Në fokus

August 31, 2020 | 8:10

Doruntina Grulaj: Faktorët që çojnë drejtë shkurorëzimit (divorcit)

”Burrat dhe lidhjet e jashtëligjshme martesore, duke u munduar të ruajnë statusin e tyre martesor, por sigurisht, duke bërë edhe diçka të keqe që i ndihmon gratë drejtë lehtësimit të shkurorëzimit”.

dg
Secili person kur kalon moshën mitur e fillon e arrin moshën e pjekurisë, e sheh jetën në një këndvështrim tjetër, por gjithmonë duke parë të ardhmen, punën, angazhimin dhe krijimin e familjes me pretendime, për të pasur një jetë të shëndetshme dhe të lumtur.
Padyshim, familja si institucion social përbën thelbin e themelit të jetës sociale. Ajo mbetet rregullatore e pazëvendësueshme e harmonisë së marrëdhënieve. Është e padiskutueshme historikisht se familja ishte, është dhe do të mbetet gjithnjë faktori primar në formimin e socializimit të individit.
Zakonisht familjet në Kosovë deri pas lufte kanë funksionuar me mënyrën e jetesës me më shumë se 10-20 anëtarë të familjes. Kjo njihet si familje e vogël, kurse të mesme numëronte 20-40 anëtarë. Por, tani mund të themi se që nga koha e pasluftës, është e vështirë të gjesh familje që jetojnë ekonomikisht dhe në bashkësi, mbase dinamika e jetës ka ndryshuar.

11

Lindshmëria është në rënie dukshëm sepse gjithnjë e më shumë familjet po pakësohen dhe të rinjtë e kanë të vështirë të vendosin për martesë, kurse ata që marrin një vendim të tillë jo rrallë shpesh ndodh edhe të divorcohen apo shkurorëzohen.
Sipas nenit 16 (3) të Deklaratës të Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut “Familja është njësia bazë grupore e shoqërisë dhe i jepet mbrojtje nga shoqëria dhe shteti”. Nga kjo bashkësi jo gjithmonë arrihet edhe rezultati i të jetuarit gjatë së bashku, shpesh edhe hasim faktorë tjerë socialë që na çojnë drejt divorcit apo shkurorëzimit.
Nocioni i shkurorëzimit, në kuptimin domethënës, ka të bëjë me prishjen e një marrëdhënieje intime në mes të dy bashkëshortëve. Divorci është proces i ndërprerjes së martesës, duke përfshirë këtu anulimin ose riorganizimin e detyrave ligjore dhe përgjegjësive të martesës. Ligjet e divorcit ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në mbarë botën, varet nga shteti në shtet, por në shumicën e rasteve janë me gjykatë apo ndonjë autoriteti në një proces gjyqësor, ku caktohet aty kujdesi ndaj fëmijëve nëse kanë, vizitat ndaj fëmijëve, koha e prindërimit, ndarja e pasurisë, kujdestaria e fëmijëve, borxhi ndaj njëri-tjetrit. Vlen të theksojmë se gjithmonë në këtë mes ata që e pësojnë më së shumti janë fëmijët kur prindërit e tyre ndahen.

Kryesisht, shkaqet që na çojnë drejt lindjes së divorcit janë: konfliktet mes bashkëshortëve, tradhtia, dallimet e statusit të familjeve mes vete, diferenca e madhe në moshë, apo edhe martesa e detyruar e vajzave të cilat detyrohen të martohen ende pa arritur moshën e pjekurisë në aspektin psikologjik dhe atë social, pastaj janë edhe faktorë të ndryshëm të shkaqeve ekonomike, kemi edhe divorcin për përfitime materiale, siç njihet tek ne për letra, për të fituar shtetësi tjetër nga shtete tjera evropiane.

Një nga shkaqet më të rënda të divorcit është edhe abuzimi seksual, ai fizik po ashtu psikologjik. Abuzimet nga burri ose gruaja janë një zonë e madhe e shqetësimit për shumë çifte. Abuzimet fizike, psikologjike apo emocionale që vijnë në forma të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga çifti në çift dhe nga familja në familje. Abuzimi është një nga arsyet më të zakonshme për divorc.
Duhet të kemi parasysh se gjithmonë faktorët që shkaktojnë divorcin apo ndarjen tek bashkëshortët e që si përfundim kanë prishjen e familjes, janë nga më të ndryshmit dhe asnjë çift nuk e kalon martesën në mënyrën e njëjtë. Secili ka mënyrën e të jetuarit, kanë edhe qasjen e ndryshme ndaj problemeve që ata hasin e që kjo automatikisht ndikon në të qëndruarit së bashku apo të ndahen.

