Psikofakt

January 30, 2016 | 7:50

Shtendosje

MondiNga Edmond Tupja

Me shumë gjasë, fjala “shtendosje” është më e përshtatshmja që na vjen në mendje kur bëjmë plane për të vajtur me pushime afatgjata. Pushime vetmitare ose me familjen apo me shokë e miq, pak rëndësi ka. Shtendosje sepse, për muaj të tërë, jemi tendosur në punë e në familje: detyra e detyrime, jo rrallë edhe punë angari, të përsëritshme nganjëherë deri në neveri, aq sa të kujtojnë mitin e Sizifit, që perënditë e kishin dënuar të shtynte një goxha gur duke e rrokullisur drejt majës së malit dhe i cili gur i shpëtonte nga krahët e lodhur dhe rrokullisej poshtë, por ai zbriste dhe rifillonte pambarimisht ngjitjen e stëmundimshme. Sigurisht, është fundjava, por dy ditët e saj nuk na e heqin dot qafe idenë se streset do të rifillojnë të nga gërryejnë tinëzish, madje edhe haptas, të hënën dhe katër ditët që e pasojnë atë.

Prandaj, pasi kemi përballuar ngarkesat e panumërta psikologjike e fizike të jetës së përditshme, mezi presim të shkëputemi prej asaj jo vetëm për t’u këndellur e rimarrë fuqi, por edhe për ta harruar (përkohësisht, për fat të keq, dhe për aq sa është e mundur) atë tendosje nervash, mendimesh e muskujsh që, dashur pa dashur, na acaron me të tjerët, sado të dashur qofshin ata për ne, që na acaron gjithashtu me vetveten, deri në atë pikë sa ajo na duket e tjetërsuar. Në këtë drejtim, i vetmi parim madhor i dobishëm që duhet ndjekur është “Relax your mind and enjoy your body”, pra “Shtendose mendjen dhe gëzoju trupit” për të rigjetur disa kënaqësi të vogla që njeriu modern thuajse i ka harruar dhe që të ndihmojnë të përqendrohesh te çasti që jeton e te mirëqenia që të sjell ai (A nuk thoshin Horaci “Carpe diem”, në kuptimin “Shijoje jetën se është e shkurtër”?).

Nga ana tjetër, pushimet mirëfilli të shtendosura të japin mundësinë të rizbulosh, të ridimensionosh e të rivlerësosh ekzistencën e tjetrit – bashkëshort/e, partner/e, prind, vëlla/motër, kushëri/rë, shok/qe, mik/e etj., etj., – qoftë edhe duke ngrënë thjesht drekë e darkë në të njëjtën kohë e në të njëjtën tryezë me ata/o pa u zhytur në celular, tabletë apo mendime, por duke e parë atë drejt e në sy, madje duke folur ndonjëherë edhe me gojën plot; qoftë edhe duke parë lajmet së bashku e duke i komentuar ato me zë të lartë dhe duke shprehur pa druajtje miratim ose jo për të qenë më në fund vetvetja.

Së fundi, por jo më së paku, në të mbaruar të pushimeve, kur vjen çasti që do t’i kthehemi punës e telasheve të tjera të përditshme, le të mos na vijë shumë keq që pushimet i lamë pas dhe le të mendojmë për ata njerëz, për ato familje që, për arsye sa objektive aq edhe subjektive, nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime afatgjata as disa dhjetëra kilometra larg qyteteve tona plot zhurma, smog e strese të pashmangshme dhe nuk e njohin shtendosjen dhe atë gjendje psikologjike të këndshme që krijojnë ose duhet të na krijojnë pushimet për të përballuar rutinën dhe ngërçet e saj stresuese.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top