FB

September 14, 2026 | 8:30

Sa na kushton shkolla? Kur dita e parë e mësimit kthehet në një garë për çantën, veshjen dhe firmën më të shtrenjtë

 

Nga Orjona Tresa

Shtatori, në Shqipëri, nuk sjell vetëm zilen e parë të shkollës. Sjell edhe listat e gjata të blerjeve, çantat e reja, këpucët, veshjet, mjetet shkollore dhe, bashkë me to, një garë të heshtur mes fëmijëve: kush duket më bukur, kush ka çantën më të veçantë, kush ka markën më të njohur. Një garë që nuk zhvillohet me rregulla të shkruara, por që ndihet fort në oborret e shkollave dhe në bisedat e fëmijëve. Për disa familje është thjesht një mënyrë për t’i gëzuar fëmijët në ditën e parë të shkollës; për të tjera, është një tjetër faturë që duhet përballuar. Por, mbi të gjitha, është një fenomen që ngre një pyetje jo fort të re, por gjithnjë e më shqetësuese: sa na kushton shkolla, përtej asaj që paguajmë me para? Dhe nuk është fjala vetëm për paratë.

dita-e-pare-e-shkolles

Një ditë më parë, dy fëmijë, vëlla e motër, po diskutonin me entuziazëm se kush kishte veshjen më të bukur për ditën e parë të shkollës, kush kishte çantën më të veçantë, kush kishte diçka më “firmato” dhe, në mënyrë të pashmangshme, kush kishte më shumë për të treguar. Në pamje të parë, mund të duket si një bisedë e zakonshme mes fëmijësh. Një lojë e pafajshme, një dëshirë për t’u dukur bukur në ditën e parë të shkollës. Por, nëse ndalemi pak më gjatë tek kjo bisedë, ajo na tregon diçka më të madhe. Na tregon se si krahasimi po bëhet pjesë e fëmijërisë shumë herët.

 

Kur çanta bëhet më e rëndësishme se libri

Fëmija nuk lind me nevojën për të pasur markën më të shtrenjtë. Ai mëson ta dëshirojë atë. E mëson nga reklamat, nga rrjetet sociale, nga bashkëmoshatarët, nga bisedat në familje, por edhe nga një shoqëri që shpesh e mat suksesin me atë që duket dhe jo me atë që është. Kështu, një çantë nuk është më vetëm një çantë. Një palë atlete nuk janë më vetëm këpucë. Një telefon nuk është më vetëm një mjet komunikimi. Ato mund të kthehen në shenja statusi. Dhe kur statusi vendoset në bankën e shkollës, krijohet një problem i madh për fëmijën që nuk mund ta përballojë atë standard. Sepse ai nuk hyn në klasë vetëm me librat dhe fletoret e tij. Mund të hyjë edhe me një pyetje të heshtur: “A jam më pak se të tjerët?” Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë, jo fakti se disa prindër mund t’u blejnë fëmijëve çanta të shtrenjta apo veshje të markave. Secila familje ka të drejtë të zgjedhë mënyrën e saj të jetesës dhe të shpenzojë sipas mundësive. Problemi nis atëherë kur konsumi kthehet në kriter pranimi dhe krahasimi mes fëmijëve.

 

Shtatori nuk duhet të jetë një provim i xhepit të prindit

Për shumë familje, fillimi i vitit shkollor është një periudhë e vështirë ekonomike. Lista e librave, fletoreve, mjeteve shkollore, veshjeve, këpucëve, çantës dhe shpenzimeve të tjera mund të kthehet në një barrë serioze. Dhe ndërsa disa fëmijë hyjnë në klasë duke diskutuar se kush ka çantën më të bukur, të tjerë mund të jenë duke menduar në heshtje se si të mos bien në sy sepse nuk kanë mundësi të blejnë diçka të re. Këtu shkolla rrezikon të humbasë një nga misionet e saj më të rëndësishme: të krijojë një hapësirë ku fëmijët të ndihen të barabartë në dinjitet, jo domosdoshmërisht të barabartë në pasuri. Fëmijët nuk kanë pse të kenë të njëjtat çanta. Nuk kanë pse të vishen njësoj. Nuk kanë pse të kenë të njëjtat mundësi ekonomike. Por duhet të mësojnë se këto dallime nuk përcaktojnë vlerën e një njeriu.

 

Krahasimi mund të duket i vogël, por pasojat nuk janë gjithmonë të tilla

Fëmijëria është periudha kur formohet vetëvlerësimi. Prandaj mënyra se si fëmija e sheh veten në raport me të tjerët ka rëndësi. Kur mesazhi i përsëritur është se “më i miri” është ai që ka më shumë, më të shtrenjtë ose më firmato, fëmija mund të fillojë ta lidhë vlerën personale me atë që zotëron. Sot është çanta. Nesër telefoni. Më pas veshja, makina, shtëpia, pushimet, puna, paga, statusi. Dhe kështu krijojmë një shoqëri ku krahasimi bëhet mënyrë jetese.

Një shoqëri ku njeriu nuk pyet më vetëm: “A jam mirë?”, por gjithmonë: “A jam më mirë se tjetri?”

Kjo është një rrugë që duhet ta ndalim sa më herët. Dhe ajo rrugë fillon në familje.

 

Të mos u mësojmë fëmijëve të fitojnë garën e dukjes

Prindër të dashur, fëmijët tuaj nuk kanë nevojë të hyjnë në një garë që ju, ndoshta pa dashje, ua kemi ndërtuar përpara. Ata kanë nevojë për diçka shumë më të rëndësishme se një çantë firmato. Kanë nevojë për siguri. Për vëmendje. Për komunikim. Për kufij. Për edukim. Për një familje që u mëson se vlera e tyre nuk matet me çmimin e rrobave që veshin.

Mos u përpiqni t’u blini fëmijëve gjithçka që kanë të tjerët vetëm që ata të mos ndihen “më pak”! Në këtë mënyrë, pa e kuptuar, mund t’u mësoni se të qenit “më shumë” varet nga ajo që ke.

Mësojuni të respektojnë atë që kanë!

Mësojuni të mos tallen me atë që nuk ka tjetri!

Mësojuni se një fletore nuk bëhet më e vlefshme sepse ka një markë të famshme mbi të!

Mësojuni se një shok nuk është më i rëndësishëm sepse ka veshur këpucë më të shtrenjta!

Dhe mbi të gjitha, mësojuni se njeriu nuk bëhet më i mirë duke pasur më shumë se tjetri!

Konkurrenca është pjesë e jetës. Ajo mund të jetë e shëndetshme kur i shtyn fëmijët të mësojnë, të përmirësohen, të punojnë dhe të arrijnë rezultate. Por kur konkurrenca shndërrohet në garë për pasuri, pamje dhe status, ajo mund të kthehet në një mjet diskriminues. Dhe nëse kjo garë nis që në oborrin e shkollës, duhet të pyesim veten se çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë. Sepse fëmijët e sotëm janë qytetarët e së nesërmes.

Shkolla duhet t’u mësojë fëmijëve të lexojnë, të mendojnë, të bashkëpunojnë dhe të respektojnë. Familja duhet t’u mësojë të duan, të komunikojnë dhe të njohin vlerën e vetes. Çanta, rrobat dhe markat le të jenë zgjedhje. Mos i bëjmë ato kusht për t’u ndier i pranuar.

Sepse një ditë shkolle nuk duhet të fillojë me pyetjen: “Kush e ka më të bukur?”

Duhet të fillojë me një pyetje shumë më të rëndësishme:

“Çfarë do të mësojmë sot?”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top