Në fokus

April 30, 2018 | 10:00

Nga Denisa Ndrejaj Dallnesi / Belbëzimi i papritur tek fëmijët 3-4 vjeç

Nuk është e pazakontë që një fëmijë i moshës tre vjeçare të belbëzojë herë pas here ndërsa përpiqet të shprehë një koncept nëpërmjet ndërtimit të një fraze pak komplekse e cila ka në përmbajtjen e sajë më shumë se tre fjalë.

Nga Denisa Ndrejaj (Dallnesi), Psikologe Klinike

Nga Denisa Ndrejaj (Dallnesi), Psikologe Klinike

Teknikisht, para moshës shkollore, nuk mund të flitet për belbëzim, por thjesht për luhatje në gjuhë, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse hezitim për të filluar një fjali, përsëritja e rrokjes së parë të fjalisë, ose kohëzgjatja e tepërt e rrokjes së parë të fjalës ose papritmas fëmija ndihet i penguar të vazhdojë fjalinë ose fjalën duke e mbajtur gojën të mbyllur. Të gjitha këto bëjnë pjesë në procesin normal të evolucionit dhe maturimit të gjuhës së fëmijës.

Me fjalë të tjera: truri bëhet shumë shpejt i aftë për të formuluar ide dhe koncepte gjithnjë e më të ndërlikuara që kërkojnë fraza më të gjata dhe të përpunuara për tu shprehur, frazat në mendjen e fëmijës tashmë ekzistojnë, por të gjitha mekanizmat e artikulimit, e muskujve, e frymëmarrjes që mundësojnë shprehjen gjuhësore janë ende të papjekur dhe nuk arrijnë të ndjekin idetë e fëmijëve, duke krijuar kështu një vështirësi ekspresive për to, të cilët janë zakonisht shumë të zgjuar dhe të ndjeshëm. Kjo shpjegon arsyen pse fëmija fillon të belbëzojë vetëm pasi fillon të flasë.

Shenjat e para të çrregullimit gjuhësor, sidomos tek fëmijët parashkollorë, por më saktësisht nga mosha tre deri në katër vjeç, mund të vërehet dhe të monitorohet nga prindërit e tyre, të cilët, mbi të gjitha, duhet të mbajnë një qëndrim të hapur dhe të kuptuarit për fëmijën që paraqet këtë vështirësi, ata duhet ta vlerësojnë fëmijën për përparimin e gjuhës në tërësinë e sajë pa e vendosur theksin tek fjala e belbëzuar.

Shpesh kjo mund të jetë një trauma e tmerrshme e papritur, një situatë e vështirë për familjen, e cila mund të çojë në forcimin e belbëzimit nga ana e fëmijës. Prandaj është e nevojshme që problemi të pranohet me qetësi, fëmijës duhet t’i jepet shumë mundësi për të shprehur veten, pa e nxituar  duke e dëgjuar në thellësi nga ana e prindit i cili duhet të dijë të vendoset në situatën e fëmijës së tij pa i vendosur theksin tek fjala e belbëzuar, pa e ndihmuar në plotësimin e fjalisë edhe pse duket që po e sforcon, pa e korrigjuar fjalën e belbëzuar dhe pa e bërë fëmijën ta përsërisë atë derisa ta thotë saktë, por duke i treguar që e ka kuptuar.

Gjuha që prindi përdor duhet të jetë e qetë, e ngadaltë, e saktë, fluide, e thjeshtë duke krijuar situata dialogu me pyetje dhe përgjigje në një atmosferë komunikimi që nuk është vetëm verbal, por edhe emocional, fizik duke e parë fëmijën në sy me butësi dhe qetësi.

Në fakt, belbëzimi nuk është domosdoshmërisht një problem gjuhësor, por është një problem relacional. Fëmija, nëpërmjet belbëzimit, mund të nxjerrë pasiguritë e tij, konfliktet e thella shumë intime. Fëmijët që belbëzojnë janë shumë emocionalë dhe të ndjeshëm ndoshta në mënyrë të ekzagjeruar.

