Në fokus

April 28, 2018 | 12:32

Nga Anxhela Peza / Epidemia “vetëvrasje” nuk zgjedh

Vetëvrasja është një fenomen që nuk e zgjedh individin sido të jetë ai në karakter, profesion apo status. Në shumë profesione risku i lartë, mbingarkesa e stresit apo emocioneve bëhen elementë kryesore për melankoli të thella. Janë një sërë problemesh që vijnë radhë-radhë derisa e agravojnë situatën në këtë pikë. Shumë prej tyre që kryejnë vetëvrasje, vijnë nga një familje problematike, duke pasur fillesa që nga fëmijëria e tyre.

Anxhela Peza Psikologe Klinike dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Tablo e trishtë vjen thuajse çdo ditë nga raportimet e korrespondentëve mediatikë për vetëvrasjet në vendin tonë. Sipas statistikave të policisë, vetëm gjatë 2016-ës në Shqipëri janë evidentuar 227 vetëvrasje dhe 315 tentativa vetëvrasjeje. Në jo pak raste, aktin e rëndë të vetëflijimit e kanë ndërmarrë edhe punonjësit e uniformave blu. Djem dhe vajza, burra e gra, të moshuar që i dorëzohen përpjekjeve për vetëflijim, në kushte të tronditjes psikologjike dhe shkaqeve të tjera që shpesh merren me vete nga viktimat e këtyre ngjarjeve të dhimbshme. Vetëvrasja është një fenomen që nuk e zgjedh individin sido të jetë ai në karakter, profesion apo status. Në shumë profesione risku i lartë, mbingarkesa e stresit apo emocioneve bëhen elementë kryesore për melankoli të thella.

Janë një sërë problemesh që vijnë radhë-radhë derisa e agravojnë situatën në këtë pikë. Shumë prej tyre që kryejnë vetëvrasje, vijnë nga një familje problematike, duke pasur fillesa që nga fëmijëria e tyre. P.sh: prindër të divorcuar, nënë depresive, psikoza të fshehura dhe të lulëzuara në një stad të jetës. Njerëz që nuk përballojnë dot më traumën e një ndarjeje, e një vdekje, e kështu me radhë. Papunësia, mossuksesi i vetes, i të ndjerit i pavlerë, përjetimi i bulizmit në shkollë, ndarja nga i dashuri, etj.

Mendimet e vetëvrasjes edhe për një herë të vetme i kanë kaluar çdo individi kur mund të kenë thënë në një moment të jetës se nuk ka më asgjë kuptim për të. Kur arsyeja e të menduarit në mënyrë të dëshpëruar, shpie drejt përfundimit të ekzistencës. Një përqindje e lartë kryen vetëvrasje, pas ka dalë nga gjendja depresive, dhe më e lartë përqindja ndodh te burrat, sesa gratë. Edhe pse gratë janë më të prirura kundrejt çrregullimeve të mundshme. Mbase fakti që ato janë dhe nëna, kjo gjë shpeshherë i mban me këmbë në tokë, e në mënyrë indirekte, nuk lejon vetëvrasjen e tyre.

Vetëvrasjet në përgjithësi, dramatikisht shënojnë rritje nga mosha adulte deri në atë të moshës së tretë. Pikërisht në atë moshë shtimi i depresionit është më i lartë, vetmia nga shtegtimi i fëmijëve, shpërngulja në lokalitete të panjohura, humbja e kuptimit të familjes dhe shoqërisë si dhe humbja e personave që do, janë sigurisht disa prej faktorëve që ndikojnë në shkallën e lartë të vetëvrasjeve te mosha e vjetër. Në kulturat dhe komunitetet në të cilat të moshuarit janë të respektuar dhe mbesin persona të rëndësishëm në jetën e familjes, vetëvrasjet janë shumë të rralla.

Shumë aksidente rezultojnë të jenë me dashje, pasi njerëzit duan t’i japin fund jetës në këtë mënyrë. Mungesa e shpresës është armiku më i keq për njeriun, por ka shumë raste që dhe vetë specialistët nuk mund të bëjnë gjë. Njerëzit që janë shumë inteligjentë dhe të kulturuar janë një sfidë e madhe për psikologun apo psikiatrin të shkatërrojë këtë ide. Një grup i madh vihet në funksion të eliminimit të veprimit. Largimi i sendeve të mprehta, moslënia vetëm, etj.

Si ta kuptojmë që individi ka ide vetëvrasëse?

Në Shqipëri nuk jetohet më, është bërë për të vrarë veten, jam shumë i stresuar. Është kjo një lloj gjuhe derteminuese. Vërehet se sa kanë ndryshuar zakonet e individit në jetën e përditshme. Ai krijon biseda pesimiste, ku nuk është shumë i kënaqur për jetën. Flet për procesin e vdekjes, për vetëvrasjen, se nuk ka më qëllime në jetë. Kërkon të rrijë i mbyllur në shtëpi apo ambient tjetër i vetëm, pa pasur njeri tjetër pranë. Të gjitha këto janë faktorë që nuk duhen neglizhuar nga ana e familjarëve dhe shoqërisë.

Si mund ta parandalojmë vetëvrasjen?

Parandalimi është një pyetje me pak përgjigje brenda, apo e vështirë. Fillimi fare i parandalimit janë metodat e vrasjes së dikujt për ta modeluar këtë në vetëvrasje më pas. Shekuj më parë ka pas qenë litari i madh që vareshin në trarin e shtëpisë apo qilarit. Tani, secila media e shkruar apo vizive, tregimet tona për mënyrën e vetëvrasjes, (stimulojmë, tregojmë, një model të caktuar) dashur pa dashur, ndikon në mënyrën e një vetëvrasjeje të përshpejtuar. Lobime të shumta kanë në dorë ndikimin pozitiv për cilësinë e jetës, vlerën që jeta e njeriut ka në vetvete. Kjo arrihet me anën e qendrave ambulatore, institucioneve shëndetësore apo reklamave televizive. Gjithashtu psikologët e komunitetit, psikologët e shëndetit, psikologët shkollorë janë ata të cilët duhet të flasin hapur për këtë çështje, duke mos e shndërruar në një tabu.

Ajo çka është më kryesorja, që në fillim, nëse kemi të bëjmë me individë të cilët kanë çrregullime të natyrës psikiatrike, nuk mundemi t’i neglizhojmë ata pa trajtimin medikamentoz dhe të ndjekur me terapi. Në rastet kur çrregullimi është psikologjik, familjarët, shoqëria duhet me patjetër të tregojnë mbështetjen e tyre dhe mendjehapësinë për rolin e psikologut.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top