FB

May 11, 2026 | 17:30

Leda Meçe, gruaja që mposhti kufijtë

Nga Orjona TRESA / Foto Redi KANINA
Në rendjen e kapitujve të jetës së saj, Leda Meçe, doktoreshë në emigracion, mban mbi supe një histori të dendur ngjarjesh që e kanë formësuar në çdo stad të qenies: nga fëmijëria e shenjuar, tek rritja në një realitet që shpesh kërkonte më shumë durim sesa ëndrra, deri te ndërtimi i vetes si grua, profesioniste, nënë e dy vajzave dhe sot edhe gjyshe. Ajo vjen nga një trung i fortë intelektual shqiptar, me rrënjë në Tepelenë, një familje që, nën peshën e një regjimi të vështirë, u detyrua të përkulej përkohësisht përpara kohës, deri në momentin kur jeta do t’i hapte një dritare të dytë shprese. Për atë kohë Leda flet me një nostalgji të qetë, të përmbajtur, si për një plagë që nuk dhemb më si dikur, por që nuk harrohet kurrë. Zhvendosja në Romë, pas viteve ’90, pranë xhaxhait të saj, ishte më shumë se një ndryshim gjeografik, ishte një rilindje, një hyrje në një botë që i premtonte mundësi, por që kërkonte edhe zemër të madhe për t’u përballur me të. Dhe ajo e mori atë që jeta i dha vonë, si një detyrim moral, duke e kthyer në një mision të pandalur siç është Shoqata “Sconfinando” që ajo drejton prej vitesh në Bergamo, në shërbim të emigrantëve shqiptarë, të cilët gjetën tek ajo jo vetëm zgjidhje për dokumente apo leje qëndrimi, por edhe një dorë që nuk të lëshon në momentet më të vështira.
Për më shumë se dy dekada, Leda ka qenë një urë e gjallë mes njerëzve dhe shpresës, një zë i palodhur për ata që shpesh nuk dinë nga t’ia nisin. Rrëfimi i saj mbart peshën e dhimbjeve të shumta që ajo ka prekur nga afër, por edhe dritën e historive ku solidariteti ka fituar mbi pamundësinë. Rasti i vogëlushit Roel, djalit të Shpat Kasapit, është një nga ato dëshmi të rralla ku humanizmi merr trajtë konkrete dhe bëhet shpëtim. Falë zemërgjerësisë së komunitetit shqiptar në Bergamo, me kontributin e vyer që japin çdo herë, Vlash Toma dhe Ylli Ujka, u bë e mundur që shpresa të mos mbetej vetëm një fjalë, por të kthehej në një mundësi reale për jetën. Në bashkëpunim dhe me mjekë italianë, Leda ka ndihmuar në zgjidhjen e situatave që shpesh sfidojnë edhe vetë logjikën e sistemit, duke sjellë shpresë aty ku diagnozat e gabuara kishin lënë vetëm pasiguri dhe frikë. Në këtë rrugëtim të gjatë, ajo nuk ka qenë kurrë vetëm. Pranë saj qëndron me të njëjtin ritëm dhe përkushtim Bora Tartari, si një krah i djathtë që e bën barrën më të lehtë dhe misionin më të fortë.
Miqtë që ka fituar Leda nuk kanë kufij gjeografie apo kombësie. Ata janë njerëz që kanë gjetur tek ajo një strehë, një zgjidhje, një shpresë. Telefonatat e mirënjohjes, bekimet e panumërta dhe emocionet që shoqëruan çdo moment të kësaj bisede, janë dëshmia më e pastër se mirësia nuk është një koncept i largët, por një realitet që jeton përmes njerëzve si ajo. Sepse në fund, përtej çdo titulli apo përkufizimi, Leda Meçe mbetet thjesht ajo që është në thelb: një pinjolle e një familjeje intelektuale, një grua që nuk e ka humbur kurrë ndjeshmërinë për tjetrin, një shpirt i madh që ka zgjedhur të jetojë përtej vetes. Kjo është Leda Meçe, gruaja me zemër të madhe!

