Dëshmi

March 5, 2022 | 8:30

Aurela Agalliu: Nuk i kursehem PUNËS për ta parë veten të realizuar!

Nga Orjona TRESA | Foto Erarbër TOPI

 

E përmbushur në të 30-at e saj, psikologia e mirënjohur Aurela Agalliu shprehet se realizimin e vetes e gjen tek motivimi, shpirtërorja dhe përkushtimi profesional dhe shoqëror. Prej tre vitesh ka themeluar dhe vënë në zbatimin Mental Coach Albania, qendrën e shërbimeve psikologjike, ku çdo rast trajtohet si i veçantë dhe çdo kontribut për mirëqenien shënon suksesin e radhës.

Aurela Agalliu, psikologe, psikoterapiste

 

Ju njohim nga ekrani, e ftuar në mediume të ndryshme për të dhënë mendimin tuaj si psikologe, për më shumë se kaq dhe për dijeni të lexuesit: kush është Aurela Agalliu në një profil më të detajuar?

Fillimisht dëshiroj të shpreh falenderimet e mia për hapësirën që më keni dhënë në këtë numër të revistës Psikologjia. Është një nga revistat më të dashura për mua, siç edhe shpesh lexuesit më kanë gjetur brenda saj me opinione të ndryshme dhe qëndrime të caktuara. Në këtë 30 vjetor, ndihem shumë e përmbushur dhe mjaftueshëm e realizuar në qëllimet që i kam vendosur vetes time. Kam punuar shumë për të arritur në këtë stad të zhvillimit personal dhe profesional, duke u përpjekur të marrë më të mirat nga njerëzit dhe eksperiencat studimore, kërkimet e vazhdueshme dhe angazhimet akademike.

Jam specializuar në fushën e Psikologjisë Organizative dhe Klinike. Aktualisht drejtoj Qendrën e Shërbimeve Psikologjike “Mental Coach Albania”. Punoj si eksperte në Gjykatë për Çështjet Familjare në rolin e Psikologut Asistues dhe Vlerësues dhe Drejtore në HR. Në vitin 2021 u futa në një angazhim të ri, në fushën politike, ku isha kandidate për deputete në siglën e LSI. Vij nga një përvojë jo shumë e gjatë në fushën akademike, si lektore, një angazhim të cilin aktualisht për arsye të kohës dhe objektivave të reja, nuk mund ta vijoj por që mbetet një nga përvojat e mia më të bukura. Lidhja ime me auditorin është shumë shpirtërore, pasi aty gjej veten time të realizuar dhe të motivuar për të dhënë kontributin më të mirë.

 

Jeni në një periudhë të jetës ku maturimi profesional ju kanë bërë më vigjilente, ndoshta edhe për shkak të pandemisë. Si jeni gjetur në angazhim?

Psikologjia është një fushë në të cilën vazhdimisht duhet të trajnohesh dhe përditësohesh me teknikat e reja të punës. Është ende një fushë në përmirësim të vazhdueshëm. Për këtë arsye, duke dashur të investoj në rritjen time profesionale, por edhe për të mbajtur një standard të lartë profesional, vazhdimisht ndjek trajnime dhe specializime në fushat për të cilat kam interes. Një nga specializimet e fundit që kam kryer është në BWRT (BrainWorking Recursive Therapy), një model psikoterapie i krijuar nga psikoterapisti Terence Watts, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është terapia më e re në botë për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor. Gjatë pandemisë kam qenë dhe jam shumë e ngarkuar me punë, sepse ajo kufizoi shumë jetën, lëvizjen e lirë, kontaktet fizike.  Njerëzit u përballën me vështirësi dhe frikëra të cilat ndikuan në përjetimin e ankthit, të depresionit, problemeve në çift etj. Por, rezultatet e arritura më dhanë kënaqësi. Është e mrekullueshme të marrësh mirënjohje dhe respekt për punën që bën. Kjo të motivon dhe të shton dëshirën për t’u përmirësuar çdo ditë. Shërbimet terapeutike i kemi ofruar online, përmes video call. Këtë praktikë pune e kam ndjekur edhe më herët për shkak se një pjesë e mirë e klientëve të mi, jetojnë jashtë Shqipërie. Terapia Online ka funksionuar shumë mirë, pavarësisht kufizimeve që mund të ketë. Ajo është dobiprurëse sepse varet gjithmonë nga teknikat e punës së Psikologut dhe qartësimit paraprak të formës së bashkëpunimit.

 

Çfarë keni mësuar ndryshe nga ky realitet i ri?

Në vetvete, ndryshimet kërkojnë përshtatje dhe unë e njoh veten si një njeri që përshtatem lehtësisht. Nuk e kam pasur të vështirë të ofroj shërbime dhe të punoj në kushte të cilat, më parë kanë qenë më të rralla se tani, pasi më e rëndësishmja është qëllimi që ti kërkon të arrish. Me klientët jam shumë bashkëpunuese dhe jam e fokusuar gjithmonë në përshtypjen e tyre sepse përmes saj, vlerësoj nevojat që kërkohen dhe kuptoj nivelin e angazhimit tim. Në psikoterapi, përshtypjet janë elementi më i rëndësishëm për të punuar në mënyrë dobiprurëse.

 

Sa e rëndësishme është të zgjedhësh objektivin e duhur? Si erdhi si zgjedhje dega e Psikologjisë tek Ju?

