Ajo ishte Plaka Nicë te “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Filja te “Toka jonë”, Mësuesja te “Detyrë e posaçme”, Dafina te “Mësonjëtorja”, Besa te “Fije që priten” dhe “Plagë të vjetra”. Por edhe Rudina te “Komisari i dritës”, Arta te “Ndërgjegjja”, Mrika te “Besa e Kuqe” apo doktoreshë Besmira te “Botë e padukshme”. Në teatër, shkëlqeu me role si Daçia te “Valsi i Titanikut” dhe Viola e Sebastiani në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit.

Në këtë galeri të pasur personazhesh, Roza Anagnosti ka lënë gjurmën e një artisteje që i dha jetë dramës njerëzore, forcës së karakterit dhe ndjeshmërisë femërore me një vërtetësi të rrallë. Ajo mishëroi dhimbjen, qëndresën dhe dinjitetin, por dinte të sillte në skenë edhe humorin, elegancën dhe lehtësinë e lojës. Nga personazhet e forta e dramatike te ato më të çliruara, Roza dëshmoi një gamë të gjerë shprehëse dhe një individualitet artistik të spikatur.

Rrugëtimi i saj nisi në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës në moshën 20-vjeçare, dhe, mori hov edhe në kinematografi, me filmin “Detyrë e posaçme” (1963). “Komisari i dritës” shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj, si edhe në jetën personale, duke e lidhur emrin e saj me regjisorin Dhimitër Anagnosti, bashkëshortin dhe partnerin e saj në një jetë të përkushtuar artit.

Mbi njëzet filma, dhjetëra role teatrore dhe çmime të rëndësishme kombëtare dëshmojnë përmasat e kësaj karriere. Për interpretimet në “Fije që priten” dhe “Mësonjëtorja”, ajo u vlerësua me çmime në festivalet e filmit shqiptar.
Në 83-vjetorin e lindjes, përtej medalioneve, kupave dhe titullit “Artiste e Merituar”, mbetet gjurma e një artisteje që i dha skenës dhe ekranit shqiptar talentin, fisnikërinë dhe të vërtetën njerëzore. Një zonjë e madhe e teatrit dhe filmit shqiptar, emri i së cilës është pjesë e çmuar e kujtesës sonë kulturore.
Gëzuar ditëlindjen, Roza Anagnosti!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

