Në fokus

December 24, 2019 | 8:29

Të festojmë apo jo… në familjen e madhe?

Festat e fundvitit janë sinonim i mbledhjeve familjare. Është koha kur nuk ndihemi më vetëm, është koha kur shkëmbejmë urime dhe dhurata… Por çfarë ndodh kur për disa të tjerë kjo atmosferë nuk sjell aspak gëzim… Përkundrazi, bezdi dhe ndjesi nervozizmi.

PRO FESTAVE FAMILJARE

1

Mbajtja e lidhjeve: Në festa dhe mbledhje familjare disa njerëz ndihen të plotësuar, pasi në këtë mënyrë ata ndiejnë se i forcojnë marrëdhëniet midis tyre, gjë që konsiderohet si një nga lidhjet më të forta njerëzore edhe në ditët e sotme, kur prirjet individualiste janë në rritje gjithnjë e më tepër. Festat na lejojnë të forcojmë lidhjet farefisnore, miqësore, por edhe ato të ngushta familjare. E në një situatë të tillë, padyshim që një rëndësi të veçantë ka edhe cilësia e marrëdhënieve që kemi ndërtuar midis njëri-tjetrit. Ajo që ka rëndësi është se sa mirë ndihemi në prani të këtyre njerëzve dhe sa vlejnë ata në jetën tonë. Kur ka dashuri dhe respekt, kur shqetësohemi për çdo aspekt të jetës së tyre, nuk ka arsye të mos ndihemi të lumtur mes nesh edhe në momentet më të gëzueshme të jetës. Njerëzit të cilët janë të aftë për të toleruar, të cilët dinë të falin dhe t’i harrojnë hatërmbetjet e pakënaqësitë nga e kaluara, i jetojnë bukur momentet e festave, qofshin ato të fundvitit apo të ndonjë feste tjetër në prani të njëri-tjetrit.

Origjina: Për disa njerëz janë sipërfaqësore momentet e mbledhjeve në darka familjare, por në të tilla situata ne i krijojmë mundësi vetes dhe të tjerëve për të biseduar mbi jetët tona. Të vihemi në dijeni me të rejat e fundit për njëritjetrin, të kujtojmë të kaluarën, kujtimet dhe ngjarjet e fëmijërisë. Të kujtojmë histori e ndodhi, të cilat kanë qenë speciale për secilin prej nesh. Dikush mund të marrë e të shfletojë albume të vjetra fotografike, që na sjellin në kujtesë ngjarjet tona më speciale. Në këtë mënyrë, përmes këtyre mbledhjeve familjare, ne bëjmë të mundur edhe njohjen më të thellë të së kaluarës sonë tek fëmijët e tek më të vegjlit, të cilët kuptojnë diçka më shumë nga e kaluara jonë, duke i njohur me kushërinjtë e të afërmit tanë. Është si të kthehesh e të analizosh “pemën gjenealogjike”, duke u kthyer pas në historinë e origjinës sonë, për të mos u ndier thjesht një individ, por pjesë e një familjeje të madhe.

 

KUNDËR FESTAVE FAMILJARE

1

Angazhimi në festa familjare, kërkon vullnet, dëshirë dhe angazhim i plotë jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror. Sa ditë
përpara mendojmë për gjërat që duhet të blejmë, që duhet t’i përgatisim, që çdo gjë të jetë e bukur dhe e shijshme. Për të krijuar një atmosferë festive dhe të pëlqyeshme, padashur ne bëhemi krijues dhe duhet të shpalosim të gjitha idetë tona. E gjitha kjo kërkon kohë, durim dhe energji. Për ata, të cilët i konsiderojnë festat si të bezdisshme e të lodhshme, është arsyeja e këtyre mbledhjeve që bëhen me familjet tona të mëdha që i bën të tilla. Tubime të panevojshme. Në prag festash disa njerëz ndihen të stresuar, pasi janë të sforcuar të bëjnë ato gjëra që nuk i pëlqejnë dhe që janë të detyruar për shkak të traditës dhe zakonit. Sipas tyre, në mbledhje familjare nxiten gjithnjë tensione… Prindër, motra, vëllezër, kushërinj, halla e teze, gjyshër… Në një ambient me kaq shumë njerëz është e vështirë të drejtosh edhe tavolinën e darkës festive. Madje, në situata të tilla disa njerëz e shohin të pavlerë komunikimin, pasi asnjë nuk arrin të dëgjojë e të flasë lirshëm nga zhurma dhe tavolina e mbipopulluar. Në mbledhje të tilla familjare kemi dhe përzierjen e brezave të ndryshëm në familje, ku dëshira për të festuar si duam është e pamundur. Një mbesë apo nip nuk mund të festojë në mënyrën që ai dëshiron, kur pranë tyre ndodhen edhe gjyshërit, të cilët duan qetësi apo biseda.

Mungesa e kohës. Jeta në ditët e sotme njeh një ritëm shumë të vrullshëm, ku angazhimet familjare, personale e profesionale na pengojnë në përditshmëri për të përmbushur edhe detyrime apo kënaqësi që lidhen me realitetin tonë. Kur gjendemi në periudhën e fundvitit, për disa njerëz krijon tension angazhimi që duhet të tregojmë ndaj familjarëve tanë me darkat familjare, bërja e dhuratave, rregullimi dhe zbukurimi i shtëpisë. Për disa të tjerë kënaqësia përbëhet nga mundësitë për t´u larguar të paktën disa ditë pushim nga atmosfera e rutina e përditshme dhe të gjenden në vende të largëta. Atje ku çdo gjë është gati dhe ku nuk kërkohet angazhimi në përgatitjen e atmosferës festive.

Atmosfera e duhur. Mbledhjet familjare, të cilat konsiderohen si burim i kënaqësisë dhe i përkushtimit midis të afërmve tanë, mbeten gjithashtu të vështira për t´u përballuar edhe atëherë kur nuk na duhet të organizojmë atmosferën. Në realitetin tonë, familjet janë të përbëra jo vetëm nga prindërit apo fëmijët, pasi prezenca e gjyshërve, vjehrrit apo vjehrrës janë ndikues edhe atëherë kur ne duam të festojmë sipas mënyrës sonë. Ndihemi të kufizuar nëse do kemi dëshirë të organizojmë diçka speciale dhe prezenca e njerëzve të tjerë në familje me ndikimet e tyre do të na pengojë emocionalisht për t´u ndier të motivuar në krijimin e një atmosfere të gëzueshme, pse jo dhe krijimin e darkave familjare.

Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top