 leda-mece

INTERVISTA

Të rrëfesh ndjenjat nuk është kurrë e lehtë, aq më tepër kur ato lidhen me një mision të thellë jetësor, që ka kërkuar forcë, përkushtim dhe sakrifica. Rrugëtimi juaj ka qenë i gjatë dhe i fuqishëm, shpeshherë edhe sfidues, deri në momente që të kanë lënë pa fjalë. Për të gjithë ata që do të lexojnë këtë rrëfim, kush është Enkeleda Meçe, apo Leda, siç ju njohin dhe ju thërrasin sot miqtë tuaj? Si u gjendët ju në drejtimin e shoqatës “Sconfinando”?
Shoqata “Sconfinando” vjen si rrjedhojë e shumë viteve punë në botën e emigracionit, më parë në Shoqatën Alba. Impenjimi për të qenë gjithmonë pranë personave në vështirësi si emigrantët, apo personat që vuajnë dënimin, apo gratë e keqtrajtuara dhe të miturit, frymëzoi një grup njerëzish për të krijuar “Sconfinando”, si një strehëz për të gjithë njerëzit në nevojë, pa barriera dhe kufij.

Cili është misioni kryesor i kësaj shoqate dhe çfarë përfaqëson për komunitetin shqiptar dhe italian?
Misioni kryesor i Shoqatës “Sconfinando” është të ndihmojë komunitetin shqiptar dhe jo vetëm në sfidat e emigracionit, në burokracitë e jetës së përditshme, por gjithashtu për të qenë faktor në jetën sociale të qytetit ku jetojnë.

Si funksionon bashkëpunimi me institucionet, ligjore dhe shëndetësore me të cilat haseni më shpesh? Po me organizatat e tjera?
Falë punës tonë, prej vitesh kemi pasur një rol të rëndësishëm në institucione të ndryshme, për shembull Shoqata “Sconfinando” bashkëpunon me Komunën e Bergamos duke ofruar shërbimin e ndërmjetësimit kulturor brenda këtij institucioni, po ashtu dhe në Burgun e qytetit të Bergamos. “Sconfinando” bën pjesë dhe në bordin e Shoqatave të qytetit, një ent i krijuar nga Komuna për të rritur bashkëpunimin mes shoqatave dhe komuniteteve të ndryshme.

Cilat janë problematikat kryesore për të cilat shqiptarët në Itali kërkojnë më shpesh ndihmë?
Emigracioni shqiptar ka evoluar shumë. Emigrantët e hershëm shqiptarë gjenden në atë fazën ku janë më të shqetësuar për bashkimin me të afërmit në Shqipëri, pasi emigrantët e 30, 20 apo 10 viteve më parë janë totalisht të integruar. Një problem real janë ata emigrantë apo qytetarë shqiptarë që i drejtohen shtetit italian për arsye shëndetësore.

Me çfarë rastesh përballeni më së shumti në përditshmërinë tuaj?
Fatkeqësisht edhe në vitin 2026 ka familje që zgjedhin Italinë për të emigruar për arsye ekonomike dhe në vitet e fundit ky numër ka qenë në rritje, por patjetër që emigracioni për arsye shëndetësore mban vendin e parë.

0

Dhe si arrijnë zakonisht shqiptarët në nevojë të lidhen dhe të kontaktojnë me ju?
Shqiptarët na kontaktojnë nëpërmjet institucioneve ku ne punojmë, por në të shumtën e rasteve nëpërmjet familjeve të tjera që kanë pasur mundësinë të marrin shërbime nga ne dhe kanë mbetur të kënaqur.

Çfarë ofron Italia, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, që sipas jush ende mungon ose nuk është në të njëjtin nivel në Shqipëri?
Italia pa asnjë dyshim ka një sistem shëndetësor shumë cilësor dhe në kohën që jetojmë, shëndetësia luan një rol primar në jetën e secilit nga ne. Pas kësaj do rendisja dhe arsimin, punësimin etj.

