Vera është koha kur familjet afrohen më shumë me njëra-tjetrën. Shkojmë në det, në liqen, në pishina apo pranë lumenjve për t’u qetësuar, për të pushuar dhe për të krijuar kujtime të bukura me fëmijët tanë. Por pikërisht aty ku kërkojmë qetësi, mund të fshihet edhe një rrezik i madh nëse nuk jemi të vëmendshëm. Uji është i bukur, por kërkon respekt.

Duam kujtime të bukura, jo dhimbje që mbetet gjithë jetën
Një nga keqkuptimet më të mëdha është se njerëzit mendojnë se mbytja duket si në filma: dikush bërtet, tund duart, kërkon ndihmë dhe të gjithë e kuptojnë menjëherë. Në të vërtetë, mbytja shpesh ndodh në heshtje. Një person që po lufton për frymë nuk ka gjithmonë forcë të bërtasë. Një fëmijë mund të duket sikur po luan, sikur po qëndron në ujë, por në fakt mund të jetë në rrezik. Mbytja mund të ndodhë shpejt. Ndonjëherë mjafton vetëm një minutë.
Një minutë duket pak. Por mendoni pak: një minutë është koha që na duhet për të parë një mesazh në telefon, për të kthyer kokën nga dikush tjetër, për të kërkuar diçka në çantë, për të folur me një të rritur tjetër apo për të menduar: “Fëmija është afër, nuk ka rrezik.”
Por pranë ujit, një minutë mund të jetë shumë
Nga këndvështrimi psikoterapeutik, e dimë se njeriu nuk është gjithmonë aq i pranishëm sa mendon. Kur jemi të lodhur, të stresuar, të shpërqendruar, me telefon në dorë, me shumë njerëz përreth, ose kur kemi konsumuar alkool, vëmendja jonë dobësohet. Truri kalon në autopilot. Ne shohim, por nuk vërejmë. Jemi aty fizikisht, por jo gjithmonë mendërisht. Prandaj siguria pranë ujit nuk fillon në momentin kur ndodh paniku. Ajo fillon shumë më herët: para se të futemi në ujë, para se fëmijët të afrohen te bregu, para se të ulemi në plazh dhe të mendojmë se “dikush tjetër po i shikon”.

Rregulli i parë është shumë i thjeshtë: mos u la kurrë vetëm!
Edhe nëse di të notosh. Edhe nëse je i rritur. Edhe nëse e njeh vendin. Edhe nëse ke hyrë aty shumë herë më parë. Uji i ftohtë, lodhja, ngërçi, paniku, sëmundjet e fshehura, rrymat apo një moment hutimi mund ta ndryshojnë situatën shumë shpejt.
Mos e mbivlerëso veten! Mos thuaj: “Mua nuk më ndodh.” Pikërisht kjo fjali na bën ndonjëherë më të pakujdesshëm.
Fëmijët nuk duhet të lihen kurrë vetëm pranë ujit! As për pak. As për një minutë. As kur janë afër bregut. As kur kanë krahë noti. As kur ka shumë njerëz përreth. Kur ka shumë të rritur, shpesh ndodh që secili mendon se dikush tjetër po e shikon fëmijën. Kjo është shumë e rrezikshme. Duhet të ketë gjithmonë një i rritur të caktuar që ka përgjegjësi të qartë: “Unë po i shikoj fëmijët tani.”
Ai person nuk duhet të jetë në telefon. Nuk duhet të konsumojë alkool. Nuk duhet të largohet. Nuk duhet të humbasë fokusin. Afër ujit, fëmija duhet të jetë pranë një të rrituri. Jo “diku afër”. Jo “e shoh nga larg”. Por realisht pranë, me sy, me vëmendje dhe me përgjegjësi.
Një këshillë tjetër shumë e rëndësishme është të testohet aftësia për not çdo vit. Të dish të notosh nuk do të thotë vetëm të lëvizësh disa metra në ujë. Një provë e mirë është të shohësh nëse mund të notosh 200 metra në mënyrë të sigurt. Nuk është garë. Nuk ka rëndësi shpejtësia. Rëndësi ka siguria, frymëmarrja, qetësia dhe aftësia për të përballuar ujin.
Noti është aftësi jetësore. Ashtu si mësojmë të vendosim rripin e sigurimit në makinë, duhet të mësojmë edhe sigurinë në ujë.
Alkooli dhe uji nuk bëjnë bashkë. Shumë aksidente ndodhin jo sepse njerëzit nuk kujdesen, por sepse marrin vendime të gabuara në momentin e gabuar. Alkooli ul gjykimin, dobëson koordinimin, rrit guximin e rremë dhe bën që njeriu të mos e kuptojë rrezikun.
Mos u fut në ujë pas alkoolit! Mos drejto varkë pas alkoolit. Mos bëj shaka me rrezikun. Një “vetëm pak” mund të mjaftojë për të humbur vëmendjen.

