FB

March 8, 2022 | 8:12

8 marsi, pse protestojnë femrat?

Dita e Gruas festohet çdo 8 mars. Një ditë e shoqëruar me ngjarje dhe protesta: por cili është qëllimi i tyre? A keni menduar pse çdo 8 mars, shumë gra në të gjithë botën marrin pjesë në ngjarje dhe demonstrata? Shumë njerëz ia bëjnë vetes këtë pyetje. Disa argumentojnë se në shekullin 21 dhe në vendet “moderne”, diskriminimi ndaj grave nuk ekziston ose është plotësisht anakronik. Ata gjithashtu argumentojnë që pretendimet feministe janë përgjithësisht pavend, pasi “praktikisht” ato gëzojnë të drejta të njëjta si burrat.

Megjithatë, siç e dimë mirë, realiteti është shumë i ndryshëm. Por ka edhe nga ata që, për fat të mirë i mbrojnë këto demonstrata, duke e njohur rëndësinë e 8 marsit, dhe se ka ende shumë për të bërë në drejtim të barazisë së vërtetë midis burrave dhe grave. Këto të fundit flasin për hendekun e pagave, krimet gjinore, frikën që gratë ndiejnë kur ecin vetëm në rrugë, “padukshmërinë” e tyre në fusha profesionale si shkenca etj. Lista, siç mund ta shihni, është shumë e gjatë. Të gjitha mendimet janë të vlefshme, por ato mbeten të tilla, pasi shpesh shprehen pa parë të dhënat. Në këtë artikull do të përpiqemi t’ju tregojmë nëse është vërtet e drejtë dhe legjitime që gratë të vazhdojnë të dalin në rrugë çdo 8 mars.

8 marsi dhe lufta kundër hendekut të pagave

Hendeku i pagave, d.m.th. pagesa e ndryshme e marrë nga një burrë dhe një grua për të njëjtën punë bazohet në dy arsye: Edhe pse i përkasin të njëjtës kategori profesionale dhe për këtë arsye duhet të marrin të njëjtën pagë, burrat marrin shpërblime të ndryshme përveç pagës bazë. Edhe në ndërmarrjet më moderne, gratë shpesh marrin 20-30% paga më të ulëta. Ky është një shembull tjetër i diskriminimit femëror. Gratë shpesh punojnë më pak orë që të jenë në gjendje t’u përkushtohen familjeve të tyre. Ky kujdes mund t’u jepet prindërve, fëmijëve ose ndonjë anëtari tjetër të familjes në varësi, që do të thotë se pagat dhe mundësitë e përparimit në karrierë për gratë janë më të ulëta se burrat.

Sipas Raportit të Komisionit Europian, nëntor 2017: “Gratë në Evropë vazhdojnë të marrin një pagë mesatare që është 16.3% më e ulët se burrat. Hendeku i pagave midis burrave dhe grave nuk është reduktuar vitet e fundit dhe ndodh kryesisht për arsye se gratë priren të kenë një nivel të ulët të okupimit dhe në sektorë me të ardhura të ulëta, zgjedhin të mos promovohen shumë, shkëputen më shumë se një herë gjatë karrierës dhe bëjnë më shumë se një punë të papaguar”.

Penalizimi i amësisë në punë

Vlen të përmendet një studim i fundit, shumë interesant. Po flasim për kërkimin e financuar nga Observatori Social Caixa (një nga bankat më të rëndësishme private në Spanjë) dhe kryer në bashkëpunim me Universitetin Pompeu Fabra, me qëllim vlerësimin e aksesit të barabartë të burrave dhe grave në tregun e punës. Sipas këtij sondazhi, vetëm 30% e grave që paraqiten për intervistë pune vendosen para kushteve të ngjashme me burrat, me të njëjtat kërkesa. Me fjalë të tjera, ndërsa paraqesin të njëjtën rezyme, burrave u ofrohen kushte më të mira. Ky hendek theksohet nëse gratë që kërkojnë punë janë edhe nëna.

Mbani mend se, sipas këtij studimi, një grua me fëmijë ka 35.9% më pak të ngjarë të intervistohet sesa një burrë që është gjithashtu baba. Është çmimi që duhet paguar për t’u kujdesur për familjen, ndërsa burri thjesht “ndihmon” ose “bashkëpunon” në punët e shtëpisë. Një tjetër studim, këtë herë i kryer në Suedi (A ka rëndësi përbërja gjinore në çifte për ndarjen e punës pas lindjes?), tregoi se hendeku i pagave në çiftet lezbike me një fëmijë zhduket në moshën 5-vjeçare, por kjo nuk ndodh dhe për çiftet heteroseksuale. Studimi sqaron se ky hendek zhduket te çiftet homoseksuale për shkak të “shpërndarjes së drejtë”, të nevojshme, të kostove të arsimimit dhe mirëmbajtjes së fëmijëve midis dy anëtarëve të çiftit.

8 marsi dhe dhuna mashkullore

Marshimi në rrugë është një mënyrë për të përsëritur kundërshtimin ndaj çdo forme të dhunës seksiste. Dhuna me bazë gjinore e merr këtë emër sepse viktimat janë gjithmonë gra. Në artikullin “Sërish dhunë ndaj grave: një perspektivë strukturore” nga sociologu Concepción Fernández Villanueva i Universitetit Complutense të Madridit, dhuna ndaj grave përcaktohet si një strategji për të ruajtur pushtetin patriarkal dhe një mënyrë për të parandaluar gratë që të braktisin atë vend të pabarazisë ndaj të cilit historikisht kanë qenë të kufizuara. Dhuna e burrave arsyetohet më lehtë, legjitimitet që shprehet edhe në kodet ligjore dhe penale, rezultat i kristalizimit të vlerave të shoqërisë mashkullore në të cilën ende jetojmë.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top