FB

November 22, 2021 | 8:16

Nëse frikësojmë për të edukuar, kemi edukuar frikë!

 

 

Edukimi ka spektër të gjerë, por baza e tij mbetet edukimi fëminor dhe edukimi prindëror. Le t’i qëndrojmë në këtë rast edukimit në fëmijëri nga prindërit. Përtej dëshirës së çdo prindi për të bërë më të mirën për edukimin e fëmijës, ekziston evident rreziku i përdorimit të strategjisë së gabuar për ta arritur këtë qëllim. Një strategji e lehtë për prindin por e rëndë për fëmijën, mbetet frikësimi i fëmijës deri në panikim.

besmiri

*Nga Besmir Guri, psikolog

Preferoj të veçoj në këtë analizë disa fraza tragjikomike që përdoren si pjesë e kësaj metode të dëmshme: “do t’i them policit”, “erdhi qeni”, “ta tregoj kur të vijë babi”, do të vijë gogoli!”

Vendosemi në empati për një moment, le t’i mbajmë këto fraza mbi supe si fëmijë, por duke arsyetuar si të rritur.

Çfarë figure prezantohet polici për fëmijën, po dashuria për kafshën më besnike të njeriut, çfarë është ky baba që terrorizon akoma pa ardhur, kush është ky gogoli që as në moshë madhore nuk e morëm vesh????

Këto pikëpyetje nuk kanë nevojë as për përgjigje, por pa përgjigje mbetet edhe pyetja se përse disa prindër refuzojnë të kuptojnë se ato nuk i shërbejnë edukimit!

1Frikësimi i fëmijës është praktikisht edhe dhunimi i tij, ndaj së koti fshihesh prapa maskimit edukim, disiplinë, bindje apo rregull.

Nuk duhet pretenduar në asnjë rast edukimi i fëmijës nëpërmjet frikësimit të tij, pasi në rastin më të mirë kemi imponuar bindje momentale për shkak të frikës, duke rrezikuar edhe keq edukimin se pa frikë nuk ka bindje!

Për të gjithë ato rastet që shfrynë mbi frazën se është e vështirë të edukosh, ju them se është shumë e lehtë të frikësosh, por nëse bëjmë dallimin midis tyre, do të kuptojmë se këto të dyja nuk mund të qëndrojnë dot së bashku në kushte normaliteti.

Është krejt e panevojshme të diskutohet dëshira e mirë e këtyre prindërve ndaj fëmijës, por ky fakt nuk mjafton për t’i shpëtuar nga gabimi në strategjinë e përdorur.

Më ka ndodhur praktikisht të trajtoj të rritur me çrregullim ankthi, ku burimi kryesor i gjendjes së tyre emocionale ishin frikërat e trashëguara nga fëmijëria. Ky fakt është i mjaftueshëm për të thënë se frikësimi i fëmijës, jo vetëm që është dështim, por edhe pasojë që reflektohet një ditë.

Frika në këtë rast gjeneron bindje të sforcuar, e cila pritet të shkërmoqet sapo frika të mungojë, duke lënë pas pasojat e frikësimit.

Një shoqëri e frikësuar, ose shtyp… ose shtypet!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top