Në cilat aspekte dallimi bëhet më i dukshëm për pacientët dhe familjet e tyre?
Mund të themi që në Itali niveli i kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë është në shifra shumë të larta dhe çdo muaj ka ilaçe të reja, disa dhe eksperimentale, për të luftuar sëmundjet onkologjike, ndërsa në Shqipëri në këtë pjesë jemi shumë mbrapa ashtu si dhe në aparatet e përdorur.

A ka raste konkrete apo histori të veçanta për të cilat ndiheni veçanërisht krenare për kontributin tuaj? A mund të ndani me ne ndonjë prej tyre që ju ka lënë më shumë gjurmë?
Lumturia më e madhe që unë ndjej është teksa shoh vogëlushë të ardhur në moshë shumë të mitur me sëmundje të rënda si leuçemi, transplantin e mëlçisë, kancer dhe sot jo vetëm e kanë luftuar sëmundjen por bëjnë një jetë normale.

1

HISTORIA E SHPATIT, SELVIJES DHE ROELIT

Si nisi njohja juaj me Selvijen dhe familjen e saj?
Me Selvien u njohëm virtualisht pas publikimit nga ana e saj të rastit të një fëmije të vogël, i prekur nga një sëmundje e rëndë, dhe nga ai moment mbajtëm lidhjet.

Çfarë ju shtyu të përfshiheni menjëherë në ndihmën për Roelin?
Gjatë komunikimeve tona më shprehu se Roeli ka një zhvillim të vonuar. Ndaj menjëherë u vura në dispozicion, duke i këshilluar klinikat e specializuara dhe mënyrën për t’u pajisur me dokumentacionin në Itali.

Si u organizua ardhja e tyre në Itali dhe mbështetja që u dhatë?
Fillimisht erdhën në shtator për të bërë një vizitë për Roelin e për të nisur procesin e dokumentave, të cilat u morën përsipër nga ne dhe në nëntor do paraqiteshin në Gjykatë për t’u pajisur me vendimin që do i mundësonte të qëndronin në Itali.

Si e përjetuat momentin e humbjes së Shpatit?
Kur Shpati humbi jetën gjendesha në Tiranë, ndërsa ai me Selvijen në Milano, rreth orës 10 kemi biseduar me videocall me Selvijen dhe në një moment dhe Shpati u ngrit të më përshëndeste e më pas më tha që do binte për të fjetur…  disa orë më pas mora një telefonatë shokuese nga Selvija, që më tregonte që Shpati kishte ndërruar jetë.

Çfarë sfidash hasët në organizimin e procedurave pas kësaj ngjarjeje?
Fillimisht, ashtu si shumë prej atyre që njihnin Shpatin, u përballëm me një boshllëk dhe dhimbje të madhe, aq më tepër që e kisha parë vetëm para pak orësh. Por në atë moment Selvija dhe familja e tij kishte nevojë për ndihmë, ndaj u nisa menjëherë drejt Italisë për t’i qëndruar pranë dhe për të nisur procedurat për nisjen e trupit. Padyshim, vështirësia më e madhe ishte kryerja e procedurave sa më shpejt edhe prej presionit njerëzor dhe mediatik me të cilën përballej familja Kasapi, pasi Shpati ishte një artist shumë i dashur.

Si po vazhdon sot rrugëtimi i Selvijes dhe Roelit?
Roeli dhe Selvija janë pajisur me leje qëndrimi 3-vjeçar në Itali.

Çfarë mesazhi do të donit të përcillnit nga kjo histori?
Shpati, me buzëqeshjen dhe muzikën e tij na mësoi që jeta është e shtrenjtë, por në të njëjtën kohë dhe shumë e shkurtër dhe që kurrë s’duhet të humbim familjen dhe dashurinë.

ANGAZHIMI ME EMIGRACIONIN

Çfarë ju shtyu të angazhoheni në ndihmë të komunitetit shqiptar në Itali?
Aktivizimi im në fushën e emigracionit filloi në vitin 1998 kur u transferova nga Roma në Bergamo. Në atë kohë punoja në zyrën e emigracionit të kuesturës së Bergamos si ndërmjetësuese, dhe fillova të shoh realitetin ku jetonin bashkëqytetarët e mi.

