Editorial

July 6, 2017 | 9:28

T’i japim vlerë librit SHQIP

Na duhet t’i japim një vlerë më të madhe librit shqip dhe jo vetëm në muajin tetor, meqenëse cilësohet dhe si muaji i letërsisë. Na ndodh që në kohëra çmimesh ndërkombëtare, si ai i Nobel-it që u dha kohët e fundit, pritshmëritë dhe vëmendja kthehen pikërisht nga ai, i shquari i letrave shqipe, Ismail Kadare.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Por, çmimin më të madh letrar nuk e mori as këtë herë, vit që përkonte edhe me 80-vjetorin e tij të lindjes. E, megjithatë, ky është një zhgënjim i zakonshëm tashmë.
Një tjetër mjeshtër në letrat shqipe, Dritëro Agolli, kjo penë e shquar e letërsisë sonë, u rikujtua bujshëm në përvjetorin e 85-të të lindjes së tij. Pati mbrëmje poetike ku u recituan vargje të tij dhe televizionet dhanë filma me skenarë të mbështetur mbi prozën e tij. Po këtë vit, në 10-vjetorin e vdekjes, u përkujtua me një dokumentar edhe shkrimtari i njohur Vath Koreshi. Ndërsa Teodor Laço, gjithashtu një shkrimtar fort i njohur, do të përcillej me nderime në banesën e fundit, vetëm pak ditë pasi mbushi 80 vjeç. Pra, shkrimtarët kujtohen, nuk janë aq të harruar sa mendojmë ndonjëherë. E kjo do të thotë se njerëzit po ashtu kujtojnë tashmë jo vetëm qenësinë e tyre, por edhe
krijimtarinë letrare, pra librat.

“Takohemi për një libër” ishte një iniciativë fort mirë e menduar dhe pati jehonën e saj të mesazhit përcjellës. E ku ka më mirë në fakt se të shfletosh e të marrësh kulturë historike, dije dhe formim gjuhësor përmes artit të të shkruarit. Por pse jo, një dozë të shkëlqyer për etikën. Jo më kot librat i kanë cilësuar si manualët më të mirë të jetës, sepse vetë jeta është një libër i pafund dijesh, faqet e të cilit kanë ngaherë diçka të re për të të mësuar. Natyrisht që në gjithë këtë rrugëtim të përcaktuar prej 31 ditësh, – po aq sa ditë ka dhe muaji tetor, – nuk pati ndasi për natyrën e botimeve apo autorët. Por, ajo që
do të dëshiroja të dëgjoja, ishte: që të tregohej një interes më i madh për letërsinë shqipe, sidomos për autorët e rinj. Sigurisht që, autorët e huaj kanë vendin e tyre, por sikur të kishte pak më shumë humanizëm edhe për botimet në letërsinë shqipe, kjo do të më gëzonte pa masë. Sepse për të thënë atë që duhet, është lënë pas dore, qoftë në marketing, qoftë dhe me leximin e krijimtarisë së tyre.

2

Pse duhet të mburremi me një autor shqiptar vetëm pasi ai bëhet i famshëm në një shtet të huaj, na sjell një çmim apo thjesht bëhet protagonist me veprën e tij?! Përse të mos i gëzojmë ne këto vlera sa i kemi brenda kufijve, e të mos presim të na i shijojë bota, pa t’i bëjmë të famshëm edhe këtej? A ka një standard në këtë punë, apo do vazhdojmë të
cimbisim mes dhëmbëve “klani i atij”, “klani i asaj”…?

E shëmtuar për letërsinë tonë, e shëmtuar për brezat që rriten, shëmti për vetë vendin.
Te ne prodhohet letërsi, mjaft e mirë madje, ka edhe vend për sitë, por vlen edhe guximi i këtyre njerëzve. Të duash të shkruarin nuk mund të jetë një modë, por një nevojë e brendshme, që edhe kur nuk e ke, vlen përpjekja. Na duhet një mësues i mirë, një mjeshtër… a do të na vijë vallë?

Botuar në revistën Psikologjia, nr.113

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top