Posta

June 5, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Dua të ndihmoj shoqen time

Përshëndetje e nderuar psikologe. Ju shkruaj për shoqen time të ngushtë. Është 23 vjeçe, ka natyrë të urtë, e turpshme dhe fal lehtë. Problemi është që, ajo, duke folur në një grup në messenger, u njoh me një djalë dhe u dashurua me të, por ai flirtonte dhe me vajza të tjera në grup, dhe jashtë tij. Ne e merrnim me shaka, por më vonë e kuptuam dhe bashkë me një shoqe tjetër, i thamë mos t’i fliste se ai tallej me të. Ajo s’i foli më, i bëri bllok, ndërsa ai djali filloi t’i kërkonte falje, duke u thënë miqve të përbashkët që ishte penduar. Shoqja ime e fali, por ai vazhdoi të sillej po njësoj. Shoqja ime ndihet e lënduar nga kjo situatë dhe ka kohë që nuk bëhet e gjallë me mua. Nuk di si ta shpëtoj. Qëndron e mbyllur. Ajo nuk e ka babanë, jeton vetëm me nënën, gjyshen, dhe dajën e madh të pamartuar. Gjithë kohën e kalon duke bërë punët e shtëpisë. Unë dua që ajo të bëhet më e gjallë, të dalë nga shtëpia ashtu si bashkëmoshataret e saj dhe të njohë dikë jashtë rrjeteve sociale.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje. Më vjen keq për situatën që është krijuar midis teje dhe mikeshës tënde. Rrjetet sociale kanë zëvendësuar në mënyrë jo të përshtatshme marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin. Situata e mikeshës suaj është një prej pasojave të këtyre rrjeteve. Njohjet nëpërmjet botës virtuale, krijojnë iluzione dhe fantazi të cilat manipulojnë perceptimin tonë mbi personin që kemi përballë. Pra, ne perceptojmë ose ndërtojmë një njeri tjetër nga ai që në të vërtetë mund të jetë. Edhe pse mund të zhgënjehemi shumë pasi e kemi takuar apo përjetuar me episode të marrëdhënies më të drejtpërdrejtë, sërish, emocionet e forta dhe drithëruese që kanë përshkruar mendjen dhe trupin gjatë kontakteve fillestare virtuale, kanë lënë gjurmë.

Këto të fundit krijojnë një varësi që sigurisht bazohet në këtë shtrembërim të mendjes. Ndaj dhe mikesha juaj ndjen dëshpërim. Nuk është e thjeshtë të dalësh nga situata të këtilla, sidomos kur edhe personi në fjalë është i predispozuar që të bie pre e këtyre shtrembërimeve, për shkak të personalitetit të saj. Ju do e keni të vështirë të bëni diçka për të, por ju tashmë po bëni një punë shumë të madhe dhe të rëndësishme në këtë histori: ju po i qëndroni pranë dhe mos u dorëzoni asnjëherë të jeni mbështetëse për të. Nuk është koha e gjykimit, vlerësimit të situatës apo moralit nga ana juaj, pasi mbi të gjitha, mikesha juaj nuk do të ndjehet e gjykuar.

Ju mund t’i tregoni çdo ditë se ju jeni për të aty, kurdo që ajo të ketë nevojë, edhe pse ndonjëherë do t’ju duket mosmirënjohëse. Përsa i përket situatës, do të duhet që mikesha juaj ta përjetojë dhe kalojë vetë atë. Çdo marrëdhënie e mirë ose jo, do të duhet të jetë eksperiencë personale për tjetrin, dhe këtë nuk e ndërtoni apo parandaloni dot ju. Le të mësojë prej “gabimit” të saj. Ju do të mund të ndërhyni, edhe duke lajmëruar familjarë apo njerëz të tjerë caktuar, nëse situata mund të kthehet në rrezik për jetën. Uroj që të mos jetë kështu, pasi do të duhet të njoftoni autoritetet përkatëse.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top