Në fokus

August 11, 2020 | 8:01

Zerina Qendro: Identiteti gjinor në fëmijëri

 

 

Dallimi midis orientimit gjinor dhe seksual në fëmijërinë e hershme

Zerina Qendro, Psikologe Këshillimi

Zerina Qendro, Psikologe Këshillimi

Shprehja gjinore, identiteti gjinor dhe orientimi seksual nuk janë të njëjta. Identiteti gjinor ka të bëjë me atë që ju mendoni se jeni si person. Orientimi seksual ka të bëjë me gjininë e njerëzve nga  të cilët jeni të tërhequr seksualisht.

Shprehja e një fëmije për preferencat që kanë të bëjnë me gjininë (me miq, aktivitete, zgjedhje veshjesh, modele flokësh, etj), nuk parashikon domosdoshmërish se cili do të jetë identiteti i tij gjinor ose orientimi seksual i tij më vonë në jetë (Shoqata Psikologjike Amerikane, 2015).

Mosha në të cilën vendoset identiteti gjinor ndryshon. Identiteti gjinor për disa fëmijë mund të jetë mjaft i fortë kur ata janë dy ose tre vjeç. Për të tjerët mund të jetë i paqartë deri në adoleshencë.

1

Mosha në të cilën një individ bëhet i vetëdijshëm për orientimin e tij seksual, d.m.th., ndjenjat e tij të tërheqjes për një gjini ose tjetrën, ndryshon. Ndjenja të tilla mund të shfaqen gjatë fëmijërisë, adoleshencës, ose më vonë në jetë (Campo-Arias, 2010; Gender Spectrum, 2012). Pranimi familjar i identitetit gjinor të një fëmije është një faktor kritik në zhvillimin e fëmijës (AAP, 2015; Gender Spectrum, 2012; Ryan et al, 2010). Sido që të jetë identiteti gjinor i një fëmije, një mesazh shumë i rëndësishëm që të rriturit në mënyrë të kujdesshme mund t’u japin fëmijëve të vegjël është se: Ata janë qenie njerëzore të shëndetshme dhe të mirë.

Të jesh djalë apo vajzë për shumicën e fëmijëve është diçka lehtësisht e dallueshme. Në lindje, foshnjat caktohen mashkull ose femër bazuar në karakteristikat fizike. Kjo i referohet “seksit” ose “gjinisë” të fëmijës. Ndërkohë, “identiteti gjinor” i referohet një sensi të brendshëm që kanë njerëzit se kush janë ata, që vjen nga një ndërveprim i faktorëve biologjikë, ndikimeve të zhvillimit dhe kushteve mjedisore. Kështu mund të jetë mashkull, femër, diku në mes, një kombinim i të dyjave. Vetë-njohja e identitetit gjinor zhvillohet me kalimin e kohës, në të njëjtën mënyrë si trupi i një fëmije. Te shumica e fëmijëve identiteti i pohuar i gjinisë përputhet me gjininë (seksin) e caktuar. Sidoqoftë, për disa fëmijë, ndeshja midis gjinisë së tyre dhe identitetit gjinor nuk është aq e qartë.

2

Ndërgjegjësimi i rolit të gjinisë

Fëmijët mësojnë për identitetin e tyre gjinor (të njohin nëse ata janë meshkuj ose femra) që në moshën tre vjeç. Ndikimi dhe riforcimi i roleve gjinore vjen gjithashtu edhe nga lodrat me të cilat fëmijët luajnë. Gjatë periudhës kur janë shumë të vegjël, ata i marrin lodrat kryesisht nga të afërmit, të cilët i zgjedhin ato në përputhje me pikëpamjet e tyre për rolet gjinore. Ata mund t’i dhurojnë një kukull një vajze, por asnjëherë një lodër të tillë një djali. Të tilla dhurata krijojnë që herët te fëmijët rolet të cilat pritet që ata të marrin. 
Modeli i stadeve të qëndrueshmërisë së gjinisë, përfshin:

identitetin e gjinisë (“Unë jam një djalë/vajzë”),

stabilitetin e gjinisë (“Unë do të rritem që të bëhem një burrë/grua”) dhe

qëndrueshmërinë e gjinisë (“Unë nuk mund ta ndryshoj seksin tim”).

Të dhënat nga një numër studimesh kanë konfirmuar këtë progresion teorik:

Rreth moshës trevjeçare pothuajse shumica e fëmijëve shpalosin një identitet gjinor më të madh. Stabiliteti gjinor vijon në moshën katërvjeçare dhe konsistenca gjinore rreth pesë vjeç. Meshkujt dhe femrat përparojnë përmes këtyre stadeve pak a shumë në të njëjtën kohë. Ky përparim është demonstruar në një seri kulturash, megjithëse fëmijët në shumë vende jo-perëndimore shfaqet se përparojnë përmes këtyre stadeve në një mënyrë më të ngadaltë, (Unger, 2004).

Nga ana konceptuale pandryshueshmëria e gjinisë është e ngjashme me konservatorizmin e Piazhesë.

Në të dy rastet fëmijët duhet të kuptojnë se gjinia mund të mbetet e njëjtë edhe kur një aspekt perceptues i saj ndryshon. Kështu fëmijët mësojnë se pikërisht si numri i monedhave mbetet i njëjtë edhe kur janë të shpërndara edhe të vendosura në një grumbull, edhe gjinia e një personi nuk ndryshon nëse ai ose ajo vesh rroba të seksit tjetër.

3

 

Disa aspekte të tjera njohëse të rolit gjinor janë studiuar, si p.sh: 

Aspekti i ndërgjegjësimit të faktit se “mashkulli” dhe “femra” janë kategori të ndryshme dhe se karakteristikat, objektet dhe veprimtaritë e veçanta janë të lidhura në mënyrë tipike me secilën prej tyre dhe janë emërtuar njohuria e rolit të gjinisë.

Nga mosha dyvjeçare, fëmijët mund të ndajnë në mënyrë të saktë figurat e meshkujve dhe të femrave dhe sendet e tjera të lidhura me to (për shembull rrobat, mjetet, pajisjet) në grumbuj të veçantë dhe munden të tregojnë në mënyrë të saktë figurat e sendeve të meshkujve dhe të femrave – dy detyra që përdoren shpesh për të kontrolluar njohuritë e fëmijës mbi rolin e gjinisë. Gjithashtu interesante është se fëmijët nuk mund të emërtojnë saktë lodrat në lidhje me stereotipet e tyre gjinore deri në një vit më vonë, (Maccoby, 1988).

Fëmijët katërvjeçarë i lidhin ngjyrat me gjininë mashkullore (blu, kafe dhe gështenjë) ndërsa femrat (rozë dhe të purpurt) në të njëjtin mënyrë si veprojnë edhe të rriturit. Por njohuritë rreth sjelljeve stereotipike për një seks të caktuar nuk lindin në mënyrë të qëndrueshme deri në moshën pesëvjeçare. Përpara kësaj moshe pak fëmijë i kategorizojnë gjurmë të tilla sjelljesh si agresivitetin, dominimin, sjelljen e këndshme ose emocionet si mashkullore apo femërore dhe ky lloj klasifikimi rritet vetëm në mënyrë të përshkallëzuar gjatë fëmijërisë (Berk, 2013)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top