FB

May 20, 2022 | 9:53

Zhvillimi i shprehive të të menduarit dhe strategjitë e zgjidhjes së problemeve

 Studiuesit, psikologët, sociologët, mësimdhënësit, drejtuesit e arsimit, prindërit etj., janë bërë të vetëdijshëm në këtë kohë se po jetojmë në  një proces ndryshimi, jashtë zakonisht të shpejtë duke u bazuar në arritjet dhe përvojat më bashkëkohore. Shoqëria jonë po ndryshon drejt një progresi me vlera dhe standarte të një shoqërie demokratike ku ka për bazë, në një drejtim: detyrat, të drejtat dhe interesat. Ndërsa në drejtimin e dytë: shtetin demokrati, shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Në këto ndryshime po thellohet kuptimi dhe qëndrimi dhe aplikimi i ekonomisë së tregut të lirë, kundrejt koncepteve të ekonomisë së centralizuar të para viteve 90. Po kështu nga një makineri e prapambetur, në një teknologji informative, ndaj dhe nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., sikurse dhe mësuesit, pedagogët dhe drejtuesit në arsim i të gjitha niveleve, u nevojiten shprehitë dhe dijet teorike të qëndrueshme dhe ato aplikative të vetëdijshme, për tu a përshtatur sa më shpejt e sa më lehtë ndaj këtyre ndryshimeve që ndodhin dhe që janë të pakthyeshme. Në këtë sens po qe se mësuesit nuk pajisen vetë me shprehitë e kohës dhe të stadit të zhvillimit shoqëror, nxënësit që ata mësojnë, formojnë dhe edukojnë, do të jenë të pa përgatitur për të përmbushur kërkesat e sotme të shoqërisë dhe të zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë së digjitalizuar.

Nga: Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Proceset komplekse të të menduarit / Shprehitë e të menduarit

Psikologët e edukimit të preokupuar për proceset komplekse të edukimit, kanë bërë një punë mjaft të studiuar, sa kërkuese dhe shkencore, në lidhje me fushën e arsimimit, duke patur për objekt të menduarit, nisur nga vlerat dhe shkalla e lartë e dobishmërisë si për mësimdhënësit, nxënësit e gjithë të interesuarit për arsimin.

E gjithë teknologjia arsimore (si rezultat i ndryshimeve ekonomiko-shoqërore), sado e vlefshme që është, duhen bërë përpjekje edhe të mëtejshme, të shoqëruara me dije teorike, mendime, propozime dhe angazhime serioze dhe të argumentuara për të bërë më të mirën, për të përmbushur sa dhe si duhet kërkesat e kohës në fushën e arsimit dhe sidomos për t’i pajisur nxënësit, studentët dhe kërkuesit e master-ave etj., me shprehi dhe vlera qytetarie.

Është mëse e nevojshme që në një shoqëri demokratike, mendimi kritik është aftësia për të menduar qartë dhe në mënyrë racionale. Ai përfshin aftësinë për t’u përfshirë në mendime reflektive dhe të pavarura, për të korrigjuar gabimet dhe për të kapërcyer pengesat, pse jo dhe për t’ju nënshtruar llogaridhënieve.

Një person me mendim kritik mund të bëj gjërat e mëposhtme.

-kuptojë lidhjet logjike midis ideve

-identifikojë, ndërtojë dhe vlerësojë argumente

-zbulojë gabime të zakonshme dhe mungesë konsistence në arsyetim

-zgjidhë probleme sistematikisht

-identifikojë lidhjet dhe rëndësinë e ideve

-reflektojë mbi justifikimin e besimeve dhe vlerave të veta

Mund të thuhet se qartësia dhe racionaliteti përbejnë bërthamën e konceptimeve të ndryshme mbi mendimin kritik. Mendimi kritik nuk ka të bëjë me akumulimin e informacionit. Një person me kujtesë të fortë dhe me bagazh të madh faktesh nuk është e thënë të jetë një njeri i mirë kritik. Një njeri kritik është i aftë të nxjerrë rrjedhojat nga faktet që njeh dhe di gjithashtu si të përdorë informacionin për të zgjidhur probleme dhe për të kërkuar burime të sigurta informacioni për veten.
Mendimi kritik nuk duhet ngatërruar me të pasurit argumente, ose me të qenit kritik me persona të tjerë. Megjithëse aftësia e mendimit kritik mund të përdoret për të nxjerrë në pah të metat e një arsyetimi të keq, mendimi kritik mund të luajë një rol të rëndësisshëm në arsyetimin bashkëpunues dhe detyrave konstruktive.

