Një nga gjërat më të rrezikshme te njeriu nuk është injoranca, por siguria brenda saj. Pikërisht aty lindin “mesitë” e vegjël, politikanët që kanë lexuar gjysmën e një libri historie, kanë dëgjuar disa slogane dhe besojnë se e kuptojnë njeriun, shoqërinë dhe realitetin më mirë se studiuesit, historianët apo psikologët që kanë kaluar vite duke u përballur me kompleksitetin e jetës.
Ky është, në thelb, efekti Dunning-Kruger: sa më pak të dish për diçka, aq më shumë prirje ke të besosh se e zotëron atë. Ndërsa, sa më thellë futesh në një fushë, aq më shumë kupton kufijtë e tu dhe gjithçka që ende nuk di. Prandaj, shpesh njeriu i mençur flet më qetë se ai i padituri. I padituri bërtet…, i mençuri dyshon. I pari ka përgjigje për gjithçka, ndërsa i dyti e di se njeriu dhe shoqëria nuk janë mekanizma që mund të “rregullohen” me disa formula të thjeshta.
Jetojmë në një kulturë që shpërblen vetëbesimin më shumë sesa dijen. Nuk ka rëndësi nëse dikush flet pa bazë, rëndësi ka ta thotë me pompozitet, me fjalë të mëdha dhe me ton shpëtimtari. Dëgjon njerëz që flasin me siguri absolute për ekonominë, luftën, emigracionin apo shëndetin mendor, sikur realiteti njerëzor të ishte aq i thjeshtë sa një slogan zgjedhor.
Ironia është se sa më sipërfaqësor të jetë kuptimi, aq më lehtë shitet. E vërteta kërkon durim. Shkenca ecën ngadalë. Shoqëria është kontradiktore dhe pjekuria kërkon vite. Por njeriu ka etje për përgjigje të shpejta, për dikë që t’i thotë: “Ky është fajtori”, “Ne do ta zgjidhim gjithçka”, “Ne jemi të mirët”.

Problemi është se jeta nuk funksionon kështu. As njerëzit
Më e frikshmja është se ky fenomen nuk prek vetëm të tjerët…, ai prek secilin prej nesh. Mendja njerëzore ka nevojë të ndiejë kontroll mbi kaosin dhe siguria e rreme shërben si qetësues: “E di”, “E kuptoj”, “Kështu është”. Ndërsa njohuria e vërtetë shpesh të bën më të përulur. Të mëson të pranosh “Nuk e di”, të dëgjosh më shumë dhe të shmangësh përgjigjet e lehta për probleme komplekse.
Dikur mendoja se njerëzit më të rrezikshëm janë të këqijtë. Sot besoj se më të rrezikshmit janë shpesh ata me vetëbesim të papjekur, ata që nuk e kuptojnë sa shumë nuk dinë. Sepse njeriu që e pranon padijen e vet do të kërkojë, do të dëgjojë dhe do të mendohet para se të flasë. Ndërsa tjetri është gati të ndryshojë jetën e të tjerëve me tre fjali, një flamur dhe një slogan.
Ndoshta pjekuria nuk qëndron te të pasurit e të gjitha përgjigjeve, por te aftësia për të jetuar edhe pa shumë prej tyre. Të edukohesh pa u bërë arrogant. Të evoluosh pa u kthyer në profet të sigurisë absolute. Të jesh në gjendje të thuash: “Ndoshta gaboj.” Sot, kjo duket pothuajse si një akt revolucionar.
Kam kuptuar se e vërteta rrallëherë bërtet. Zakonisht, ajo flet më qetë se pasiguria e maskuar si siguri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