Kam qenë shumë e qartë në këtë aspekt. Shumë herët kam kuptuar se isha më shumë e orientuar nga shkencat sociale dhe kryesisht tek Psikologjia. Kisha kuptuar se kisha të zhvilluar empatinë dhe dëshirën për të ndihmuar njerëzit. Isha një vlerësuese shumë e mirë e situatave dhe i menaxhoja mirë ato. Pa asnjë dyshim, isha e bindur dhe shumë e vendosur se duhet dhe doja të isha Psikologe. Në atë kohë ishte dhe jo shumë e lehtë të të referonin për këtë drejtim, pasi akoma nuk ishin thyer barrierat për të pranuar shërbimet në fushën e shëndetit mendor. Shpesh më thonin që nuk do të vlejë, nuk do punosh askund, por ja që pasioni, puna dhe vullneti, të bëjnë të shkosh gjithmonë drejt suksesit. Sot ndihem e përmbushur dhe e lumtur për punën dhe arritjet e mia profesionale. Sikur të kisha disa jetë, gjithmonë do zgjidha Psikologjinë.

 

A je ndjerë ndonjëherë se nuk ke qenë në gjendje të përmbushësh veten si profesioniste?  

Psikologët nuk janë të përsosur, kanë sfidat e tyre. Të them të drejtën, një nga momentet më të vështira ka qenë pasi përfundova studimet. Profesionistët ishin shumë pak bashkëpunues për të dhënë eksperiencën e tyre në fushën praktike dhe private të punës. Natyrisht kjo ka qenë shumë sfiduese për mua por pavarësisht gjithçkaje, dëshira dhe vullneti im për të arritur atë që kisha projektuar vite më parë, me kërkime dhe studime shkencore të ndryshme, me miq të mirë të cilët kanë qenë edhe mentorë në jetën time, mora orientimet më të mira dhe për këtë u jam vërtet shumë mirënjohëse atyre. E theksoj këtë, pasi i adhuroj njerëzit që ndajnë mirënjohje, sepse tregon nivel të lartë qytetarie, sepse asnjëherë nuk je i vetëm në sukseset e tua. Gjithmonë është dikush që të jep një dorë dhe që duhet të mos e harrosh kurrë!

 

Psikologët gjithashtu vuajnë nga FOMO (Fear Of Missing Out). Keni dëgjuar për të?  

Është e vërtetë se përkushtimi ndaj punës dhe dedikimi i kohës në marrëdhëniet terapeutike me klientët është sfidues dhe një pjesë e mirë e kohës së psikologut kalon në klinikën e tij. Por personalisht, jam natyra që gjithmonë zgjedh t’i lë kohë vetes për t’u argëtuar apo qenë në kontakt me mjedisin dhe në marrëdhënie me miq. Nëse e menaxhon me sukses kohën dhe bën gjërat që do në jetë, merr kënaqësinë e duhur. Për mua suksesi është të ndihesh i plotësuar në të gjitha aspektet e jetës. Nuk e përjashtoj faktin se ndonjëherë, koha nuk është në favor të gjithçkaje por unë përpiqem ta mirëmenaxhoj atë. Kështu që edhe unë ndonjëherë i kam përjetuar ato ndjesi të fear of missing out.

 

Sa e rëndësishme është të qenit autentik? 

Të qenit autentik jo vetëm në punë por edhe në marrëdhëniet e përditshme është shumë e rëndësishme. Në një kohë kur njerëzit përpiqen t’i ngjasojnë të tjerëve dhe të huazojnë modele sjelljeje, duke mos i lejuar vetes të jenë modeli i tyre më i mirë, kjo bëhet më e vështirë. Kam besuar në potencialin dhe aftësitë e mia për të punuar në mënyrën time, por duke u bazuar përherë në standardet e duhura të punës, specifikisht në punën si psikologe. Kam ndërtuar strategjinë time duke u bazuar në përvojat praktike më së shumti, të cilat më kanë dhënë rezultatet e duhura. Të jesh origjinal në versionin tënd të bën më të veçantë dhe më të besuar, sepse jep atë që di më mirë.

 

Si është një ditë në klinikën tuaj?

Shpesh miqtë e mi më thonë, si ia del ta menaxhosh kohën? Duket e vështirë të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë, por më besoni që të qenit aktiv dhe e përmbushur në anën profesionale është një kënaqësi e papërshkrueshme. Ndihem mirë dhe e realizuar kur koha ime shpenzohet në mënyrë produktive. Në klinikë jam fizikisht sipas orareve të cilat i kam të paracaktuara nga kontaktet me klientët. Dal në orare të vona nga zyra sepse çdo marrëdhënie  terapeutike që zhvillohet dokumentohet dhe kjo merr kohën e vetë padiskutim. Çdo ditë të javës kaloj orë në zyrën time, qoftë edhe për të lexuar apo punuar me kërkime shkencore. Ambicies time për ta parë veten të realizuar nuk i kursehem aspak. Preferoj të fle më pak dhe të punoj më shumë sepse kështu ndihem mjaftueshëm.

 

Sa e rëndësishme është të fokusosh brezin e ri drejt qëllimeve të shëndetshme?  

Kontributi më i mirë i një psikologu është të jetë një këshillues i aftë sidomos me brezin e ri. Së fundmi të rinjtë janë ndërgjegjësuar dhe kërkojnë këshillim psikologjik për probleme të ndryshme të sferës psikologjike sociale dhe asaj të karrierës. Kjo është vërtet produktive pasi i ndihmon ata të orientohen në kohë dhe duke i përshtatur me preferencat, pasionet dhe nevojat e tyre.

 

Mental Coach Albania

Rruga “Teodor Keko”, Tiranë

+355 68 221 3341

Facebook Mental Coach Albania

Instagram mentalcoach_albania

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top