Mendimi kritik mund të na ndihmojë për të përvetësuar njohuri, përmirësuar teoritë tona dhe për të përforcuar argumentet. Mund ta përdorim mendimin kritik për të rritur eficensën dhe efikasitetin e proceseve të punës dhe për të përmirësuar institucionet tona sociale.

Mendimi i mirë kritik mund të shihet si themeli i shkencës dhe i një shoqërie të lirë demokratike. Shkencës i nevojitet mendimi kritik për eksperimentimin dhe konfirmimin e teorive. Funksionimi i duhur i një shoqërie liberale dhe demokratike ka nevoje për qytetarë të aftë për të menduar në mënyrë kritike mbi çështjet sociale dhe për të dhënë gjykimin e tyre të drejtë mbi qeverisjen e drejtë dhe kapërcimin e tendencave të paragjykimit.

Për të menduarit kritik midis shumë përcaktimeve, shtjellojmë dy prej tyre:

a.“Të menduarit kritik është procesi i reflektimit të arsyeshëm që përqendrohet në marrjen e vendimeve, se çfarë do të besojmë ose të bëjmë praktikisht” (Robert Ennis, 1987)

Enisi shprehet se përmbajtja e përkufizimit është me bazë filozofike dhe ka terma mjaft përcaktues si: praktik, reflektiv, i arsyeshëm, besim dhe veprim. Të menduarit  kritik është një veprimtari praktike dhe reflektive, që ka qendër besimin e arsyeshëm ose veprimin si qëllim të tij. Kur arrijmë të shqyrtojmë shprehitë që shfaqen nga ky përcaktim, do të zbulojmë se përcaktimi i Enisit përfshin prirjet dhe aftësitë.

b.“Të menduarit kritik përmbledh proceset mendore, strategjitë dhe përdorimin e shembujve të njerëzve për zgjidhjen e problemeve, për marrjen e vendimeve dhe për përvetësimin e koncepteve të reja”. Robert Sternberk (1985).

Ky përkufizim reflekton angazhimin psikologjik rreth të menduarit dhe inteligjencës. Përcaktimi sipas tij i këtij koncepti është rezultati i një analize psikologjike me fokus mendimin kritik, veçanërisht për lidhjen e tij me inteligjencën. Sipas kësaj pikëpamjeje inteligjence do të zbulojmë më tej cilësitë e të menduarit kritik

Vlerat e inteligjencës në lidhje me të menduarit / Inteligjenca dhe të menduarit

Pak a shumë të njëjtën dilemë do të mendonin të gjithë mësuesit dhe pedagogët në kuptimin: Si t’i ndihmojmë nxënësit dhe studentët që të realizojnë potencialet e tyre? Në lidhje me këtë temë do të merremi kryesisht me disa rekomandime mbështetur në të dhënat e fundit të kërkimeve për inteligjencën.

Është mëse e ditur se çdo teori e inteligjencës që të jetë e besueshme, duhet të plotësojë tri kushte:

a.të lidhë inteligjencën me botën e brendshme të individit, të shpjegojë se çfarë ndodh kur ai mendon intelektualisht;

b.duke pranuar lidhjen midis botës së jashtme dhe inteligjencës, të shpjegojë funksionimin e inteligjencës në “botën reale”;

c.lidhjen e inteligjencës me përvojat personale, të zbulojë mënyrën e ndikimit të saj mbi to.

Nisur nga këto kushte, le të shohim disa modele interpretimi mbi inteligjencën si:

a.“modeli trepjesësh”, i Sternbergut

b.“inteligjenca e shumëfishtë”, e Gardnerit

c.“struktura e të menduarit” e Përknezit

a/1. “Modeli trepjesësh”, i Sternbergut

Sipas Sternbergut aftësitë intelektuale dhe cilësitë e të menduarit janë të pandashme edhe se kanë të bëjnë më shumë me inteligjencën se sa me të menduarit.

