FB

December 1, 2021 | 8:15

Ti vlen gjithmonë!

Të gjithë ne, të paktën një herë në jetë, kemi pyetur veten se si t’ia dalim që të pranojmë gjykimin e të tjerëve. Në fakt, ndodh shpesh të ndihemi të gjykuar, jo rrallëherë ky gjykim mund të ketë njëfarë peshe, sepse fjalët mund të jenë fyese dhe na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm e të brishtë.

Me kalimin e kohës, fjalët dhe perceptimi që njerëzit kanë për ju mund të ndryshojnë bindjet dhe besimin tuaj. Kjo gjë mund t’ju bëjë të keni frikë nga gjykimi i të tjerëve dhe të kushtëzoni jetën tuaj në shumë aspekte, në kontekste të ndryshme. Zakonisht frika nga gjykimi i të tjerëve është e lidhur me dëshirën për të qenë të vlerësuar nga të gjithë në çdo moment. Në disa raste, kjo gjë mund të jetë një kushtëzim në jetën e çdo dite.

Pranoni që të tjerët t’ju gjykojnë: Këshilla e parë që duam t’ju japim i përket pranimit të faktit se dikush do të ketë një mendim për ju. Njerëzit do të kenë gjithmonë diçka për të thënë. Nëse ndikoheni nga ajo që të tjerët mendojnë për ju, duhet të punoni mbi besimin te vetja. Hapi i parë është pikërisht që të pranoni se të tjerët kanë një mendim për ju. Cilido qoftë ai, nuk duhet në asnjë mënyrë që t’ju kushtëzojë në zgjedhjet që bëni. Thënë këtë, mund të filloni të punoni mbi vetëbesimin, duke besuar më shumë te vetja dhe te mundësitë tuaja.

Jini të vetëdijshëm për vlerën tuaj: Këshilla e dytë për të mësuar të pranoni gjykimin e të tjerëve është e lidhur me të parin dhe i përket vetëdijes për vlerën tuaj. Nëse e dini se ku shkëlqeni dhe ku jeni më të dobët, do të keni më pak mundësi që të ndikoheni nga ajo që thonë apo mendojnë të tjerët për ju. Filloni të eksploroni gjatë veten. Fitoni besim në aftësitë tuaja dhe dalloni mungesat tuaja më mirë se kushdo tjetër. Nëse ia dilni të bëheni me të vërtetë të vetëdijshëm për vetitë, brishtësitë dhe pikat tuaja të forta, ndikimi i gjykimit të të tjerëve do të jetë i shumëzuar me zero. Do të ketë rëndësi vetëm ajo që mendoni për veten tuaj. Punoni çdo ditë për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur.

Mbani nën kontroll mendimet negative: Të njihni rolin e mendimeve negative që keni në jetën tuaj, është thelbësore për të përmirësuar bindjet për veten. Me të marrë nën kontroll mendimet dhe besimet tuaja, mund të filloni të ndryshoni mënyrën se si mendoni për të qenë më pozitiv dhe optimist, pa u shqetësuar për atë që të tjerët mendojnë për ju.

Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që cilësitë e mendimeve tuaja ndikojnë në jetën tuaj. Mbani nën kontroll mendimet negative dhe vëreni veten tuaj në qendër. Përparësia jeni ju dhe ajo që mendoni për veten. Mos lejoni që dikush tjetër të ketë këtë fuqi mbi ju.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top