FB

February 4, 2021 | 8:40

Frika dhe marrëdhënia me misterin

Frika dhe paraliza psikike

Situata që po kalojmë sot nuk është parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit (me aq histori sa dimë ne). Virusi erdhi krejt papritur, ndërkohë që mendonim se Kina e kish nën kontroll situatën. Askush nuk e njeh virusin, madje as Kina që ka përvojë me viruset që shkaktojnë SARS. Prandaj virusi erdhi me shpejt se dija rreth tij. Si kurrë më parë, shpallet situatë karantine nga qeveritë dhe e gjithë bota ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, informacioni mbi virusin është kontradiktor, i paplotë dhe për më tepër nuk jep prespektiva zgjidhjeje të situatës. Përkundrazi, shohim përfaqësues shteti që deklarojnë se do humbasim akoma dhe më shumë njerëz se ç’kemi humbur deri tani.

Nga Dr.Alma HASALAMI / Psikiatre për fëmijë dhe të rritur

Ndërkohë që profesionistët deklarojnë se nuk është virusi ai që po vret, por invaliditeti i lartë i popullatës. Të tjerë kanë filluar të flasin për kolapsin ekonomik dhe urinë që do vijë shumë shpejt. E gjithë kjo krijon një boshllëk në dije, duke qenë se është hera parë që përballemi me një situatë të tillë, dhe për më tepër jemi tërësisht të papërgatitur. Prandaj frika dhe ankthi janë mëse të arsyeshme. Por sa na ndihmon ne kjo?

Në natyrë, kur përballemi me rrezikun, sjellja instiktive ka dy zgjedhje: lufto ose mbathja. Kur e kemi të pamundur t’ia mbathim (e gjithë bota në karantinë), dhe të pamundur të luftojmë armikun sepse është i padukshëm (virusi) dhe nuk e njohim, psika jonë ngrin, paralizohet. Nuk jemi në gjendje të qartësojmë panoramën vetë, por rrëmbehemi nga informacioni dhe paniku i tjerëve dhe nuk dimë ç’bëjmë. Shumë miq e të njohur më kërkojnë ndihmë në lidhje më panikun që ndjejnë. Disa janë bllokuar larg familjeve të tyre, krejt papritur. Disa të tjerë janë tepër sensitivë dhe ndjejnë fusha elektromagnetike shpuese, që nuk e dinë nga vijnë, por që e shtojnë akoma më shumë panikun dhe irritimin.

Paraliza psikike, natyralisht, na shërben që të ngrijmë situatën për të njohur më mirë armikun. Vetëm pasi e identifikojmë armikun, mund të marrim vendime dhe veprime në favor të vetes. Mirëpo, ndërkohë që ne përpiqemi të njohim virusin, vendimet i merr dikush tjetër dhe krejt papritur liria nuk ekziston më. Paraliza psikike vazhdon të persistojë, pasi jo vetëm që s’merremi më me njohjen e armikut, por të mbërthyer në panik vazhdojmë zbatojmë komandat e të tjerëve si automat. Shpëtimi nga paraliza psikike vjen vetëm atëherë kur jemi gati të përballemi me errësirën, të panjohurën, misterin, subkoshiencen.

Marrëdhënia me misterin

Është një ndër marrëdhëniet më problematike që kemi. Pse? Sepse psika jonë është shumë rigide. Imagjinoni një botë ku ekonomia rrënohet, prodhimi mbaron dhe paratë s’të shpëtojnë dot. Përsëri bie në një paralizë psikike e cila është më pak argëtuese se e para. Automatizmi në këtë rast shkon më në ekstrem, sepse kushtet e mbijetesës bëhen më të vështira. Brishtësia psikike vjen si pasojë e mohimit të nënndërgjegjes, e përjashtimit të asaj që nuk i njohim ekzistencën akoma. Është mohimi i traumës, mohimi i problemit, mohimi i armikut, mohimi i realitetit.

Si ta korrigjojmë këtë?

Shkundja nga mentaliteti i vjetër. Sot, më shumë se kurrë, ne shohim që qeveritë nuk ekzistojnë më. Që një virus është më “i fortë” e “i rrezikshëm” se ai që e krijoi. Që masat “mbrojtëse” të marra janë alogjike dhe katastrofale. Prandaj, më shumë se kurrë, është momenti të pranojmë që askush nuk mund të na mbrojë përveç vetes. Është momenti të kuptojmë se si armiku, si kameleon, merr forma e ngjyra të ndryshme duke ta ndërtuar kurthin brenda shtëpisë tënde.

Thyerja e mentalitetit është tronditje e madhe psikike. Sidomos për ne shqiptarët, të farkëtuar prej disa brezash nga komunizmi e diktatura, kjo situatë na bën që ta braktisim veten në duart e partisë apo qeverisë, pasi e shohim si të vetmin entitet shpëtimtar e jetëdhënës. Mos të harrojmë sa të politizuar jemi, e sa të hipnotizuar nga autoriteti. Prandaj kemi kaq shumë njerëz në panik që e “hanë” informacionin pa e përzgjedhur dhe vazhdojnë propagandojnë duke e përhapur panikun më tej.

Kemi mjekë që, nga paniku, nuk përqendrohen dot të kuptojnë virusin që kanë përballë dhe që i transmetojnë akoma më shumë panik popullatës. Aq dritëshkurtër është sot njeriu sa mendon se vetëm ajo që ka para syve ekziston, duke mohuar kështu natyrën, burimin e jetës. Këtë dritëshkurtësi e gjejmë vetëm te fëmijët më të vegjël se 2 vjeç. Kjo tregon se mosha jonë mendore është vetëm 2 vjeç. Jemi në një prapambetje mendore dhe demencë kolektive.

Thyerja e mentalitetit të vjetër na hap horizonte të cilat kanë rreziqe, por kanë dhe rrugëdalje. Rrezik është përballja me armikun, i cili nuk do që t’i shpëtosh nga kurthi. Rrugëdalja është hapësira e re/liria, e cila i lë vend informacionit/ të vërtetës që ishte përjashtuar nga psika prej mentalitetit te vjetër. Frika lidhet gjithmonë me traumat e kënaqësisë dhe sjell gjithmonë rënie të libidos/energjisë vitale. Pra virusi i vërtetë është frika e cila po na vjedh energjinë vitale, kohën dhe inteligjencën. Nga eksperienca me komunizmin apo diktaturën, kemi mësuar se si induktimi i frikës kontrollon psiken e masës. Po e lamë të përsëritet edhe njëherë, s’ka ç’na bën më as zoti e as natyra.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top