FB

September 1, 2026 | 13:00

Sjellja agresive në familje është çështje e të gjithëve. Çfarë mund të mësojmë nga Suedia?

Dhuna në familje po rritet, gratë po humbin jetën dhe fëmijët po mbeten me dhimbje e trauma. Nuk është më çështje private e një çifti apo e një familjeje, por krim dhe përgjegjësi e tërë shoqërisë. Prandaj Kosova dhe Shqipëria duhet të mësojnë nga shtetet që kanë ndërtuar mekanizma më të fuqishëm mbrojtës, si Suedia, dhe t’i përshtatin masat e suksesshme me realitetin tonë.

aurora-pirraku

Dhuna nuk fillon me vrasjen – aty përfundon
Si i njeh Suedia format e padukshme të dhunës dhe çfarë duhet të mësojnë Kosova e Shqipëria dhe vendet tjera.

Rrallëherë ka vetëm një lloj dhune në një marrëdhënie, dhe Suedia po ndërton një sistem që ndërhyn para se dhuna të përfundojë me vrasje
Në Kosovë, databaza e Ministrisë së Drejtësisë regjistroi 2.815 raste të raportuara të dhunës në familje gjatë vitit 2025. (md.rks-gov.net⁠)
Në Shqipëri, policia regjistroi 5.073 raste gjatë vitit 2024, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme raportoi rritje të procedimeve penale për dhunën në familje edhe gjatë vitit 2025. (albania.un.org⁠, pp.gov.al⁠)
Gjatë viteve 2021–2023, në Shqipëri u vranë 32 gra dhe vajza. Njëzet e katër prej rasteve u klasifikuan si femicide dhe këto vrasje prekën 55 fëmijë. Rreth 90 për qind e viktimave kishin përjetuar dhunë edhe më parë, por vetëm gjashtë prej tyre e kishin raportuar atë në polici. (albania.un.org⁠)
Këto nuk janë vetëm shifra. Janë vajza që nuk u kthyen më në shtëpi, nëna që u mungojnë fëmijëve dhe fëmijë që do të jetojnë gjatë me dhimbjen dhe traumën.

Si grua me origjinë nga Kosova, si psikoterapiste e licencuar, kriminologe dhe e arsimuar në psikologji e punë policore, por edhe si përfaqësuese politike në Suedi, i shoh këto çështje nga disa këndvështrime.
-E shoh dhunën si krim, por edhe si proces psikologjik. E shoh viktimën, fëmijën, autorin dhe përgjegjësinë e shtetit.
Rrallëherë ka vetëm një lloj dhune në një marrëdhënie
-Kur flitet për dhunën në marrëdhënie të afërta, shumë njerëz mendojnë vetëm për goditjet apo dhunën seksuale. Por dhuna mund të marrë forma të ndryshme, të cilat shpesh ndërthuren dhe e përforcojnë njëra-tjetrën.
-Në një marrëdhënie të dhunshme rrallëherë ekziston vetëm një formë e dhunës. Zakonisht krijohet një spirale, ku kontrolli, kërcënimet, izolimi dhe veprimet e ndryshme të dhunshme formojnë gradualisht një model që e frikëson, e kufizon dhe e rrënon viktimën psikologjikisht.
-Dhuna psikologjike është pothuajse gjithmonë e pranishme dhe shpesh është hapi i parë. Më pas mund të shfaqen edhe forma të tjera:
•Dhuna psikologjike – poshtërime, kërcënime, frikësim, manipulim, fajësim dhe kontroll.
•Dhuna fizike – goditje, shtyrje, kapje me forcë, mbytje, lëndime apo forma të tjera të sulmit fizik.
•Dhuna seksuale – detyrim, presion ose veprime seksuale pa pëlqimin e lirë të personit.
•Dhuna ekonomike – kontrollimi i pagës dhe llogarive bankare, marrja e parave, krijimi i borxheve në emër të viktimës ose ndalimi i saj për të punuar dhe studiuar.
•Dhuna materiale – shkatërrimi i sendeve personale, telefonit, mobilieve apo objekteve me rëndësi emocionale, me qëllim frikësimi dhe kontrolli.
•Dhuna latente – kërcënimi i vazhdueshëm se dhuna mund të përsëritet. Edhe pa fjalë apo goditje të reja, viktima e përshtat sjelljen e saj nga frika se çfarë mund të ndodhë.
•Dhuna digjitale – kontrollimi i telefonit, fjalëkalimeve, vendndodhjes, rrjeteve sociale dhe komunikimeve, si edhe kërcënimet apo përndjekja në internet.
•Dhuna përmes neglizhencës – mohimi i ushqimit, barnave, kujdesit apo ndihmës së nevojshme, veçanërisht ndaj të moshuarve, personave të sëmurë ose personave me aftësi të kufizuara.
Të gjitha këto forma kanë një qëllim të përbashkët: pushtetin dhe kontrollin mbi një person tjetër.
Dhuna nuk matet vetëm me plagët që shihen në trup. Ajo matet edhe me lirinë që humbet, frikën që bëhet e përditshme dhe jetën që viktima nuk guxon më ta jetojë.