Si i kujtoni paragjykimet ndaj shqiptarëve në fund të viteve ’90?
Unë do i ndaja në dy grupe: ata të krimit, drogës, vrasjeve dhe prostitucionit që për mediat kishin peshën më të madhe dhe nëpërmjet tyre etiketoheshim dhe ne të tjerët, e përballë tyre ishte një pjesë që luftonin për të drejtat minimale, që i gënjenin për të pasur një leje qëndrimi apo hasnin vështirësi të panumërta edhe për mungesë të gjuhës, duke u endur ditë të tëra me fëmijët e vegjël nëpër zyra e askush s’i jepte zgjidhje. Këta ishin arsyeja pse unë vendosa të nis këtë rrugëtim.

Sa e vështirë ishte të bëheshit zëri i një komuniteti të stigmatizuar?
Shumë e vështirë për të gjitha arsyet e lartpërmendura, por edhe sepse të hysh në botën e emigracionit ka çmimin e vet. Për autoritetet italiane ti ishe ajo që mbroje shqiptarët duke rrezikuar që të merrnin dhe inat, ndërsa për shqiptarët, zëri i tyre, por patjetër që pozicione të tilla sjellin dhe narrativa imagjinare të çdo lloji.

Çfarë përfshinte puna juaj si ndërmjetëse pranë institucioneve italiane?
Fillimisht unë ndihmoja në kontrollin e dokumentacionit kur u bë senatorio Bossi-Fini në ‘98 dhe pas këtij procesi nisa të punoj në një prej sindikatave italiane në plotësimin e dokumentacioneve por dhe duke i shoqëruar pranë organeve kompetente.

dr-gino-gelmi-zv-president

A mund të ndani një rast konkret që ju ka prekur gjatë këtij angazhimi, një proces që ndoshta ka qenë më i sikletshmi?
Rastet më delikate kanë qenë patjetër ato të fëmijëve të mitur që vinin si raste urgjente të transplantit dhe lufta që duhej bërë në një kohë shumë të shkurtër për t’i pajisur me leje qëndrimi, që më pas ata të futeshin në operacion. Të gjitha këto duhet të bëheshin brenda pak orësh. Një rast tjetër që tregon dhe një shembull dhe arritje të komunitetit shqiptar që doja ta ndaja, është një familje shqiptare nga veriu që pata njohur para një institucioni ku prej ditësh vinte me bashkëshorten dhe 5 fëmijët, qëndronte dhe nuk gjente një zgjidhje. Në pak kohë ai arriti të bëhej me dokumenta e sot është një nga biznesmenët më në zë në Bergamo, që nuk harron asnjëherë komunitetin shqiptar por është gjithmonë aty për ta.

Cila është ajo figurë kyçe, të cilës i jeni mirënjohëse për mbështetjen e pakursyer dhe ndjekjen e të gjitha rasteve përmes rrugëve institucionale?

Nëse do veçoja një person që ka qenë mentor për mua, por dhe një ndihmë e madhe për shumë shqiptarë që kanë shlyer dënimin në burgjet italiane është patjetër Doktor Gino Gelmi, figurë e njohur politike, por mbi të gjitha humane.

Si kanë ndryshuar sfidat e emigracionit ndër vite?
Për fat, komuniteti shqiptar në Itali është më i integruari. Pjesa më e madhe e tyre janë pronarë shtëpish, kanë aktivitete personale. Vetëm në Bergamo restorantet më në zë të qytetit janë në pronësi të familjeve shqiptare dhe tanimë përpiqen të pajisin me dokumenta familjet, pasi janë të gjithë qytetarë italianë. Por tani sfidat kanë kaluar te shqiptarët që vijnë për arsye shëndetësore nga Shqipëria, e kjo në vitet e fundit është shndërruar në një plagë.

