshe. Kështu dhe plot fëmijë të tjerë. Rivelina, njëherësh autore tekstesh shkollore, pohon se kultura që vjen përmes edukimit figurativ është një ndihmesë e madhe për fëmijët, duke i mbajtur larg stresit apo ngarkesave që u japin orët që kërkojnë shumë energji, siç janë lëndët ekzakte.

Sa ndihmon arti figurativ për një përfshirje më pak stresuese për lëndët më të vështira?

Jam e bindur se përfshirja e artit në jetën e fëmijëve nëpër shkolla, por edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, është një mënyrë për të lehtësuar komunikimin, shprehjen e ndjenjave. Adresimi i problematikave nëpërmjet artit është një metodë e qëndrueshme dhe me ndikim të provuar nga studimet në këtë fushë. Pavarësisht se në programin mësimor ekzistues nga klasa 1-8 është planifikuar vetëm një orë art, fusha e zhvillimit të projektit ka treguar një nevojë në vazhdimësi për përfshirjen e metodave të reja për përpunimin dhe përcjelljen në publik të mesazheve sociale, gjë që ky projekt nuk e garanton.

Sa orë duhet të ketë në javë, në mënyrë që fëmijët të jenë më pak të lodhur nga lëndët më me ngarkesë?

E bindur them se arti ka një ndikim tepër pozitiv në këto pika që ti ke renditur, sidomos në uljen e stresit dhe rritjen e vetëbesimit te fëmijët. Pra, projekti i Ministrisë së Arsimit për planifikimin e vetëm një orë art në javë sjell si nevojë të pakundërshtueshme angazhimin e fëmijëve jashtë ambienteve shkollore me shprehjen përmes artit.

Po sa i takon fëmijëve me aftësi të veçanta, sa shërben arti figurativ në çtensionimin e lodhjes që vjen nga shkolla?

Arti evokon te fëmijët ndjenjën e së bukurës, duke nxitur imagjinatën, duke zhvilluar të shprehurin nëpërmjet tij dhe duke u mësuar rrugët për të kuptuar botën dhe mjedisin që i rrethon. Arti u krijon mundësi fëmijëve të komunikojnë nëpërmjet gjuhës së simboleve si dhe të ndryshojnë veten dhe shoqërinë. Përmes artit, nxënësit mësojnë të identifikojnë vlerat artistike dhe njerëzore në vepra të ndryshme dhe të kuptojnë ndikimin e tyre në shoqëri.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top