FB

February 3, 2023 | 8:35

Dëshpërimi më shumë se këshilla, do një vend mirëkuptues për të mbështetur barrën

 

 

Dëshpërimi vjen si një nga ushqyesit më të fortë të vuajtjes shpirtërore, ndaj ajo për të cilën nuk ka nevojë, është që të shurdhohet me këshilla. Bëj kështu e mos bëj ashtu, ka më keq e ka më mirë, kur isha unë e kur ishte ai, bëhu i fortë e jo i butë, më dëgjo mua e mos dëgjo veten, lëre se si je sot nesër do jesh më mirë, lëre çfarë iku e shiko çfarë do të vijë… janë disa tentativa diktuese që dëshpërimit i vijnë shterpë.

besmiri

Nga Besmir Guri, psikolog

 

Ata që e njohin mirë këshillimin psikologjik dhe psikoterapinë, dinë ta bëjnë dallimin dhe distancimin nga receta e ftohtë me udhëzime të përgjithshme, për tek trajtimi i dëshpërimit sipas individualitetit të rastit, duke e orientuar atë në vendin e duhur, me sasinë e duhur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Një situatë qesharake që ndonjëherë më ndodh si pjellë e këtij lloj këshillimi, është rasti kur të afërmit e personit guxojnë të më bëjnë një kërkesë, të cilën vetë ia kanë shprehur më parë me mendimin se po e ndihmojnë: i thuaj që nuk ke asgjë!

d

Jo vetëm që personit nuk i duhet thënë që nuk ke asgjë për sa kohë ka, por nevojitet punë që personit ti përcillet ndjesia që i mirëkuptohet dëshpërimi, kjo rezulton gjysma e punës drejt shërimit, sepse ndërtohet besimi.

Sigurisht që personat që nuk vijnë nga profesionet e shëndetit mendor nuk e kanë të lehtë që të menaxhojnë një rast dëshpërimi, por nuk duhet ti lejojnë vetes lëndimin e plagës së hapur si pasojë e padijes.

Dëshpërimi nuk ka nevojë për t’u thjeshtuar nga sa është, por ka nevojë për vlerësim real, në të kundërt tjetrit i jep ndjesinë e të mos kuptuarit. Dëshpërimi ka më shumë nevojë që të flasë sesa t’i flitet dhe pyetjet e duhura e bëjnë më së miri ketë.

Dëshpërimi nuk ka nevojë për krahasime me dëshpërime të tjerë, pasi kur e vuan mbi lëkurë, asnjë dëshpërim tjetër nuk të duket i ngjashëm me tëndin, madje nuk ka as më të madh se i yti.

Dëshpërimi nuk dëshiron të dëgjojë se çfarë ke bërë ti apo tjetri, por se çfarë mund të bëjë ai, pasi në asnjë rrethanë dy persona nuk mund të jenë kopje e njëri-tjetrit, për më tepër në kthetrat e rënda të dëshpërimit. Dëshpërimit për ta zhytur edhe më thellë, mund t’i ofrosh paragjykim për gjendjen, mendimet dhe veprimet e personit në dëshpërim, dhe i ke garantuar atij rëniën e lirë drejt greminës.

Jo më kot kanë dalë profesionistët e shëndetit mendor, ndaj për çdo rast të nevojshëm, jo hezitim për t’ju drejtuar trajtimit psikologjik.

Shokët, miqtë dhe familjarët janë një mbështetje shumë e madhe, por ata nuk e kanë të mundur që të vetëm të arrijnë deri tek zgjidhja e problemit pa ndihmën profesionale.

Jam shumë i/e dëshpëruar… prej disa kohësh tashmë… nuk arrij dot të jem si më parë… nuk bëj dot asgjë… asgjë nuk ia vlen… do të thotë ke nevojë për trajtim psikologjik, ku edhe në shëndet mendor si në atë fizik, ekziston rregulli sa më herët kërkesa për ndihmë, aq më e sigurt mundësia e trajtimit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top