Dëshmi

September 16, 2021 | 8:26

Gratë afgane po rebelohen kundër talebanëve: nuk duan vellon e zezë, por rrobat e tyre shumëngjyrëshe

 

Në mediat sociale, gratë afgane po rebelohen kundër talebanëve dhe imponimit të mantelit nga koka tek këmbët. Ato duan të veshin rrobat e kulturës së tyre, ato tradicionale, të cilat janë shumëngjyrëshe dhe gazmore: asgjë që ka të bëjë me vellon e rëndë dhe të zezë që mbulon trupin.

1 

Në foto Tahmina Aziz, Twitter

E ardhmja e Afganistanit, veçanërisht ajo e grave të saj, ka qenë subjekt i vëmendjes mbarëbotërore për javë të tëra. Rikthimi në pushtet i talebanëve e ka zhytur vendin në një klimë terrori dhe prapambetjeje që vështirë se ishte përpjekur ta kapërcente në 20 vitet e fundit. Por tani përsëri e gjejmë veten duke u përballur me ndalimin e sporteve të caktuara, paaftësinë për të punuar, detyrimin për të ndjekur mësimet universitare të ndara nga burrat dhe për të pasur vetëm mësuese femra. Dhe kufizimet ndikojnë gjithashtu në veshje, një aspekt në të cilin talebanët mbajnë një linjë shumë të rreptë. Por protestat janë të shfrenuara në vend nga ata që nuk duan të kthehen 20 vjet mbrapa: gratë afgane nuk duan të heqin dorë nga të drejtat e tyre të fituara me vështirësi, përfshirë veshjen e asaj që duan.

 

Gratë afgane rebelohen kundër talebanëve

Shumë kanë arritur të ikin nga Afganistani para se të ishte vonë: burra, gra dhe fëmijë kanë ikur nga vendi i tyre duke shkuar drejt një të ardhmeje të panjohur, për sa kohë që janë larg talebanëve. Regjimi i ri i vendosur, gëzon mbështetjen e një pjese të popullsisë, të cilët po demonstrojnë për të treguar pëlqimin e tyre ndaj thirrjes “Rroftë Emirati Islamik i Afganistanit”, “Ne mbështesim urdhrin e talebanëve”. Në Kabul, shumë gra po marrin pjesë gjithashtu në këto demonstrata, duke marshuar nëpër qytet me shaminë tradicionale të zezë mbi kokë, në shenjë miratimi. Ky mantel zakonisht vishet vetëm për të dalë jashtë shtëpisë: mbështjell kokën dhe mbulon të gjithë trupin, deri në këmbë. Por nga ana tjetër, megjithatë, nuk mungojnë protestat nga ata që nuk ndihen të përfaqësuar nga manteli i zi, një veshje që ndoshta ka shumë pak të bëjë me traditën e vërtetë afgane.

2

Ja tradita e vërtetë afgane

Fushata që po qarkullon në rrjetet sociale përmes hashtag -ut #DoNotTouchMyClothes, #AfghanWomen dhe #AfghanistanCulture dëshiron t’u japë dinjitet grave, por edhe kulturës afgane, duke argumentuar se tradita (edhe përsa i përket veshjeve) është krejt e ndryshme. Kjo është arsyeja pse shumë po shpërndajnë fotografi në mediat sociale që identifikojnë vërtet veshjet afgane, të cilat nuk kanë të bëjnë me ato rroba që mbulojnë trupin nga koka tek këmbët.

Thurja dhe qepja janë aktivitete të rrënjosura thellë në traditat e familjeve afgane, por siç thekson aktivistja Sara Wahedi, tradita flet për ngjyra të gjalla, shumë të ndryshme nga mantelët e zinj dhe të rëndë. Wahedi tha, duke bashkangjitur një fotografi të saj: “Kjo është pëlhura jeshile dhe blu e ndritshme. Traditat tona janë themeli ynë.” Dhe shtoi Paymana Assad (personi i parë me prejardhje afgane që u zgjodh në poste publike në Britani): “Kjo është kultura ime. Ky është veshja ime”, duke u shfaqur me një fustan ngjyrë vjollce të gjallë dhe të ndritshme. Gazetarja e CBC, Tahmina Aziz gjithashtu iu bashkua korit: “Unë vesh me krenari veshjen time tradicionale afgane. Është shumëngjyrëshe dhe e bukur.”

 

Përgatiti Orjona Tresa / Burimi fanpage.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top