Burri agresiv grua

Kur dhuna bëhet “normale”
Një marrëdhënie shkatërruese nuk fillon gjithmonë me goditje. Shpesh fillon me dashuri të madhe, vëmendje, përkujdesje dhe premtime.
Por ajo që në fillim duket si interes, gradualisht mund të shndërrohet në xhelozi, kontroll dhe izolim.
Partneri kërkon të dijë ku ndodhet gruaja, me kë flet dhe kur do të kthehet. Pastaj fillon t’ia kontrollojë telefonin, veshjen, miqtë, punën dhe paratë. Gruaja detyrohet ta “dëshmojë” dashurinë duke iu bindur rregullave të tij.
Kur kontrolli, izolimi dhe dhuna përsëriten dhe ndërthuren me periudha ngrohtësie, pendimi dhe premtime se “nuk do të ndodhë më”, kufijtë e asaj që viktima e konsideron të pranueshme zhvendosen gradualisht.
Frika bëhet pjesë e përditshmërisë. Poshtërimi minimizohet. Kontrolli arsyetohet si xhelozi apo dashuri. Viktima fillon të dyshojë në veten e saj dhe të mendojë se ndoshta ajo e ka shkaktuar situatën. Ky është normalizimi i dhunës.
Kontrolli nuk është dashuri. Xhelozia nuk është përkujdesje. Izolimi nuk është mbrojtje.

Dhuna e padukshme pas dyerve të mbyllura
Dhuna nga partneri ndodh shpesh në vendin që duhet të jetë më i sigurti – brenda shtëpisë. Ajo ushtrohet nga personi që duhet të jetë më i afërti dhe më i besueshmi – nga vetë partneri. Pikërisht kjo e bën dhunën kaq të ndërlikuar dhe të padukshme.
Dhunuesi mund të paraqitet jashtë shtëpisë si i sjellshëm, i kujdesshëm dhe i respektuar. Ndërkohë, pas dyerve të mbyllura, gruaja jeton me frikë.
Turpi, kërcënimet, varësia ekonomike, shqetësimi për fëmijët dhe frika se institucionet nuk do ta besojnë bëjnë që shumë gra të mos e raportojnë dhunën. Prandaj shifrat zyrtare tregojnë vetëm një pjesë të realitetit. Mungesa e kallëzimit nuk do të thotë se dhuna nuk ka ndodhur. Shpesh do të thotë se viktima ende nuk ka sigurinë, mbështetjen apo mundësinë për të treguar.

Dhuna në familje nuk është private. Është krim
Kur dikush vjedh një portofol, një veturë apo një shtëpi, shteti ndërhyn. Policia heton, prokuroria ngre aktakuzë dhe gjykata vendos dënimin. Askush nuk thotë: “Mos u përzieni, kjo është çështje private.” Por kur një burrë ia merr gruas pagën, e izolon, e kontrollon, e kërcënon, e godet apo e përdhunon, ende dëgjojmë: “Janë punë familjare.”
Jo. Në çastin kur dhuna hyn në shtëpi, privatësia përfundon dhe fillon krimi. Në një vjedhje merret pasuria. Në dhunën familjare vidhen liria, dinjiteti, fëmijëria dhe, shumë shpesh, vetë jeta.

