Editorial

October 15, 2016 | 8:03

Viktimat e krimeve dhe Media

Nga Jeta Toçila Shkurti Psikologe ligjore

Nga Jeta Toçila Shkurti
Psikologe ligjore

Nëse jeni viktimë e një krimi, media mund të dojë t’ju intervistojë. Është në dorën tuaj kur jeni në moshë madhore të vendosni të ndani ose jo historinë tuaj me publikun. Por nëse nuk doni, duhet të dini se, të qenit viktimë nuk do të thotë se nuk keni të drejtë për privatësi. Viktimat që nuk duan të flasin me median mund të refuzojnë në çdo kohë. Ndërkohë që, viktimat që zgjedhin të ndajnë informacion me publikun, duhet të përgatiten paraprakisht lidhur me ankthin që mund t’u shkaktojnë pyetjet. Edhe pse ato mund të jenë në gjendje shoku ose të traumatizuar, gazetarët kërkojnë përgjigje për pyetjet dhe nuk duan të presin. Ka shumë gazetarë që përpiqen të tregojnë respekt ndaj viktimave, por ka prej tyre që nuk kanë formimin e duhur mbi mënyrën e qasjes ndaj një viktime.

Mund të ndodhë, siç edhe ka ndodhur, të paraqesin të dhëna vetjake dhe detaje që prekin thellë viktimën, sidomos kur është i/e mitur dhe që mund të kenë ndikim negativ në të ardhmen e saj. Por media nuk mendon pasojat e viktimës, por vetëm impaktin e lajmit në audiencën e saj. Prandaj viktimave u duhen përsëritur vazhdimisht nga mbrojtësit e tyre, kujdestarët apo punonjësit socialë, që mund të kenë kontaktin e parë me to, se ndërveprimi me median pas viktimizimit mundet të çojë në riviktimizim dhe të ndikojë negativisht në procesin e rikuperimit, prandaj duhen marrë në konsideratë informacionet e mëposhtme:

1. Ju gjithmonë keni mundësinë e zgjedhjes nëse do flisni ose jo me median për problemet tuaja. Nëse zgjidhni të flisni, është me rëndësi të dini se do të keni pak kontroll mbi atë se çfarë media do të përcjellë dhe se si do prezantohet në publik.

2. Asnjëherë mos flisni “off the record”. Gjithçka që thoni në një intervistë regjistrohet. Përgatituni për intervistën dhe mbani një person mbështetës me vete. Ose ndoshta mund t’ju përfaqësojë dikush para medias.

3. Nëse po kryhen hetime mbi çështjen tuaj, mbulimi që i bën media mund të ndikojë në proces. Prandaj është me rëndësi të konsultoheni me zyrën e ndihmës ndaj viktimave pranë prokurorive, se çfarë duhet e nuk duhet të thoni në media.

4. Kini kujdes se çfarë postoni në median sociale, pasi gazetarët mund ta përdorin për lajmin e tyre.

5. Privatësia juaj mund të jetë e vështirë për t’u ruajtur. Media mund të raportojë natyrën dhe detajet e çështjes suaj edhe kur ajo është sensitive.

6. Kujtoni se media mund të raportojë mbi një proces penal në çdo kohë, madje edhe pas dhënies së vendimit mund të sillet në vëmëndjen e publikut disa herë, madje edhe pas disa vitesh. Ka patur raste në vendin tonë që u janë japur familjarëve plagët e vjetra të një krimi nga një emision pas shumë vitesh nga kryerja e krimit.

7. Interesi i medias dhe kronikat variojnë sipas rasteve. Nëse historia është konsideruar bombastike, mediat do të konkurojnë me njëra-tjetrën qoftë edhe për vetëm një detaj.
8. Ngjyrimi i mbulimit të medias mund të ndryshojë në çdo kohë. Për shembull, fillimisht viktima përshkruhet me nuanca pozitive, pastaj papritmas mund të bëhet negative. Viktimat mund të fajësohen për çfarë u ka ndodhur, për shembull nëse zbulohet se viktima ka një precedent penal.

Nëse ti që po lexon këto rreshta je viktimë e një krimi, duhet të dish se historia jote është dhimbja jote. Për shumë të tjerë është veç një histori debati televiziv ose kafeneje. Dhimbjen tënde përpiqu ta ndash me profesionistët, të cilët e kanë detyrim ligjor të kujdesen për ty. Duhet të dish se në çdo komisariat policie, prokurori, njësi administrative, bashki apo qendër sociale do të gjendet një punonjës që do të të ndihmojë, edhe nëse 50 të tjerë nuk janë ndihmues. Fillo me rikuperimin e vetes e më pas historinë e suksesit tënd mund t’ia bësh me dije medias. Ti vendos!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top