Nga jashtë duket si një aeroport i zakonshëm. Njerëz që nxitojnë, valixhe që tërhiqen zvarrë dhe përqafime të shkurtra para nisjes, por në Shqipëri, aeroporti është kthyer në simbolin e një fenomeni që po ndryshon fytyrën e vendit: largimin e të rinjve. Në vitet e fundit, emigrimi nuk është më thjeshtë një dëshirë për të provuar jetën jashtë. Për shumë të rinj shqiptarë, ai është kthyer në planin e vetëm të së ardhmes… Pyetja “Ku do ikësh?” dëgjohet më shpesh sesa “Çfarë ëndrrash ke?” dhe kjo është ndoshta pjesa më e dhimbshme e së tashmes.

Shifrat tregojnë një realitet alarmues. Papunësia tek të rinjtë në Shqipëri mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërsa mijëra studentë dhe profesionistë largohen çdo vit drejt vendeve europiane. Kompanitë nga ana tjetër nuk gjejnë punonjës dhe tregu i punës lëngon nga mos përmbushja e të dyja palëve… Përtej statistikave dhe këndvështrimit teknik, ekziston një krizë më e heshtur që e po e prek shoqërinë dhe sidomos të rinjtë: humbja e shpresës. Psikologët e quajnë këtë “mungesë perspektive” — një gjendje ku individi nuk arrin të projektojë një të ardhme të sigurt për veten. Kur një i ri ndien se puna nuk shpërblehet, se talenti nuk mjafton dhe se stabiliteti duket i paarritshëm, ai fillon të shkëputet emocionalisht nga vendi ku jeton.
Shumë të rinj sot jetojnë me ankthin e pasigurisë: A do gjej një punë të mirë? A do mund të krijoj familje? A do kem një jetë dinjitoze këtu? A do mund të ble një shtëpi? Kur këto pyetje mbeten pa përgjigje për vite me radhë, largimi fillon të duket si zgjidhje psikologjike po aq sa ekonomike.
Në këtë realitet ndikon fort edhe bota virtuale. Instagrami, TikTok-u dhe rrjetet sociale kanë krijuar një panoramë të vazhdueshme të suksesit jashtë Shqipërisë. Foto nga Gjermania, Anglia apo Italia me paga të mira, apartamente moderne dhe jetë “perfekte” ndikojnë drejtpërdrejt në psikologjinë e të rinjve. Krahasimi i vazhdueshëm krijon ndjenjën se po humbet diçka më e mirë diku tjetër. Në psikologji kjo njihet si frika se jeta reale po ndodh larg teje dhe dalëngadalë, ikja fillon të shihet jo si zgjedhje, por si detyrim.
Paradoksi më i madh është se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e të rinjve të aftë, përkundrazi! Brezi i sotëm është më i arsimuar, më kreativ dhe më i lidhur me botën se kurrë më parë. Ka të rinj të talentuar në teknologji, art, sipërmarrje, shkencë dhe komunikim. Problemi qëndron tek mungesa e besimit se këto aftësi mund të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme në Shqipëri. Shumë të rinj ndihen të pavlerësuar. Ata shohin se puna e ndershme shpesh nuk mjafton, ndërsa mundësitë duken të kufizuara. Kjo krijon atë që sociologët e quajnë “lodhje kolektive”, një ndjenjë e përhapur zhgënjimi që kalon nga individi tek shoqëria.
Asnjë brez nuk mbahet në vendin e vet veç me slogane patriotike dhe kjo bëhet më e vështirë në një kohë globalizimi. Të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për fjalë motivuese, por për arsye konkrete për të besuar. Një vend bëhet i jetueshëm për rininë kur ofron mundësi reale pune, paga dinjitoze, arsim cilësor, mbështetje për idetë e reja dhe mbi të gjitha, ndjesinë se zëri i tyre ka vlerë.
Psikologjia sociale tregon se njerëzit qëndrojnë aty ku ndihen të dobishëm dhe të respektuar. Kur një i ri ndjen se mund të ndikojë në shoqëri, ai krijon lidhje emocionale më të forta me vendin e tij/saj.
Prandaj sfida më e madhe për Shqipërinë nuk është vetëm ekonomike. Është emocionale. Shqipëria është sot një vend që duhet të rifitojë besimin e të rinjve. Nëse një shoqëri humbet të rinjtë e saj, ajo humbet energjinë, idetë dhe të ardhmen. Por nëse arrin t’u japë shpresë, atëherë ndryshimi bëhet i mundur.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për të rinj që ëndërrojnë të ikin. Ka nevojë për të rinj që besojnë se mund të ndërtojnë këtu. Dhe kjo fillon në momentin kur një i ri ndalon së pyeturi “Si të largohem?”, dhe fillon të mendojë “Si mund ta ndryshoj këtë vend?”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