Sipas tij këto tri aspekte janë:

1.Përbërëse

2.Provuese

3.Kontekstuale

Le të përshkruajmë aspektet sipas Sternbergu

Aspekti përbërës i inteligjencës

Ky përbërës në vetvete përbëhet nga tre komponentë bazë të cilët janë:

a.Metakomponentët

b.Komponentët e kryerjes së veprimit

c.Komponentët e përfitimit të njohurive

a/1.Metakomponentët: janë mekanizma ekzekutivë të inteligjencës që nxënësi i përdor për të planifikuar, vëzhguar strategjitë e zgjidhjes së problemit. Këto kanë të bëjnë me:

-Identifikimin e natyrës së problemit

-Përzgjedhjen e hapave të nevojshme për ta zgjidhur atë

-Përcaktimin e planit dhe vlerësimin e zgjidhjes

b/1.Komponentët e kryerjes së veprimit: janë mekanizma të ekzekutivit të veprimit. Midis tyre, më të rëndësishëm janë ata mekanizma që kanë të bëjnë me marrëdhëniet, mbartjen e këtyre lidhjeve te stimuluesi apo ngacmuesi i ri dhe krahasimi i tipareve të stimuluesve. Nxënësit kanë nevojë të marrin sa më shumë informacion e ta përpunojnë atë me anë të këtyre mekanizmave, përpara se të nxjerrin përfundime.

c/1. Komponentët e përfitimit të njohurive: kanë të bëjnë me mekanizmat e:

-përdorimit të gjuhës

-me zgjedhjen e fakteve

-me mekanizmin e zgjidhjes së problemeve

Kyçi i suksesit të tyre është të përcaktojmë faktet që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjidhjen. Në lidhje me këtë komponent Sternbergu ka përcaktuar tre mekanizma të rëndësishëm për përvetësimin e njohurive:

a.Përzgjedhja konjitive

b.Kombinimi i përzgjedhjes

c.Krahasimi i përzgjedhjes

a/1.Përzgjedhja konjitive: mekanizëm me anën e të cilit zbulohen faktet që nuk janë të dobishme për momentin. P.sh., Flemingu në zbulimin e penicilinës vuri re se në eksperimentin e tij se, megjithëse myku i kërpudhës kishte dëmtuar eksperimentin, bakteret kishin ngordhur.

b/1.Kombinimi i përzgjedhjes: mekanizëm me anën e të cilit individët kërkojnë rrugë e mënyra për të kombinuar me përzgjedhje faktesh të palidhura midis tyre.

c/1.Krahasimi i përzgjedhjes: mekanizëm me anën e të cilit personi krahason informacionin e ri me atë ekzistues. Sternbergu thekson se këta mekanizma kanë një ndërveprim të ngushtë mes tyre. Përgjithësisht ata veprojnë njeri pas tjetrit duke i dhënë mundësi çdo individi të:

-planifikojë

-veprojë

-të njihet me rezultatin e punës së tij

2.Aspekti provues i inteligjencës: ky komponent nga Sternbergu është përcaktuar si provues. Përvoja rrit aftësinë për t’u marrë me detyra të reja dhe për ta automatizuar përpunimin e informacionit si p.sh., leximi është një shembull i mirë për ta ilustrim sikur të mendohet çdo germë, atëherë do të prishej kuptimi i pjesës, gjë që do të thotë se kjo s’mund të ndodhë. Nevojiten kështu procese automatike provuese për të verifikuar nëse individi është në gjendje të zgjidhë probleme komplekse.

3.Aspekti kontekstual i inteligjencës:  ky komponent ka të bëjë me mekanizmat e vendosjes së problemit për të cilin mendohet në një kontekst të caktuar. Ai specifikon funksionet në të cilat zbatohen komponentët në bashkëveprim me botën e jashtme. Thelbi i aspektit konstekstual të inteligjencës është përshtatja.

Përshtatja ka tre nivele:

-përshtatje të mjedisit ekzistues, me qëllim që të përshtatet më mirë me të menduarit dhe zgjedhjen e problemit.