Ndalemi tek një aspekt tjetër, si u përfshitë në ndihmën për të miturit e pashoqëruar?
Ishte pjesë e procesit. Në Itali, Kishat kanë një rol të rëndësishëm në pritjen e parë të emigrantëve dhe unë shkoja shpesh për të ndihmuar, dhe në vitet 2000 filluan rastet e para të të miturve të pashoqëruar që nisën të strehoheshin në këto komunitete. Disa prej tyre kishin dhe familjarë të largët, por strehimi pranë këtyre komuniteteve i pajiste menjëherë me dokumenta. Dua të theksoj që shumica e këtyre të miturve sot janë tërësisht të integruar dhe kanë bizneset e tyre në Itali.

Çfarë roli ka luajtur shoqata juaj në ndërmjetësimin në institucione si burgjet?
Për sa i përket rolit në lidhje me institucionet, ne mundohemi të jemi zë i qytetarit, duke i mbrojtur e duke i ndihmuar që të orientohen përballë problematikave të ndryshme, ndërsa në Burgun e Bergamos roli jonë nuk është një ndërmjetësim i thjeshtë, por mbi të gjitha ka të bëjë me nxjerrjen në pah të figurës së personit që gjendet në burgim për të parë nëse janë pjekur të gjithë elementët që ai të mund të lirohet, të dalë në arrest shtëpie ose në format e tjera si në detyrim me punë etj. Në të gjithë këtë proces, roli jonë është vendimtar.

03

Si i përjetoni rastet e familjeve me probleme sociale apo të rinjve në vështirësi?
Edhe pse thonë që një profesionist i vërtetë problematikat e punës duhet t’i lërë në punë, është e pamundur për mua. Fatkeqësisht këto raste vazhdoj t’i përjetoj, duke i bërë dhe pjesë të diskutimeve familjare e jap maksimumin tim për t’i dhënë një zgjidhje.

Çfarë ju motivon të vazhdoni këtë punë përballë situatave kaq të rënda?
Besoj dashuria për njerëzit dhe pse shpeshherë i përsëris vetes: “mjaft, duhet të ndryshoj”, gjendem gjithmonë aty gati për të ndihmuar, megjithëse 30 vjet janë shumë.

ITALIA

Si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj dhe ndikimin e historisë familjare në jetën tuaj?
Besoj që fëmijët kanë aftësinë të ruajnë kujtime të bukura në mendjen e tyre, dhe pse ne ishim një familje e internuar për shkak se xhaxhai im, një nga figurat më të rëndësishme intelektuale të viteve 1900, ishte arratisur nga Shqipëria pak para krijimit të partisë komuniste. Ne kemi jetuar në Krujë, ku kemi arritur me ndershmërinë dhe dinjitetin tonë të fitonim zemrat e familjeve krutane që s’na shihnin me atë syrin e të ardhurit apo të persekutuarit, por na donin si pjesë të tyre. Por nuk mohoj që persekutimin e vuajtëm si unë dhe vëllezërit e mi, pasi nuk na u dha mundësia të ndiqnim studimet e larta.

xhaxhaivila

Çfarë ndryshimi ndjetë kur u transferuat në Itali në fillim të viteve ’90?
Ndryshimi ishte i jashtëzakonshëm për ne, pasi emigracioni jonë nuk kishte vështirësitë si të bashkëkombësve në vitet ’90. Ne patëm fatin që të priteshim nga të afërmit tanë, që në Itali kishin ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme.

Si ishte për ju të jetonit në një ambient ku takoheshin figura të rëndësishme ndërkombëtare?
Për mua jetesa në Romë ka qenë një shkollë më vete, pasi jo vetëm pata mundësi të rrethohesha shpesh nga të ftuarit e xhaxhait tim, por dhe të mësoja shumë, në shumë fusha, por përpos kësaj, në çdo moment ndjehesha si në shtëpi, pasi djali i xhaxhait rindërtoi disa km larg Romës, një vilë të madhe rrethuar me 140 hektarë tokë dhe e quajti “Vila Tepeleni” duke u frymëzuar tek kujtimet e babait të tij për shtëpinë e paraardhësve në Tepelenë.