Një çrregullim i tillë vjen për shkak sepse kur fëmija ka belbëzuar herët e para si shkak i luhatjes normale gjuhësore të rritjes së tij i është vendosur theksi shumë nga ana e prindit si një vështirësi që ky fëmijë ka, e cila ka ndihmuar në krijimin e një ndërgjegje të pasigurt dhe vetë-zhvlerësimi ndaj botës, ndaj familjarëve apo shokëve të shkollës ose kopshtit. Nëse kjo pasiguri që fillimisht  është e pandërgjegjshme theksohet nga sjellja e tepruar e prindit për ta korrigjuar me çdo kusht gabimin e fëmijës, çon në kalimin e këtij problemi në ndërgjegjen e fëmijës duke krijuar një rreth vicioz që mund të bëhet kronike.

Ajo çfarë po ndodh me fëmijën tuaj të vogël është diçka mjaft e zakonshme në atë moshë. Gjëja më e mirë është të mos i jepni rëndësinë kryesore dhe peshën më të madhe, mos e korrigjoni dhe mos i bërtitni fëmijës sidomos kur e shikoni që është i/e shqetësuar por mundohuni ta qetësoni duke i thënë që janë gjëra që ndodhin dhe që do kalojë.

Zakonisht fëmijët nuk mërziten dhe shqetësohen vetëm në qoftë se nuk ndikohen nga ambienti. Kështu, duke pasur parasysh se mendon ‘që është gabim’, duhet t’i tregohet që nuk është gabimi i tyre, që ato nuk kanë faj.

Fëmijët që belbëzojnë, në fakt, nuk e bëjmë atë kur janë vetëm, ose kur janë duke luajtur me lodrat e tyre sepse siç e theksova më lart belbëzimi në fakt është një çrregullim komunikimi ankthioz. Prandaj, ju keni mundësi që nëpërmjet lojës ku fëmija nuk ndihet nën presion dhe është pjesë spontane e ndërveprimit dhe bashkëbisedimit me ju, mund të komentoni herë pas here mbi situatën, duke respektuar kohën dhe pushimet e tij, pa e ngutur, pa e ndërprerë atë, pa e ndihmuar në plotësimin e fjalisë, pa i bërë shumë pyetje të drejtpërdrejta për ta nxitur të flasë duke vendosur theksin dhe vëmendjen tek fjalët e belbëzuara.

Është shumë i rëndësishëm komunikimi joverbal i prindërve me fëmijën nëpërmjet lojërave fizike, muzikës duke kënduar dhe kërcyer së bashku. Muzika është një mënyrë që fëmija të rifitojë vetëbesimin e tij pasi që nëpërmjet sajë ai/ajo ndihet i aftë të flasë pa bërë gabime.

Zakonisht ky belbëzim i përkohshëm mund të zgjasë për një periudhë të caktuar, disa javë, disa muaj, me ulje dhe ngritje. Ajo që duhet të jetë e qartë është fakti që edhe në moshën e tyre ka  shqetësime dhe ndjenja faji. Prandaj është shumë e rëndësishme që fëmija të mos ndihet përgjegjës për prindërit që mund të ndihen keq apo që janë të shqetësuar.

Përpara një fëmije 3-vjeçar që belbëzon duhet të mbahet një qëndrim të kuptuari jo ankthioz, por në të njëjtën kohë, pasi ta keni vëzhguar fëmijën për disa muaj, është mirë që të mos hezitoni të merrni një këshillim të specializuar me një ekip multidisiplinarë, domethënë me një strukturë spitalore ose private, me kusht që ajo të jetë shumë e organizuar dhe e specializuar për këtë problem, që përfshin specialistë të ndryshëm si: psikolog, logoped, neuropsikiatër për fëmijët dhe madje edhe pediatër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top