-përshtatje të mjedisit ekzistues në përputhje me nevojat që dalin.

­-përzgjedhje e mjediseve të reja, veprim i cili nënkupton vlerësimin e mjedisit aktual dhe zgjidhjen e mjediseve të reja më të favorshme.

Për kujtesë: nëse kërkoni te vetja dhe tek të tjerët që të njihni dhe të gjeni këto përcaktime të inteligjencës, ndoshta mund të identifikoni se cili aspekt i saj është dominant.

  1. Gardneri dhe inteligjenca e shumëfishtë

Gardneri është bërë i njohur dhe i vlerësuar për teorinë e tij të inteligjencës së shumëfishtë (1983-1991). Sipas tij, të menduarit reflekton aftësi intelektuale. Por kjo nuk është e tërë inteligjenca. I njëjti nxënës  apo individ, i cili ka gjykime të mprehta në lëndën e matematikës, por nga ana tjetër mund të jetë i prapambetur në lëndën e muzikës. Edhe pse këto ide janë akoma teorike, ato përpiqen t’iu japin përgjigje problemeve të inteligjencës.

Përcaktimi i inteligjencës

Sipas Gardnerit teoria e inteligjencës së shumëfishtë ka një shtrat të dyzuar si:

-Investimi kulturor (nivel i caktuar kulturor i individit).

-Si dhe një bazë biologjike

Gardneri përshkruan tetë postulate për përcaktimin e inteligjencën e shumëfishtë si:

1.Duhet pranuar mundësia e dëmtimit të trurit: nëse dëmtohet truri shkatërrohet një aftësi e caktuar, që duket se nuk është e varur nga ndonjë tjetër defekt.

2.Duhet pranuar ekzistenca e njerëzve të veçantë: ka individë që bien në sy për zhvillimin e tij mbi të tjerët, si p.sh., aftësitë matematikore që i kalojnë aftësitë e moshatarëve të tyre, ndërsa aftësitë e tjera i kanë si dhe të bashkëmoshatarëve.

3.Duhen matur veprimet bazë: këtu përfshihen veprimet për përpunimin e informacionit, që janë aftësi të nivelit mjaft të lartë. P.sh., atletët e talentuar, vlerësojnë stimujt e shumëfishtë, gjykojnë vlerat e tyre dhe në mënyrë të menjëhershme, komunikojnë informacionin në tru.

4.Duhet marrë parasysh historia e zhvillimit të veçantë: çdo inteligjencë mund të kalojë në stade të dallueshme zhvillimi.

5.Duhet marrë parasysh ndonjë histori evolucionare: përparësitë e inteligjencës identifikohen edhe në specie të tjera jonjerëzore. Këto mund të shfaqen si elementë të veçantë e të dallueshëm në këto specie dhe të integrohen vetëm te njerëzit.

6.Duhet marrë parasysh të dhënat eksperimentale: Autonomia e inteligjencës mund të provohet për t’u shqyrtuar nëse faktet mbështetin apo jo teorinë.

7.Duhet mbështetje nga matjet psikometrike: testet e standardizuara janë të ngjashme me ato që matin IQ, koefiçientin e inteligjencës.

8.Të dhënat duhen transformuar në një sistem simbolik: mund të ketë disa kuptime për të shndërruar përmbajtjen e informacionit të koduar të inteligjencës.

C.Strukturat e të menduarit sipas Përkinzit

Psikologu Dejvid Përkinz, (1987), në lidhje me të menduarit ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve midis mësimdhënies dhe inteligjencës. Ai duke besuar se shkolla duhet të bëjë më shumë për zhvillimin e shprehive të të menduarit, pohonte se çdo strategji në mësimdhënien e cilësive të të menduarit do të përballet me problemin e inteligjencës. Pyetjet që shtrohen është e thjeshtë: a kemi mundësi të përmirësojmë inteligjencën për mes ushtrimit të nxënësve që të mendojnë më mirë?

