FB

July 23, 2026 | 10:24

Atashimi fillon përpara se fëmija të shohë botën

Nga Drilona Shehaj Abazaj, psikologe

Atashimi nuk fillon ditën kur një fëmijë lind,
fillon shumë më herët… në heshtjen e barkut të nënës, aty ku krijohet marrëdhënia e parë e njeriut me botën. Prandaj është shumë e rëndësishme që vitet e para të jetës të jen nën kujdesin prindëror dhe të jenë ata figurat atashuese dhe jo gjyshërit, edukatoret apo dadot.

nena-dhe-femija

Që në jetën intrauterine, fetusi përjeton ritmet e trupit të nënës, zërin e saj, lëvizjet, qetësinë dhe stresin e saj. Kjo nuk do të thotë se fëmija kupton emocionet e nënës si një i rritur, por sistemi i tij në zhvillim ndikohet nga mjedisi biologjik dhe emocional ku rritet. Kështu nis, në mënyrë shumë të hershme, historia e tij e sigurisë,pastaj vjen lindja.
Për muaj të tërë, fëmija ka jetuar në një hapësirë të ngrohtë, të mbrojtur dhe të njohur. Papritur, ai përballet me dritën, zhurmat, temperaturën, urinë, ndarjen dhe nevojën për të komunikuar pa fjalë. Dhe aty fillon një tjetër kapitull i atashimit.
Në muajt e parë, fëmija nuk ka ende aftësinë të qetësojë vetë emocionet e tij. Ai ka nevojë për një të rritur që ta ndihmojë të rregullojë botën e tij të brendshme.
Kur qan dhe dikush e merr në krahë.
Kur trembet dhe dikush e qetëson.
Kur ka uri dhe dikush e ushqen.
Kur kërkon kontakt dhe dikush i përgjigjet.
Nëpërmjet këtyre përvojave të përsëritura, fëmija fillon të ndërtojë një bindje të thellë, që nuk mësohet me fjalë, por me përvojë:
“Kur kam nevojë, dikush vjen.”
“Kur vuaj, dikush më dëgjon.”
“Kur bota bëhet e frikshme, unë mund të gjej siguri.”Kjo është zemra e atashimit të sigurt.
Me kalimin e muajve dhe viteve, përmes kontaktit sy më sy, përqafimeve, zërit, lojës, përgjigjes ndaj nevojave dhe pranisë së qëndrueshme, fëmija ndërton atë që psikologjia e zhvillimit e koncepton si një bazë të sigurt. Dhe çdo herë që familjarët i përgjigjen me ndjeshmëri, fëmija mëson diçka të re për veten dhe botën:
“Unë jam i rëndësishëm.”
“Nevojat e mia kanë rëndësi.”
“Bota mund të jetë një vend i sigurt.”
“Unë mund të besoj.”
Këto përvoja të hershme nuk përcaktojnë në mënyrë absolute të ardhmen e një fëmije, por ato krijojnë themele të rëndësishme për zhvillimin emocional dhe marrëdhëniet e mëvonshme. Prandaj, atashimi nuk është thjesht një përqafim.Nuk është vetëm të ushqesh, të veshësh apo të kujdesesh për një fëmijë.
Është mënyra se si fëmija përjetohet nga ne.
A ndihet i parë?
A ndihet i dëgjuar?
A ndihet i mbrojtur?
A ndihet i pranuar edhe kur qan, zemërohet apo ka nevojë?
Sepse një fëmijë nuk ka nevojë për një prind perfekt.Ka nevojë për një prind mjaftueshëm të pranishëm, të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm. Dhe edhe kur fillimet nuk kanë qenë perfekte, marrëdhëniet e sigurta mund të ndërtohen. Përmes pranisë, dashurisë, ndërgjegjësimit dhe ndihmës profesionale, mund të krijohen përvoja të reja që i tregojnë fëmijës se marrëdhëniet mund të jenë një vend sigurie.
Sepse historia e atashimit fillon herët
por ajo mund të vazhdojë të shkruhet gjatë gjithë jetës. Nga barku i nënës, te krahët që e presin, te sytë që e shohin,te zëri që e qetëson,te marrëdhëniet që do të ndërtojë një ditë.
Sepse aty ku mbillen rrënjët e para të atashimit, zhvillohet një fëmijë i shëndetshëm, i sigurt.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top