Kur arrini në një vend larjeje, mos mendoni vetëm ku do të uleni. Shikoni edhe ku është livboja më e afërt. Ku është dalja? Ku mund të kërkoni ndihmë? A ka njerëz përreth? A ka sinjal telefoni? A dinë fëmijët ku duhet të shkojnë nëse humbasin?
Prekeni livbojën (pajisje sigurie në formë rrethi). Shikoni si përdoret. Nëse është e mundur, mësoni si hidhet. Shumë njerëz nuk e dinë se livboja mund të jetë më e rëndë sesa duket. Në një situatë krize, trupi reagon më mirë nëse e ka praktikuar më parë një veprim.
Në psikologji dhe psikoterapi flasim shpesh për përgatitjen para stresit. Kur truri është në panik, ai nuk mendon aq qartë. Por nëse e kemi ushtruar më parë një veprim, kemi më shumë mundësi të reagojmë drejt. Nëse shihni dikë në rrezik në ujë, mos u hidhni menjëherë pa menduar. Një person në panik mund t’ju tërheqë edhe ju poshtë. Atëherë kemi dy persona në rrezik.
Së pari: thërrisni për ndihmë!
Së dyti: telefononi 112! Nëse është urgjencë mjekësore, telefononi 127.
Së treti: hidhni diçka që noton – livbojë, top, dyshek uji, shishe plastike të mbyllur, dërrasë apo diçka tjetër që mund ta ndihmojë personin të mbahet mbi ujë!
Së katërti: mos shkoni me duar bosh nëse nuk jeni të trajnuar! Mbani diçka mes jush dhe personit në rrezik!

Qëllimi është të shpëtohet jeta, jo të krijohet një tragjedi tjetër
Para se të hyni në ujë, bëni këtë kontroll të thjeshtë:
Mos u la kurrë vetëm.
Mos i lini fëmijët vetëm pranë ujit.
Vendosni një të rritur përgjegjës për mbikëqyrje.
Lëreni telefonin kur keni përgjegjësi për fëmijët.
Gjeni livbojen sapo të arrini.
Mësoni si përdoret livboja.
Testoni notin çdo vit.
Mos kombinoni alkool dhe ujë.
Përdorni jelek shpëtimi në varkë.
Mos u hidhni në ujëra të panjohura.
Mos hyni në ujë kur jeni shumë të lodhur, të sëmurë apo të ftohur.
Në rast rreziku: thirrni ndihmë dhe telefononi 112 ose 127 për urgjencë mjekësore.

Kujdesi nuk është frikë, është dashuri
Kur i themi fëmijës “mos shko vetëm pranë ujit”, nuk po ia prishim gëzimin. Po ia mbrojmë jetën. Kur i themi një të rrituri “mos u la vetëm”, nuk po e kontrollojmë. Po i kujtojmë se jeta është më e vlefshme se guximi i momentit.
Vera duhet të na kthejë në shtëpi me kujtime të mira, me foto të bukura, me lodhje të ëmbël dhe me zemër të qetë. Prandaj, para se të hyni në ujë, ndaluni një moment. Shikoni fëmijët. Shikoni vendin. Shikoni livbojen. Vendosni kush ka përgjegjësi. Lëreni telefonin. Merrni frymë.
Duam pushim, jo pendim!
Duam jetë, jo dhimbje!
Duam kujdes, sepse kujdesi shpëton jetë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

