Mirëqenie

June 8, 2020 | 8:38

Blerina Mërtiri: Njohja e vetes është art, një proces i vazhdueshëm që kërkon kohë dhe angazhim

Sot, më shumë se kurrë është e nevojshme që njeriu të njohë veten, pasi duket që njeriu i sotëm është i prirur të njohë më shumë gjërat e një bote shumë komplekse. Njohja e vetes kërkohet përfshirjen  totale: mendjen dhe shpirtin. Kjo është një detyrë thelbësore e ekzistencës njerëzore, gjë që fitohet duke u shfaqur për atë që ndjejmë e për atë që jemi e jo për atë që kemi.

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Blerina Hima Mërtiri, mësuese CU, shkolla “Andon Xoxa” Fier

Sipas Sigmund Freud (psikoanalist dhe neurolog), shkaku i madh i sëmundjeve të shumta psikologjike, është mosnjohja e vetvetes ose frika e njohjes së vetes, njohjes së emocioneve, impulseve, kujtimeve, aftësive e mundësive. E rëndësishme është që të dimë ta pranojmë veten tërësisht, dhe jo të kërkojmë një përforcim të jashtëm apo të vendosim disa maska sipas rasteve, për të zbukuruar apo për të fshehur atë që është në realitet.

Përse është e nevojshme që njeriu të njohë veten?

Interesimi dhe nevoja e njohjes së vetes është aq e vjetër sa vetë njeriu. Njeriu nga të tjerët njihet përmes sjelljes, qëndrimeve, por është shumë e vështirë të njihet gjendja e tij e brendshme, madje atë pjesë të errët që njeriu nuk e shfaq asnjëherë, por mundohet ta maskojë edhe pse e njeh mirë. Mosnjohja e vetes, ose e unit personal, e fut njeriun në një qorrsokak emocional. Ai që angazhohet në njohjen e vetes është një njeri që ka raporte të mira me veten, është ai që i jep më shumë rëndësi vlerave  shpirtërore e intelektuale dhe jo paraqitjes së jashtme, është ai që di ta respektojë dhe ta pranojë tjetrin ashtu si është.

Shumë studime thonë se, zhvillimi i njohjes së vetes fillon kur i bën pyetje vetes: Kush jam unë? Cilat janë vlerat e mia? Cilat janë veset e mia? A jam ajo apo ai që vërtet mendoj se jam, apo jam ajo apo ai që paraqes të kundërtën? Çfarë është parësore për mua? Të jem apo të kem?… e shumë pyetje të tjera, të cilave nuk mund t’ju përgjigjemi menjëherë, sepse të njohësh veten nuk është e lehtë, mirëpo nuk është e pamundur.

Njeriu ka në vetvete gjashtë vetë të ndryshëm: njeriu që jemi; njeriu që mendojmë se jemi; njeriu që të tjerët mendojnë se jemi; njeriu që mendojmë se të tjerët mendojnë se jemi: njeriu që duam të bëhemi dhe njeriu që mendojmë se të tjerët duan  të bëhemi.

1Përpara se njeriu të japë gjykime për të tjerët, duhet të njohë mirë vetveten. Në të kaluarën populli thoshte se, dikush priret më shumë që të mos shohë traun në syrin e tij, por të vërejë qimen në syrin e tjetrit. Kurse sot, i ndershëm apo i pandershëm, i drejtë apo i padrejtë, solidar apo egoist, i sinqertë apo hipokrit, mbrojtës i së vërtetës apo gënjeshtar, të gjitha këto terma dhe të tjerë si këto me të cilat gjithkush vlerëson veten e tij, në fakt kanë një kuptim kolektiv, jo thjesht individual.

Mjafton të hedhim një sy në marrëdhëniet e përditshme midis njerëzve për të kuptuar se sa vuajnë njerëzit nga kjo mangësi e njohjes së vetes. Marrëdhënie shoqërore midis njerëzve të cilët shohin vetëm maska në fytyrën e njëri-tjetrit dhe jo fytyrën e vërtetë, politikanë që duken si persona me të cilët nuk mund të bisedohet, familjarë që brenda pak minutash diskutimi përfundojnë në grindje apo në gjendje nervozizmi. Kjo gjendje e fundit vihet re më shumë në marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve, të cilët pastaj ankohen në mjedise të caktuara se e kanë të pamundur të merren vesh me njëri-tjetrin.

Dallim i madh është në mes të asaj se çfarë jemi dhe çfarë do të duhej të jemi.

Ta njohim veten do të thotë ta pranojmë veten tonë me pozitiven dhe negativen që është tek ne. Mos të kemi frikë nga njohja e vetvetes, edhe pse nganjëherë është e vështirë dhe e lodhshme mos të dorëzohemi, por të vazhdojmë me këmbëngulje duke thënë: Kush jam unë?

2

Sipas Erich Fromm (psikoanalist), njeriu ka për detyrë ta njohë veten e ta kërkojë të vërtetën, dhe ai nuk mund të mbesë human në qoftë se nuk ia arrin kësaj detyre. Pra,  kërkohet që ai të jetë në gjendje të mësojë të dëgjojë zërin e ndërgjegjes, zërin e brendshëm, dhe të jetë i aftë që ta ndjekë këtë zë të brendshëm të zemrës së tij.

Njohja e vetes është një art, i cili nuk arrihet vetëm duke dëgjuar dhe lexuar libra psikologjikë e filozofikë, por një proces i vazhdueshëm që kërkon kohë dhe angazhim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top