Përkinzi besonte se pyetja kryesore së cilës i duhet dhënë përgjigje është: Cilët janë faktorët psikologjikë që kontribuojnë në një zhvillim më të gjerë dhe më cilësor të inteligjencës? Ai e gjeti përgjigjen në modelet e punës së tij dhe pohoi se psikologët modernë kanë përshtatur tri modele të inteligjencës si:

a.Një teori e fuqishme bashkëkohore e inteligjencës: e cila varet nga efektiviteti neurologjik i trurit (interpretim gjenetik).

b.Një teori taktike e inteligjencës: thelbi i së cilës është se ata që mendojnë më mirë e bëjnë këtë se dinë më shumë taktika rreth mënyrës se si të përdorin mendjet e tyre.

c.Një teori e përmbajtjes së inteligjencës: e cila reflekton një vështrim të inteligjencës si një bazë e pasur njohurish. Zotërimi i materialit faktik është në zemër të të menduarit dhe zgjidhjes së problemit.

Përkinzi beson se, një nga teoritë e vetme nuk na jep përgjigjen e duhur për inteligjencën, ndërsa të tre teoritë të kombinuara, marrim një përgjigje për çështjen e shtruar. Në këtë këndvështrim ai e konceptoi inteligjencën si më poshtë:

INTELIGJENCA: Fuqi + Taktikë + Përmbajtje

Përkinzi më pas e ktheu vëmendjen në rrugët për kultivimin e shprehive të të menduarit, të cilat mund ta përmirësojnë inteligjencën. Ai theksoi se shkolla mund të bëjë më shumë rreth fuqizimit të inteligjencës, ndoshta kanë bërë shumë më tepër lidhur me përmbajtjen e saj. Në këtë kuptim Përkinzi u përqendrua në taktikat dhe strategjitë, si shpresat më e mirë për të realizuar synimet e mësipërme. Duke përshkruar inteligjencën taktika, si një “çantë me marifete”, ai propozoi termin “struktura e të menduarit”, për të përshkruar “marifetet prej të cilave përbëhet inteligjenca taktike”.

Struktura e të menduarit: janë paraqitjet që e udhëheqin procesin e të menduarit nëpër:

-Mbështetjes

-Organizimit

-Aktivizimit të tij

Përkinzi shtronte hipotezën se njerëzit mësojnë strukturat e të menduarit nëpërmjet një procesi me tre hapa, i cili përfshin:

1.Përvetësimin

2.Përgjithësimin

3.Transferimin

1/1. Në përvetësim: nxënësit ndeshin dhe transferojnë bazat e strukturës me anë të mësimdhënies së drejtpërdrejtë apo zbulimit. Detyra e mësuesit është t’i ndihmojë ata të modelojnë një paraqitje të temës apo çështjes.

2/1.Në përgjithësim: nxënësit e bëjnë procesin automatik. Përgjithësimi vjen përmes praktikës nëpërmjet shembujve të thjeshtë, deri sa bëhet i rrjedhshëm dhe spontan. Kujtesa gradualisht bëhet automatike. Praktika e kuptueshme dhe kujtesa ndihmon drejt përpunimit automatik.

Në transferim: nxënësit përdorin strukturën në një llojshmëri të gjerë të kontekstit. Për sa kohë nuk ndodh spontanisht transferimi apo përgjithësimi, mësimdhënia për të duhet të vazhdojë.

Shkurt: Struktura e të menduarit e Përkinzit, ka ndikuar në përmirësimin e mësimdhënies duke kultivuar te nxënësit shprehi të të nxënit aktiv dha afatgjatë.

Taksonomisë së Blumit për të ndihmuar nxënësit në zhvillimin e të menduarit në një nivel të lartë

Taksonomia  (ose sistem  klasifikimi) e Blumit

“Në nga vështirësitë më të mëdha në edukim është përcaktimi i qëllimeve.” Beniamin Blumi

Beniamin Blumi në krye të disa ekspertëve, studioi idenë e përcaktimit të objektivave në mënyrë mjaft sistematike. Ata zhvilluan një taksonomi ose sistem klasifikimi 9nga greqishtja: texis-renditje, nomos-ligj), të objektivave mësimorë.

