FB

April 1, 2021 | 8:10

Ushqyerja me qumësht gjiri favorizon rritjen psikologjike të bebes

Ushqyerja me qumësht gjiri ka përfitime të ndryshme, si për shëndetin e bebes, ashtu dhe për nënën. Të ushqesh me qumësht gjiri apo jo, kjo është dilema. Është folur e stërfolur për këtë temë, mbi të cilën ekzistojnë këndvështrime të ndryshme. Është diskutuar shumë edhe përsa i përket cilësisë dhe përfitimeve të qumështit të nënës. Pavarësisht kësaj, janë të ndryshme arsyet për të cilat është gjithmonë më mirë ta ushqeni beben me gji.

Siç dihet, qumështi i nënës është ushqimi më i mirë, që mund t’i ofroni fëmijës suaj, të paktën deri në një vit. Në fakt, ushqimi që do të prodhoni që në momentin kur do të bëheni nëna, jo vetëm përmban të gjithë ushqyesit për të cilat ka nevojë fëmija juaj gjatë muajve të parë të jetës, por rrit edhe mbrojtësit e tij për të luftuar sëmundjet.

Megjithatë, përfitimet e qumështit të gjirit nuk kushtëzohen vetëm me përbërjen e qumështit, por qëndrojnë edhe te lidhja afektive që caktohet mes nënës dhe fëmijës. Kur i jepni për të pirë fëmijës, po dhuroni jetë dhe dashuri, dhe njëkohësisht i jepni atij rehati, e mbroni dhe komunikoni me thesarin tuaj më të çmuar.

 

1. Rrit aftësinë psikologjike të bebes

Pavarësisht atyre që thamë më sipër, ekspertët sugjerojnë se qumështi i nënës përveçse ka shumë përfitime ushqyese, favorizon rritjen psikologjike të bebes, pasi përfaqëson një ambient interaktiv të përsosur për të voglin.

Ushqyerja me gji ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi zhvillimin e sistemit nervor qendror të bebes, sepse, falë këtij veprimi natyral, po e ndihmoni fëmijën të zhvillojë një aftësi më të madhe intelektuale. Qumështi i nënës ka disa substanca yndyrore, të cilat janë thelbësore për zhvillimin neurologjik të bebes. Po ashtu, është një stimul dhe një kontakt trupor i rëndësishëm për zhvillimin e bebes, i cili e shndërron ushqyerjen në një përvojë nxënieje të bazuar te ndërveprimi. Nga kjo situatë lindin besimi që nëna ka te roli i saj amësor dhe një ndjenjë vlerësimi personal.

Për këtë arsye, ekspertët e fushës këmbëngulin në faktin që ushqyerja me gji është gjesti më i madh i dashurisë për një fëmijë, sepse rrit ndjenjën që lidh nënën dhe fëmijën.

 

2. Ul rrezikun e krijimit të alergjive

Edhe pse nuk ka dyshim që fëmijët më të vegjël e të pambrojtur mund të bëhen alergjikë, është po aq e vërtetë se një nga shkaqet e reaksioneve alergjike mund të jetë pikërisht qumështi artificial. Nga ana tjetër, qumështi i nënës, nuk mund të shkaktojë alergji tek i vogli. Falë pranisë së një acidi yndyror (DHA) qumështi i nënës favorizon zhvillimin e funksioneve nervore te fëmija.

3. Qumështi i nënës është një ilaç i vërtetë

Të ushqesh fëmijën me qumështin e gjirit në muajt e parë të jetës favorizon rritjen dhe zhvillimin, por jo vetëm, zvogëlon edhe mundësitë e obezitetit, tensionit të lartë, rakitizmit, anemisë dhe kariesit të dhëmbëve. Kjo sepse qumështi i nënës, përveç se e ushqen të sapolindurin, e furnizon atë edhe me antitrupa të nevojshëm për të kundërvepruar ndaj viruseve, baktereve dhe parazitëve. Në këtë mënyrë i vogli është i mbrojtur ndaj infeksioneve të ndryshme si: otiti, infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, infeksionet urinare, madje edhe meningjiti.

 

4. Ul rrezikun e vdekshmërisë neonatale

Ushqyerja me gji do të thotë të ulni rrezikun e vdekshmërisë tek të sapolindurit. Në fakt, kjo lloj ushqyerjeje në muajt e parë të jetës ka efekt mbrojtës kundër vdekshmërisë pas lindjes. Më në veçanti, meritën e këtij efekti e ka qumështi i nënës, i cili e mbron beben ndaj infeksioneve dhe ndaj të ashtuquajturës “sindroma e vdekjes së papritur”.

5. Qumështi i gjirit, i shkëlqyer edhe për nënën

Qumështi i gjirit ka kaq shumë përfitime për të sapolindurin, por nuk mungojnë as përfitimet për nënën. Avantazhe si për shëndetin e saj, ashtu dhe nga këndvështrimi psikologjik. Sipas studimeve të shumta, ushqyerja me gji për disa muaj, ka një fuqi parandaluese kundër tumorit të gjirit e të mitrës, e cila shfaqet para menopauzës, si dhe kundër osteoporozës. Zvogëlohet rreziku për të qenë viktima të osteoporozës, një sëmundje që prek shumë femra, falë faktit që trupi i tyre, pas periudhës së ushqyerjes me gji, rimerr kalciumin dhe mineralet që përthithte fëmija e për këtë arsye kockat bëhen më të forta.

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: Mammaoggi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top