Si vepron Suedia?
Në Suedi, dhuna në familje trajtohet si krim, si rrezik për jetën dhe si përgjegjësi e përbashkët e policisë, prokurorisë, shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe gjykatave. Sistemi nuk është i përsosur dhe gratë vazhdojnë të vriten. Por parimi është i qartë: përgjegjësia për ndalimin e dhunës nuk duhet t’i lihet vetëm viktimës.

Policia krijon pamjen e plotë të dhunës
Kur policia merr informacion për dhunë, ajo pyet jo vetëm për ngjarjen e fundit, por edhe për kërcënimet, kontrollin, përndjekjen dhe dhunën e mëparshme. Nëse policia vlerëson se është kryer një vepër penale, ajo është e detyruar ta regjistrojë rastin, edhe kur viktima, për shkak të frikës apo varësisë, ende nuk është e gatshme ta bëjë vetë kallëzimin. Autori mund të arrestohet ose të largohet nga banesa, ndërsa mesazhet, fotografitë, dëshmitë dhe dokumentacioni mjekësor mblidhen si prova. (polisen.se⁠, polisen.se⁠)
Policia kryen vlerësim të strukturuar të rrezikut. Në Suedi përdoren instrumente profesionale si SARA:SV për dhunën në marrëdhënie, SAM për përndjekjen dhe PATRIARK për dhunën e lidhur me nderin. (polisen.se⁠)
Policia hartëzon gjithashtu personat që paraqesin rrezik të lartë për dhunë të rëndë ose vdekjeprurëse ndaj partneres apo ish-partneres. Kjo zhvillohet, ndër të tjera, përmes operacionit kombëtar “Beta”. Qëllimi është të identifikohet autori i rrezikshëm para se të krijojë një viktimë tjetër. (regeringen.se⁠, polisen.se⁠)

Prokuroria dhe urdhrat e ndalimit
Në rastet e kërcënimeve dhe dhunës ndaj një personi të afërt, hetimi zakonisht drejtohet nga prokurori.
Prokurori mund të vendosë urdhër ndalimi të kontaktit. Dhunuesit mund t’i ndalohet afrimi te shtëpia, vendi i punës apo vendet ku qëndron viktima. Ndalimi mund të përfshijë zona të mëdha dhe të shoqërohet me mbikëqyrje elektronike.
Pajisja elektronike e lajmëron policinë nëse personi hyn në zonën e ndaluar. Dhunuesit mund t’i ndalohet edhe qëndrimi në banesën e përbashkët. (aklagare.se⁠)
Nuk duhet të jetë gjithmonë gruaja ajo që largohet, fshihet dhe humbet shtëpinë. Duhet të kufizohet personi që paraqet rrezikun.

Shërbimet sociale dhe shëndetësia
Shërbimet sociale mund të sigurojnë strehim të mbrojtur, ndihmë ekonomike, mbështetje praktike, kontakt me policinë dhe shëndetësinë, si dhe ndihmë për gjetjen e një banese të re.
Gruaja dhe fëmijët duhet të marrin mbështetje për ta rindërtuar jetën pa dhunë. (socialstyrelsen.se⁠, socialstyrelsen.se⁠)
Shëndetësia duhet të guxojë të pyesë për dhunën edhe kur gruaja kërkon ndihmë për ankth, depresion, pagjumësi apo dhimbje trupore. Lëndimet fizike dhe psikologjike duhet të dokumentohen me kujdes, sepse dokumentacioni mjekësor mund të jetë provë vendimtare në procesin penal. (vardpersonal.1177.se⁠)

Fëmija njihet si viktimë
Në Suedi është vepër penale ta detyrosh një fëmijë të shohë apo të dëgjojë dhunë ndaj një personi të afërt. Kjo quhet barnfridsbrott. Fëmija nuk trajtohet vetëm si dëshmitar. Ai njihet si viktimë dhe ka të drejtë për mbrojtje, trajtim dhe kompensim. (polisen.se⁠)