Çfarë roli pati familja juaj në përshtatjen tuaj në Itali?
Një rol të rëndësishëm, pasi asnjërit nga ne nuk iu desh të përballej me kushtet e vështira të emigracionit të atyre viteve, por përkundrazi, na u dha mundësia të ecnim përpara.

E mendoni rikthimin në vendlindje apo Italia e ka zëvendësuar mjaft mirë atë?
Pas kaq shumë vitesh shtëpia ime është Bergamo, por lidhja me Shqipërinë është shumë e fortë pasi e vizitoj gati çdo muaj e mundohem gjithmonë në një mënyrë apo një tjetër të jap kontributin tim.

Sa e plotësuar ndihesh sot deri ku ke arritur dhe çfarë ju motivon për të ecur përpara?
Ndjehem e plotësuar në radhë të parë për vajzat dhe mbesën time, dhe për dashurinë që marr çdo ditë nga to, për miqtë e mirë që më rrethojnë e që janë familja ime e dytë, një fat i rrallë në emigrim. Dhe në fund, për Ledën si personazh, për rrugëtimin e këtyre viteve por dhe për projektet e rëndësishme që janë të kyçura në sirtar, në pritje që të realizohen.

vajzat

AKTIVIZIMI SOCIAL DHE POLITIK

Si u shndërrua angazhimi juaj në një faktor të rëndësishëm në jetën sociale të qytetit?
Për shumë arsye, shoqata “Sconfinando” u bë faktor në jetën sociale dhe këtu nisi dhe ftesa për të marrë pjesë në jetën politike, përfaqësuese të shoqatës tonë kanë qenë pjesë si në zgjedhjet rajonale të vitit 2017 (Bruna Kola) dhe ato komunale të vitit 2019 (Borana Tartari) duke i dhënë zë komunitetit shqiptar dhe jo vetëm.
01Çfarë do të thotë për ju përfaqësimi i shtresave në nevojë në jetën publike?
Është e rëndësishme pasi më në fund komuniteti shqiptar që deri para pak vitesh shihej si pjesë margjinale e shoqërisë, tani ka zë dhe mund të bëjë diferencën në jetën politike.

Çfarë ndikimi mendoni se keni pasur në komunitetin lokal?
Kur ti je pjesë e halleve dhe vështirësive të një komuniteti, e mundohesh në çdo mënyrë t’i ndihmosh duke u bërë një me ta, patjetër që ai komunitet të ndjek, të dëgjon dhe ndikohet nga ti gjithmonë për gjëra të bëra në të mirë të tij, pasi komuniteti shqiptar në botë ka treguar zgjuarsi me emancipimin dhe arritjet gjatë këtyre viteve.

MESAZHI PËR INSTITUCIONET SHQIPTARE

Nisur nga nevoja për të bashkëpunuar me shtetin shqiptar për sa i përket shëndetësisë, sistemit të drejtësisë apo edhe integrimit, si e shihni praninë e strukturave kompetente shqiptare në jetën e qytetarëve në Itali?
Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm për nevojat akoma shumë të mëdha në sektorë të rëndësishëm në Shqipëri si mjekësia, drejtësia, arsimi etj., sektorë ku do duhet akoma të punohet fort për integrimin e vendit tonë në BE në vitin 2030. Por, ajo që unë shoh si shumë të nevojshme është bashkëpunimi i përfaqësive diplomatike me shoqatat shqiptare në Itali që kanë luajtur dhe luajnë një rol themelor jo vetëm në integrimin, por që janë kthyer këto vite në ambasadorë të Shqipërisë në vendet ku ata jetojnë. Shpeshherë ne jemi hasur me dyer të mbyllura dhe me sjellje që lënë shumë për të dëshiruar nga pala e përfaqësive konsullore për sa i përket rasteve të të drejtave të të burgosurve shqiptarë apo të të miturve me probleme shëndetësore, dhe kjo është diçka që s’duhet të ndodhë, sidomos në një epokë ku qeveria shqiptare organizon Samite për të bashkuar shqiptarët kudo në botë, konsullatat tona nuk duhet të kthehen në seli preferencash dhe përçarjeje të qytetarëve shqiptarë.

02  libri

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top