Në fokus

June 5, 2020 | 8:08

Vera dhuron lumturi dhe energji

Vera përfaqëson një moment të nevojshëm për të fituar energjitë fizike dhe mendore. Të dimë të shkëputemi nga puna është një ilaç i vërtetë. Sido që të jenë pushimet: mal, det, liqen apo një udhëtim, rregulli nga i cili nuk duhet të heqim asnjëherë dorë është, ta shijojmë në maksimum, duke hequr prizën nga çdo gjë.

Fjala që mund të na ndihmojë ta bëjmë këtë gjë është “kurajë”. Po, kurajë për të hequr dorë nga të mbajtur nën kontroll çdo gjë dhe të shijojmë të tashmen.

Për shumë njerëz, sidomos për të rinjtë, vera përkon me përvoja të bukura e të papërsëritshme. Ndërsa ata që punojnë gjatë vitit, pushimet e verës janë një mundësi për t’u çlodhur, për t’u qetësuar, për të mos bërë asgjë. Kjo është një dëshirë që jo të gjithë kanë mundësi ta shfrytëzojnë, pasi edhe në verë punohet. Sidoqoftë, vera shërben për të marrë energji sa më shumë dhe për të hequr mendjen nga çdo gjë që gjatë vitit ju streson dhe ndikon përditshmërinë.

Që të shijoni sa më shumë ditët e pushimit psikologët sugjerojnë: STOP celularit, kufizojini telefonatat vetëm në ato me njerëzit që doni. STOP stresit social: jeta është e juaja, shijojeni, dhe tregojeni sa më pak në rrjetet sociale. STOP njerëzve që i takoni pa dëshirë dhe me detyrim. STOP orës, alarmit, internetit.

Dëshirë për lumturi

Mësoni të largoni sjelljet e vjetra, që nuk bëjnë më për ju dhe përqafoni një tjetër stil jetese. Mësoni zakone të reja që janë të shëndetshme dhe ju bëjnë mirë. Të vraponi drejt lumturisë është një gjë e thjeshtë, sepse do të thotë që të shijoni jetën, në vend që ta ndryshoni atë.

Ndryshoni zakonet

Ajo që edhe të vegjël stimulonte kuriozitetin tonë ishte mrekullia e diçkaje të paprekur dhe eksploruar më parë: luani duke krijuar situata të tjera. Bëhet fjalë për të ushtruar artin e improvizimit. Udhëhiquni nga instinkti, hani mëngjes në një lokal tjetër, zbuloni lagje të ku nuk keni shkuar ndonjëherë ose vende interesante, pranë shtëpisë. Botën e shihni edhe duke mësuar ta vështroni me një tjetër sy.

Lëvizni

Notoni, kërceni, vihuni në provë me një sport të ri që duhet ta mësoni. Shfrytëzoni orët më të freskëta, në mëngjes ose në mbrëmje që të vraponi. Do të jetë një eliksir i fuqishëm edhe për humorin. Sipas studimeve të fundit shkencore, shëtitja në mbrëmje, të paktën për pesëmbëdhjetë minuta është një zakon i shkëlqyer, pasi ul gliceminë dhe përmirëson qarkullimin.

Uji rigjeneron

Uji freskon trupin, rigjeneron shpirtin. Nëse jeni në det, mos u kushtëzoni për të marrë rreze dielli: notoni, shëtisni buzë detit. Mos u bëni dembelë dhe zbuloni fitnesin e ujit: mund të bëni gjimnastikë ose zhytje në ujë. Do të merrni ndjesi të shkëlqyera që do t’ju mbajnë ‘gjallë’ edhe kur të ktheheni në shtëpi.

Dëgjoni ndjenjat tuaja të brendshme

Vera është në kulm dhe pushimet në det janë destinacioni i të gjithëve: mendja dhe trupi mund të kenë nevojë për disa ditë, për të shkarkuar tensionin e grumbulluar gjatë vitit. Sidomos në dy ditët e para, për të çuar stresin me pushime, merrni kohë për të kuptuar ndjenjat tuaja të brendshme, evitoni planifikimin e çdo gjëje duke programuar ditën me aktivitete. Pushimet nuk janë sinonim i një vendi të ri, por i ritmeve të reja, i kënaqësisë për të kaluar kohën si të keni dëshirë dhe në liri të plotë.

Jeta ka rrjedhën e saj dhe nuk mund ta parashikojmë. Mësoni të mirëprisni të papriturat: pushimet janë një rast i shkëlqyer për të filluar. Të paktën gjatë pushimeve, si thoni të jeni pak më fleksibël? Mos i merrni gjërat shumë seriozisht, mos krijoni shumë pritshmëri, të cilat rrezikojnë t’ju izolojnë në një sistem të mbyllur.

Jeni me pushime, mendoni të buzëqeshni dhe të mos i jepni rëndësi rrëmujës. Ky ushtrim mund të jetë një strategji e shkëlqyer për t›u bërë më pak perfeksionist dhe të mësoni të shijoni më shumë jetën… edhe kur të ktheheni nga pushimet.

Fikni pajisjet elektronike

Kjo nuk do të thotë se duhet të bllokoni çdo komunikim, por thjesht ta kufizoni në sa më pak momente. Merrni pushim nga dëshira e vazhdueshme për internet, ku përfshihemi shpesh nga të rejat e fundit. Aftësua për t›u shkëputur është e barabartë me aftësinë për të krijuar një hapësirë heshtjeje brenda vetes.

Fikni çdo gjë pa ju vrarë ndërgjegjja! Ka ardhur momenti që të vëzhgoni botën që ju rrethon, të buzëqeshni, të kryqëzoni shikimet me të tjerët. Do t’ju ndodhin shumë takime interesante. Dhe, nëse ju pëlqen të mbani shënime mjafton të merrni një fletore dhe filloni të mbani një ditar pushimesh, ku të shkruani ndjenjat, projektet dhe intuitat.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top