Dhuna psikologjike është bërë vepër penale
Nga 1 korriku 2026, dhuna psikologjike është vepër e posaçme penale në Suedi dhe mund të dënohet deri me katër vjet burg. Ligji përfshin poshtërime të përsëritura, kërcënime, detyrim, kontroll dhe mbikëqyrje që mund ta dëmtojnë rëndë vetëvlerësimin e viktimës. Veprimet mund të kryhen fizikisht ose në mënyrë digjitale dhe nuk kërkohet që viktima të ketë dëmtime të vërtetuara mjekësore. (polisen.se⁠) Ky është një ndryshim themelor: shteti nuk pret më domosdoshmërisht mavijosjen për ta njohur dhunën.

Katër vite me politika të reja të Moderaterna-s
Gjatë katër viteve të fundit, qeveria suedeze e udhëhequr nga Moderaterna ka ndryshuar politikën kundër kriminalitetit. Janë forcuar dënimet, policia ka marrë mjete të reja dhe janë zgjeruar mundësitë për t’ua konfiskuar kriminelëve paratë dhe pasuritë e pajustifikueshme. Në gjysmën e parë të vitit 2026, të shtënat vdekjeprurëse u ulën me mbi 75 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas të dhënave të paraqitura nga Moderaterna. (moderaterna.se⁠)
Mësimi është se modelet kriminale mund të thyhen kur shteti identifikon personat më të rrezikshëm, ndërhyn herët, shkëmben informacion dhe vendos pasoja të qarta. Tani të njëjtën vendosmëri duhet ta përdorim kundër burrave që terrorizojnë gratë dhe fëmijët.
Qeveria ka krijuar Rådet för kvinnofrid, një këshill kombëtar të drejtuar nga kryeministri dhe të udhëhequr nga objektivi zero për vrasjet e grave. Në të marrin pjesë drejtuesit e policisë, prokurorisë, sistemit korrektues, shërbimeve sociale, mjekësisë ligjore dhe institucioneve të tjera. (regeringen.se⁠)

Tridhjetë masa të reja, nga fjalët te veprimi
Moderaterna ka paraqitur 30 masa të reja kundër dhunës së burrave ndaj grave. Ndër propozimet janë dënime më të ashpra, urdhra më të fuqishëm të ndalimit të kontaktit, monitorim teknik i autorëve të rrezikshëm, financim i garantuar për strehimin e mbrojtur dhe komision i posaçëm pas çdo vrasjeje të një gruaje. Propozohet gjithashtu që femicidi të shqyrtohet si vepër e posaçme penale, ku burgimi i përjetshëm duhet të jetë pikënisja e dënimit.
Ligjet duhet të ndryshojnë që të mos mund të përdoren për ta mbajtur gruan të burgosur në një martesë. Duhet të jetë më e lehtë të merret shkurorëzimi pa periudhë të detyrueshme pritjeje dhe procesi i ndarjes së pasurisë nuk duhet të mund të zvarritet nga dhunuesi. (moderaterna.se⁠) Një nga propozimet më të rëndësishme është krijimi i një fondi shtetëror për daljen nga marrëdhëniet e dhunshme, i financuar nga pasuritë e konfiskuara. Paratë që shteti ua merr kriminelëve duhet t’u japin viktimave mundësinë për të blerë lirinë e tyre: strehim, transport, ndihmë juridike dhe siguri për fëmijët.

Ligj i ri për mbrojtjen e grave para vrasjes
Moderaterna kërkon gjithashtu një ligj të ri për mbrojtjen e grave që rrezikojnë të vriten nga një burrë. Policia duhet të marrë tri mjete të reja:
1.T’i paralajmërojë viktimat e mundshme dhe familjarët e tyre për burrat e rrezikshëm. Në rastet më serioze, paralajmërimi duhet të jetë detyrim ligjor.
2.Kur ekziston rrezik konkret për jetën e një gruaje, policia duhet të mund të përgjojë komunikimet dhe të lexojë mesazhet për ta parandaluar krimin.
3.Kur rreziku për dhunë vdekjeprurëse është i qartë dhe i menjëhershëm, burri i rrezikshëm duhet të mund të ndalohet dhe të merret përkohësisht në mbajtje të detyrueshme. (moderaterna.se⁠)
Këto masa duhet të zbatohen me kritere të qarta, kontroll gjyqësor dhe respektim të proporcionalitetit. Shteti ligjor dhe mbrojtja e viktimës nuk janë kundërshtarë. Një shtet ligjor duhet të jetë i aftë ta mbrojë jetën.
Sot është gruaja ajo që detyrohet të largohet nga shtëpia, të fshihet, të ndryshojë numrin, punën dhe shkollën e fëmijëve, ndërsa burri që përbën kërcënimin vazhdon të lëvizë i lirë.
Këtë logjikë duhet ta përmbysim!
Liria e një dhunuesi nuk mund të peshojë më shumë se jeta e një gruaje.

Çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Shqipëria?
Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta kopjojnë verbërisht Suedinë. Por duhet ta përvetësojnë parimin se dhuna në familje është çështje e sigurisë publike.
-Duhet një strategji kombëtare me objektivin zero për vrasjet e grave.
-Duhet vlerësim profesional dhe i detyrueshëm i rrezikut që në kontaktin e parë me policinë, prokurorinë, shëndetësinë apo shërbimet sociale. Përndjekja, ndarja, tentativat për mbytje, kërcënimet me vrasje, armët dhe përshkallëzimi i kontrollit duhet të ndezin menjëherë alarmin institucional.
Na duhen urdhra mbrojtës që zbatohen realisht, monitorim elektronik i autorëve me rrezik të lartë dhe shkëmbim informacioni ndërmjet institucioneve.
-Na duhet një fond për largimin nga marrëdhënia e dhunshme, strehim i sigurt, ndihmë juridike falas dhe mbështetje ekonomike.
-Fëmija që sheh apo dëgjon dhunën duhet të njihet si viktimë më vete dhe të marrë trajtim profesional.
-Pas çdo femicidi duhet një komision i pavarur që pyet: Cilat sinjale u humbën? Cili institucion kishte informacion? Pse nuk funksionoi mbrojtja? Çfarë duhet të ndryshojë që gruaja tjetër të mbetet gjallë? Sepse një shtet nuk matet vetëm me mënyrën se si e dënon vrasësin. Matet me aftësinë për ta njohur dhe ndalur rrezikun kur gruaja është ende gjallë.
Le të mos e pyesim më viktimën: “Pse nuk u largove?”
Le ta pyesim shtetin: “Pse nuk u ndal ai?”
Politika nuk duhet të na mësojë të vajtojmë më bukur pas vrasjes. Detyra e saj është të ndërhyjë më herët, që të mos ketë një grua tjetër për ta vajtuar.
Jo vetëm lule pas vrasjes, por mbrojtje para saj!
Jo vetëm drejtësi pas funeralit, por ndërhyrje para krimit! Sepse kur dhunuesi ia vjedh gruas lirinë, fëmijës fëmijërinë dhe familjes të ardhmen, shteti nuk guxon të qëndrojë jashtë derës.
Shteti duhet të ndërhyjë, me ligj, mbrojtje dhe tërë forcën e drejtësisë, para se të vidhet edhe një jetë tjetër.

*Aurora Pirraku Nika
Psikoterapiste e licencuar.
Kriminologe
Magjistre e psikologjisë
Magjistre në punë policore
Magjistre në lidership
Shkencëtare e sjelljes, me orientim në psikologjinë e shëndetit dhe psikologjinë e punës

Rreth autores
Aurora Pirraku Nika është kandidate e Moderaterna-s për Parlamentin e Suedisë në zgjedhjet e 13 shtatorit 2026.
Ajo është anëtare e Kuvendit Rajonal të Västmanlandit (Regionfullmäktige) dhe ushtron detyrën e anëtares në Komisionin për Zhvillim Rajonal (Regionala utvecklingsnämnden) dhe në Komisionin e Pacientëve (Patientnämnden) në Region Västmanland.
Aurora ka një përvojë të gjatë dhe shumëvjeçare në qeshtjen e dhunes ne familje dhe politikën suedeze, me një sërë mandatesh dhe përgjegjësish politike në nivel rajonal dhe kombëtar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top