Si mund t’i përballojmë ndryshimet? Cilat strategji mund të na ndihmojnë t’i menaxhojmë ato? Do t’ju japim 4 koncepte kryesore, në përputhje me këshillat e disa ekspertëve të njohur.
Ekziston një frazë që thotë: “Jeta është si të ngasësh biçikletën: për të mos u rrëzuar, duhet të pedalosh”. Në fakt, realiteti na e tregon këtë çdo ditë: gjithmonë e gjejmë veten në përballje me ndryshime të shkaktuara nga situata të ndryshme që na përfshijnë, me humbje relative, për të na mësuar se si duhet t’i menaxhojmë. Por si mund t’i përballojmë ndryshimet? A është e lehtë? Cilat mjete mund të na ndihmojnë? Ekspertë nga sektorë të ndryshëm (psikologë, trajnues jete, konsulentë biznesi…) japin mendimin e tyre, duke na këshilluar me disa strategji të dobishme në menaxhimin e ndryshimeve.
PUNO PËR PRANIMIN
Jeta na ofron një numër të pafund përvojash, por edhe pengesa të shumta për t’u përballuar. Megjithëse një periudhë ndryshimi nuk duhet domosdoshmërish të jetë negative (përkundrazi, mund të na japë një mundësi), mund të përfaqësojë një kërcënim konkret për stabilitetin tonë. Ndryshimi është sigurisht i pakëndshëm dhe i bezdisshëm, gjithashtu kërkon një riorganizim të realitetit. Për këtë arsye, pranimi i tyre ofron disa përfitime. Përshtatja me realitetin e ri ditë pas dite, pranimi i humbjeve kur vijnë dhe përqendrimi vetëm tek e tashmja është mënyra e duhur. César Piqueras, me profesion trajner ekzekutiv, instruktor dhe shkrimtar, gjithashtu flet për rëndësinë e pranimit të ndryshimeve.
Siç e pohon dhe vetë: “Kur pranojmë, zgjedhim rrugën e mençurisë, sepse zemërimi dhe ankesat nuk ekzistojnë më. Ekziston vetëm pranimi”. Në fazën e pranimit nuk ka energji të shtypur dhe as dorëheqje, por hapje ndaj asaj që do të vijë, domethënë ndryshimit.
PËRBALLUNI ME SHIKIMIN DREJT SË ARDHMES
Psikoterapeutja Demián Bucay thotë se në situata ndryshimi, është e mundur që fitimet të tejkalojnë humbjet, edhe pse kjo nuk do të thotë të mos provojmë dhimbje për atë që kemi lënë pas krahëve. Ndjenja e dhimbjes është normale kur duhet të pranojmë që një fazë e jetës sonë ka mbaruar. Prandaj, të shohësh përpara mund të na ndihmojë të përqendrohemi në situata me qetësi dhe vetëdije më të madhe. E kaluara nuk do të kthehet, por ne kemi të tashmen (ndonjëherë plot mundësi), e cila do të na lejojë të ndërtojmë të ardhmen tonë pak nga pak. “E ardhmja varet nga ajo që bëni sot” thotë Gandi.
TË NDRYSHOSH
César Piqueras shprehet se ekzistojnë 4 mënyra për t’u përballur me ndryshimet: 1) Rezisto dhe ankohu; 2) Dorëzohu; 3) Prano dhe 4) Ndrysho. Strategjitë më të përshtatshme janë këto të fundit, kështu që do të përqendrohemi tek to (megjithëse dorëheqja, në disa raste, mund të jetë një mekanizëm përshtatës).
Tashmë kemi komentuar strategjinë e pranimit. Ndërsa për të dytën, atë që preferon ndryshimin, Piqueras argumenton se është më fitimprurëse të braktisësh ankesat dhe dorëheqjen. Përkundrazi, përparojmë kur jemi të gatshëm të ndryshojmë atë që nuk na pëlqen. Pra, megjithëse mund të duket përsëritëse, një strategji tjetër përshtatëse konsiston në përballimin e ndryshimeve, duke ndërhyrë në atë që ne e konsiderojmë të nevojshme.
Sigurisht që disa ndryshime na lënë pak hapësirë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, por nuk ndodh gjithmonë kështu; ne i përdorim ato, mund të zgjedhim një ndryshim të këndvështrimit tonë mbi ngjarjet ose t’i ndryshojmë vetë. “Nëse një ndryshim na pushton, duhet të gjejmë mënyra për të ndryshuar edhe veten, në mënyrë që ky ndryshim të jetë pozitiv”, thotë César Piqueras.
JINI TË VETËDIJSHËM PËR TË PËRBALLUAR NDRYSHIMET
Ignacio Martínez, trajner biznesi, na kujton se është e rëndësishme të bëheni të vetëdijshëm për qëllimet që dëshironi të arrini me të ashtuquajturat ndryshime. Në rast se bëhet fjalë për ndryshime që nuk i kemi zgjedhur personalisht, duhet t’i lejojmë vetes të ndiejmë gjithçka që shkakton situata e re (trishtim, zemërim, inat…), dhe të fillojmë të punojmë për pranimin kur të ndihemi gati. Martínez thekson gjithashtu se mund të na ndihmojë për të marrë parasysh pasojat nëse vendosim të mos ndryshojmë asgjë, si dhe të përqendrohemi në mundësitë e ofruara nga realiteti i ri apo konteksti i ri. Edhe nëse flitet kryesisht për mjedisin e shoqërisë, mund ta praktikojmë këtë strategji në situata të tjera.
ELASTICITETI DHE VETËDIJA
Nuk ekziston asnjë mënyrë e vetme për t’u përballur me ndryshimet, dhe çdo person duhet të gjejë të vetën (ose të përdorë njërën dhe tjetrën sipas situatës). Për më tepër, jo të gjitha ndryshimet e jetës janë të njëjta: disa janë jetike, si emigrimi apo humbja e një njeriu të dashur, dhe të tjerat kanë më pak ndikim, si ndryshimi i palestrës, ndërrimi i miqve. Në çdo rast, ajo që ka rëndësi është vlera që i jepet çdo ndryshimi dhe mënyra se si vendosni të përballeni me realitetin e ri.
Të paturit e mjeteve të nevojshme mund të na ndihmojë në këtë rrugëtim të jetës që kërkon elasticitet mendor, ashtu si një dozë e mirë e vetëdijes dhe, mbi të gjitha, të kuptosh se jeta na lejon të shkruajmë çdo ditë një fillim të ri. Giorgio Nardone, ekspert në psikoterapinë e shkurtër strategjike dhe Paul Watzlawik, psikolog dhe filozof, pohojnë si vijon: çdo ndryshim është një rrugëtim, një formë arti, një rrjedhë e vazhdueshme e mendimeve, ndjenjave dhe emocioneve.
Dhe në këtë rrjedhë (duke u bërë pjesë) fitojmë kur përqendrohemi në një vështrim fleksibël, të vetëdijshëm dhe të hapur. Çdo ndryshim që gllabëron jetën tonë do të përfshijë të gjitha strukturat tona të brendshme, gurët e themelit, lidhjet, frikën, shpresat, iluzionet dhe zhgënjimet.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.