Universiteti “Luarasi” zhvilloi simpoziumin shkencor me temë “Drejtësia midis traditës dhe modernitetit: nga Kanuni tek AI”, ku në fokus ishte ndikimi i inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë dhe raporti i saj me traditën juridike shqiptare. Gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit, Maks Haxhia theksoi se historia ka treguar se drejtësia humbet kuptimin e saj kur kthehet në monopol të pushtetit.

Haxhia u ndal tek zhvillimet teknologjike dhe përdorimi gjithnjë në rritje i inteligjencës artificiale në praktikën juridike, duke theksuar se algoritmet dhe sistemet e të mësuarit automatik po përdoren në ndihmë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, madje në disa vende edhe në vendimmarrje administrative me efekte juridike për qytetarët.
“Historia ka treguar dhe na tregon se kur drejtësia bëhet monopol i pushtetit, ajo pushon së qënuri drejtësi. Zhvillimet e sotme na kanë sjellë në një realitet teknologjik të nivelit më të lartë të paimagjinueshëm më parë. Algoritmet, modelet e të mësuarit automatik, AI, janë sisteme të gjithë-përfshirja në praktikën njerëzore pa përjashtuar fushën e drejtësisë, duke u vënë në shërbim të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve. Në shumë vende dhe aspekte këto sisteme arrijnë të përdoren në marrjen e vendimeve administrative me efekt juridik në jetën e qytetarëve”, tha Haxhia.
Ai vuri në dukje se, megjithëse jurisprudenca e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për inteligjencën artificiale mbetet ende në fazat e hershme, Parlamenti Evropian ka miratuar rregullore që e konsiderojnë përdorimin e AI në drejtësi si “rrezik të lartë”, duke imponuar standarde të forta transparence dhe kontroll njerëzor.
“Ndonëse jurisprudenca e konsoliduar e Gjykatës Evropiane e të drejtave të njeriut, specifike për AI është ende në fazën e hershme. Për këtë arsye PE ka miratuar rregulloren për AI që konsideron sistemin e drejtësisë artificiale si “rrezik i lartë”, dhe imponon standarde strikte transparente dhe kontroll njerëzor.
Por mbetet e hapur pyetja: A mund të jetë e drejtë një drejtësi pa ndërgjegje? Algoritmi është instrument që nuk ka ndjenja, nuk ka mëshirë dhe paragjykime ndaj racës njerëzore. Algoritmit nuk njeh kontekstin njerëzor pas një akti. Ndërsa kanuni, e drejta zakonore me gjithë kufizimet, e njohin njeriun, ato e dinë se kush është, çfarë kishte bërë pasardhësi i tij.
Misioni i këtij simpoziumi nuk është të zgjidhë këto përplasje madhore. Përplasjet e mëdha intelektuale nuk zgjidhen, ato kultivohen, debatohen dhe përmes debatit bëhemi më të orientuar, më bashkëkohorë në një shoqëri me prirje drejt së drejtës.
Misioni Ynë është të ulim në një tryeze, historianin, filozofin, juristin, inxhinierin dhe formatuesin e të dhënave që ndërtojnë sistemet e reja”, tha ndër të tjera Maks Haxhia.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