Divorci gjithmonë ka pasoja, sepse ne mund ta kuptojmë se divorci si i tillë nuk përjetohet lehtë andaj edhe pasojat janë se mund të sjellë: depresion, ankth, agresivitet, largimin nga rrethi social. Personat e ndarë nga partneri janë në një fazë të rëndë pesimizmi, ndihen të dobët fizikisht dhe emocionalisht, disa edhe çojnë në vetëvrasje. Kurse ata që e pësojnë më keq janë pikërisht fëmijët. Ata nuk duan ta humbasin asnjërin prind. Kjo u sjell ndikime negative psikologjike, jeta fillon u bëhet më ndryshe kur e kanë të programuar edhe kohën se sa duhet të qëndrojnë tek secili prind, gjë që tek ata padyshim ndikon thellë në emocionet e tyre. Fillojnë e ndryshojnë veten emocionalisht dhe nuk e shfaqen para të tjerëve, por thellë brenda tyre vuajnë.

Tek secili individ duhet të kuptohet se, për të mbijetuar familja dhe shoqëria e shëndoshë, si e tillë duhet ruajtur martesa, e në këtë pjesë çiftet janë ata që mbajnë jetën e tyre në binarë dhe duhet të arrijnë në mirëkuptim pa u ndikuar nga pjesa tjetër e familjarëve, nga prindërit e tyre, apo edhe opinionet e të tjerëve. Kur bëhet fjalë për jetën dhe lumturinë e tyre, ata duhet të vendosin gjithçka pa u ndikuar nga askush dhe krejt kjo të jetë e pranuar nga të dyja palët.
Ne jemi të vetëdijshëm se raportet mes burrit dhe gruas nuk janë të lehta, por as nga të vështirat jo.
Duhet punuar shumë që marrëdhëniet dhe raportet mes çifteve të qëndrojnë gjithmonë pozitive dhe të jenë afër njëri- tjetrit, të mbahet mend thjeshtë se të gjitha problemet kanë zgjidhje e zgjidhja e ikjes ndaj tyre nuk është divorci, e duhet të jetë qoftë si zgjidhje e fundit atëherë kur të gjitha energjitë dhe mundësitë janë shfrytëzuar për të përmirësuar raportin e tyre si ishin në fillim.
Sipas statistikave të viteve të fundit, divorci ka ngritje dhe kjo vjen edhe si lloj emancipimi duke e përdorur në termin negativ. Gjithashtu duke theksuar se tani të rinjtë gjithmonë e më pak marrin përgjegjësi për veten dhe familjen e tyre, ndryshe nga ajo si ishte më herët, kur një i ri përfundonte shkollimin dhe po sa gjente një vend pune vendoste të krijonte familjen e tij. Tani është pothuaj krejt ndryshe. Të rinjtë duan të jetojnë vetëm, edhe nëse kanë punën dhe shkollimin e përfunduar, ata nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi të mëdha apo të rëndësishme.

Ne si shoqëri ende jemi në tranzicion dhe krahas kësaj edhe gjërat inovative kanë ndikuar që në shoqërinë tonë të kemi femra dhe meshkuj të rebeluar, duke u ikur përgjegjësive të tyre familjare.

Pa dyshim edhe të drejtat e grave tani kanë ndikuar në atë aspekt që ato të vendosin më lehtë drejt largimit nga një dashuri qoftë e kushtëzuar apo edhe kur ndjejnë se partneri i tyre nuk i vlerëson siç duhet dhe si e meritojnë. Ato kërkojnë shkurorëzimin e tyre, dhe të gjejnë ribashkim me një person tjetër. Kjo gjë nuk ndodh shumë tek burrat, sepse ata mundohen të mbajnë edhe lidhje të jashtëligjshme martesore duke u munduar të ruajnë statusin e tyre martesor, por sigurisht duke bërë edhe diçka të keqe që i ndihmon gratë drejt lehtësimit të shkurorëzimit.
Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm kur marrim vendime drejt martesës dhe të japim maksimumin nga vetja për të krijuar një familje të shëndoshë dhe të lumturojmë fillimisht veten, pastaj partnerin, familjen dhe fëmijët. Padyshim meritojnë të jenë më të lumtur dhe nuk ka aspak dyshim se ata do të jenë të lumtur kur shohin edhe prindërit e tyre të buzëqeshur dhe gjithmonë me mirëkuptim mes vete. Sigurisht edhe rezultati do të jetë se rrethi i ngushtë familjar dhe shoqëria do të jetë më e shëndoshë dhe do kemi më pak probleme e ato do jenë të kalueshme. Edhe baticat, edhe zbaticat janë pjesë e jetës, por martesa me respekt, besim, mirëkuptim, dashuri dhe besnikëri i kalon të gjitha barrierat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top