Objektivat ndahen në tre seksione:

 1.Njohëse

 2.Emocionale

 3.Psikomotore

1/1.Seksioni njohëse: kur nxënësit kujtojnë ose arsyetojnë

2/1. Seksioni emocionale: kur nxënësit ndjejnë përgjegjësitë emocionale për detyrën

3/1. Seksioni psikomotore: kur nxënësit shkruajnë

Këto fusha edhe se janë të ndara ndodhin njëherësh, nëpër shkolla shpesh mësimi fokusohet vetëm në ndryshimet njohëse.

Beniamin Blumi dhe kolegët e tij botuan një klasifikim (1956), të qëndrueshëm të qëllimeve arsimore të titulluar: ”Taksonomia e objektivave mësimorë” 

Pjesa e parë: “Sfera Njohëse”

Së pari: ai besonte se taksonomia do të ndihmonte në ndërtimin e kurrikulimit.

Së dyti: mund të identifikonte sjellje të ndryshme në çdo plan

  • Riprodhim
  • Përcaktim
  • Krahasim

Së treti: mund të ndihmonte në përgatitjen e përvojave të të nxënit dhe mekanizmat e vlerësimit.

Së katërti: mund të shërbente si një mjet për të analizuar proceset arsimore

Taksonomia e Blumit, përdoret sot në një masë të gjerë e cila përbën thelbin e mjaft programeve për zhvillimin e të menduarit. Qëllimi kryesor i taksonomisë është të sigurojë një klasifikim të qëllimeve të sistemit arsimor.

Siç përmendëm më lart taksonomia përbëhet nga tri seksione kryesore që përfshijnë sferat njohëse, emocionale dhe psikomotore.

Në këtë material do të merremi me sferën njohëse e cila është e ndarë në gjashtë nivele kryesore si:

1.Njohja: riprodhimi i fakteve specifike

2.Të kuptuarit: përvetësimi i asaj që është komunikuar

3.Zbatimi: përgjithësimi dhe përdorimi i informacionit abstrakt në situata konkrete

4.Analiza: ndarja e prodhimit në nënpjesë dhe zbulimi i marrëdhënieve midis pjesëve

5.Sinteza: vendosja së bashku e pjesëve për të formuar një të tërë

6.Vlerësimi: përdorimi i kritereve për të bërë gjykime

Blumi dhe kolegët e tij pohuan që këto gjashtë nivele paraqesin një hierarki të klasave të ndryshme të objektivave. Secila nga këto kategori ndahet më tej në objektiva më specifikë.

Psikologët e edukimit dhe edukatorët kanë pranuar dhe praktikuar tre nivelet më të larta të  taksonomisë: analiza, sinteza dhe vlerësimi, të cilat janë bërë mjaft të vlefshme në ndërtimin e taksonomisë së aftësive të të nxënit.

Blumi justifikon renditjen e kategorive nga të thjeshta në komplekse duke theksuar se një sjellje e thjeshtë mund të integrohen me të tjerat e të formojë kështu një sjellje më të ndërlikuar. Kështu p.sh., mbledhja, zbritja dhe shumëzimi i numrave janë të nevojshme për të zotëruar më pas pjesëtimin e numrave me shumë shifra.

III.Përdorimi i strategjive të zgjidhjes së problemit
Midis shumë sugjerimeve për arritjen e qëllimeve në përdorimin e strategjive të zgjidhjes së problemit të dhënë nga psikologë të shumtë, kemi përzgjedhur këto:

Mësimdhënia e zgjidhjes së problemit duhet të fillojë me përmbajtjen me të cilën nxënësit ndihen më të sigurt, vetëm gradualisht mund të fillohet me nocione të ndryshme rekomandojnë Rumeihart dhe Normën (Rummeihart dhe Norman,1981). P.sh., përpara se tu kërkohet nxënësve se çfarë mendojnë ata për pasojat që shkaktoi ndryshimi i klimës politike në Evropën Lindore, ata duhet të kenë njohuri bazë të zhvillimit politik, ekonomik, historisë dhe gjeografisë së këtyre popujve. Në mënyrë të ndërgjegjshme zgjidhni mësimdhënien e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë. Ne diskutimin e tij për metodat e zgjidhjes së problemit, Doil (1983) bënte këtë dallim midis mësimdhënies së drejtpërdrejtë dhe asaj indirekte: në mësimdhënien e drejtpërdrejt kërkesat janë të përcaktuara qartë, me hapa të përcaktuar për zotërimin e çdo hapi për zgjidhje. Mësimdhënia indirekte përfshin detyra jo aq të përcaktuara qartë dhe nxënësit përdorin vetëzbulimin në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet e tyre për zgjidhje. Mësimdhënia synon të sigurojë mundësi për nxënësit në ndërmarrjen e përgjithësimeve dhe të procedurave të tyre. Për ata nxënës të cilëve u nevojitet ndihmë në zgjidhjen e problemeve, mësimdhënia e drejtpërdrejtë është ndoshta më e mira. Mund të fillohet duke i pyetur nxënësit për arsyet pse një popull i shtypur mund të rrezikojë përmbysjen e qeverise se tij, pas diskutimeve të para për idetë e tyre për urinë, vetëvendosjen etj. Më pas, kur aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve rriten, mësuesi mund të përdorë me shumë metoda të mësimdhënies jo të drejtpërdrejtë duke bërë më shumë pyetje të përgjithshme, si p.sh., duke u kërkuar nxënësve të marrin në konsideratë se çfarë do të bënin vendet fqinjë në këtë situatë (shembuj të tillë ka). Doil beson se mësimdhënia e drejtpërdrejtë është më e përshtatshme për fëmijët e shkollës fillore, të atyre me nivel të ulët aftësie dhe të atyre që janë më pak të aftë në një lëndë të veçantë. Mësimdhënia e drejtpërdrejtë përshtatet shumë mirë për ata nxënës që zotërojnë njohuritë bazë të kërkuara dhe strategjitë e përgjithshme.

Ndërtoni në program të mirë të përdorimit të strategjive dhe teknikave në mësimdhënie. Fredriksën (Frederiksen, 1984) komentonte se midis atributeve të një programi janë: mësimdhënia për njohuritë e nevojshme bazë (i mëson nxënësit çfarë u nevojitet të dinë rreth rritjes së shpejtë ekonomike të vendeve të Azisë Juglindore); mësimdhënia në strategjitë për zhvillimin e paraqitjeve të brendshme (vizaton vargun e ishujve të vegjël që u bënë të fuqishëm) dhe se fundi, lidhja e asaj qe njihet rreth procesit të zgjidhjes së problemit me teknikat e mësimdhënies (mësojini në përputhje me modelin DUPE), duke përdorur teknika të tilla, si analiza në fund, identifikimin e qëllimeve dhe të nenqëllimeve dhe shndërrimin e paraqitjeve të brendshme. Këto strategji të përgjithshme i qëndrojnë zbatimit pa njohuri të konsiderueshme nga ndonjë fushë e veçantë.

Përmbledhje

Në këtë leksion trajtuam mjaft ide, vlerësime, probleme, kërkesa dhe arritje përsa i përket zhvillimit të shprehive të të menduarit dhe strategjitë e zgjidhjes së problemeve. Në lidhje me proceset  komplekse të të menduarit; rolin dhe vlerat e inteligjencës në aspektet e të menduarit; trajtimin e taksonomisë së Blumit për të ndihmuar nxënësit në  zhvillimin e të menduarit në një nivel të lartë; modelin e zhvillimit të aftësive të të menduarit sipas psikologut Kostë; mendimin krijues dhe të nxënit novator; marria në konsideratë mendimin kritik; aftësitë e nxënësve për zgjidhjen e problemeve në shkollë; përcaktimit dhe kuptimit të natyrës së problemit; ndërtimin e planit për zgjidhjen e problemit; elementet konjitiv që përbëjnë bazën e të menduarit krijues; si dhe teknikat e zgjidhjes së problemit për të ndihmuar nxënësit për të transferuar të nxënët e tyre.

Marrja e këtyre njohurive do të ndikojnë mjaft në lartësimin e dijeve në fushën e psikologjisë së edukimit e cila do t`iu ndihmojnë që në rolin e mësimdhënësit të rrisni nivelin e menaxhimit të procesit mësimor si dhe të arrini rezultate të mira me nxënësit, apo studentët, nëpërmjet përdorimit me efikasitet të metodave dhe teknikave më të mira pedagogjike.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top